Arsyet përse të rinjtë duhet të zgjedhin Qytetin Studenti dhe jo shtëpitë me qira

    460
    Sigal

    INTERVISTA/Drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, flet për regjistrimet e vitit të ri akademik

    Qyteti Studenti është në ditë e para të regjistrimeve të studentëve që do të presë për vitin e ri akademik. Në një intervistë për “Telegraf”, drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina ka sqaruar se procedurat e regjistrimit po shkojnë normalisht dhe regjistrimi  do të zgjasë deri në datën 15 tetor. Sipas tij, ky vit i ri vjen me ndryshime të rëndësishme për studentët që do të jenë pjesë e tij për vitin e ri akademik. Shtimi i godinës numër 1 dhe rregullimi i sistemit të dusheve për çdo kat në shumicën e godinave i vjen në ndihmë për një jetesë më të mirë studentëve.

    -Zoti Brovina kur kanë filluar regjistrimet për konvikte në Qytetin Studenti dhe sa do të zgjasin?

    -Regjistrimet për vitin akademik kanë filluar në datën 1 tetor. Fillimisht do të regjistrohen studentët e viteve të dyta dhe më lart. Në këto ditët e para janë regjistruar rreth dy mijë studentë. Regjistrimi i tyre do të fillojë deri nga data 15 tetor, pasi ka studentë që e fillojnë shkollën më vonë. Ne vazhdojmë sipas programit të paraqitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

    -Për studentët që regjistrohen për herë të parë a ka ndonjë procedurë shtesë për t’u ndjekur apo janë njësoj dokumentet si edhe për vitet e tjera?

    -Po edhe për vitet e para duhen dokumentet ashtu si për vitet e tjera, duke filluar që nga vërtetimi mjekësor, vërtetimin nga shkolla, apo dy fotografi, certifikatën ose kartën e identitetit. Pra, ato duhet të dorëzojnë dokumentet që ne i kemi bërë publike dhe më parë.

    -Në vigjilje në hapjes së procesit akademik, studentët janë të interesuar jo vetëm për kushtet, por edhe për tarifat dhe si përkthehen ato në raport me hapësirën që akomodohen?

    -Tarifa nuk ka pësuar rritje as këtë vit ajo është e njëjtë me vitin e kaluar. Tarifa është 40 mijë lekë të reja. Por këtë vit ka një ndryshim sepse studenti duhet të paguajë edhe 2000 mijë lekë të reja për siguracione. Kjo është bërë për arsye se nëse do të ketë dëmtime të bazës materiale nga studenti këto lekë nuk do të kthehen më. Në të kundërt nëse nuk do të ketë dëmtime atëherë në fund të vitit shkollor studenti do ti marrë 2000 mijë lekët e reja që ka lënë si siguracion tani. Kjo është bërë edhe për faktin se kur ikin disa studentë nuk e dorëzojnë bazën materiale dhe kjo pastaj na bie ne që ta paguajmë.

    -Në krahasim më një vit më parë a ka shtim të interesit të studentëve për të qëndruar këtu?

    -Është vënë re një rritje e interesimit të studentëve për të qëndruar në bujtinat tona të Qytet Studentit. Po ashtu këtë vit për herë të parë po shtohet edhe një godinë tjetër. po hapet godina numër një, e cila është për dy persona dhe me kushte mjaft të mira, duke filluar që me praninë e paneleve diellore. Po ashtu aty mund të rrinë motër e vëlla, apo dy motra, etj. Po ashtu për herë të parë qytet studenti akomodon 1500 studentë për vitet e para. Tarifa ende nuk është e vendosur, por mendoj do të jetë si bujtina numër 13. Por kjo varet edhe nga mundësia financiare që ka çdo student.

    -A janë bërë investime për këtë vit, nëse po ku konsistojnë këto ndryshime?

    -Po janë përmirësuar ndjeshëm kushtet në këto bujtina. Një ndër investimet që është bërë është vendosja e dusheve në çdo kat për shumicën e bujtinave. Nuk kemi pasur probleme edhe me regjistrimin, po vazhdojnë normalisht. Vitet e para i bëjnë këtu pagesat, ndërsa vitet e tjera i bëjnë nëpër banka pagesat ashtu siç e kemi theksuar edhe ne në njoftimin përkatës. Në krahasim me vitet e kaluara ka një rritje të ndjeshme të interesimit të studentëve për të jetuar këtu.