Arsyet përse qeveria shqiptare nuk angazhohet për zgjidhjen e çështjes së pronave

    360
    Sigal

    INTERVISTA/Flet sekretari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro, pas vënies së gjobës nga Strasburgu

     Qeveria shqiptare sipas sekretarit të përgjithshëm të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro, nuk po angazhohet për zgjidhjen e problemit të çështjes së pronës edhe pas një gjobe që i vuri gjykata e Strasburgut pak ditë më parë. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Toro është shprehur se nuk sheh asnjë përpjekje serioze për t’i kthyer pronën pronarëve shqiptarë. Sipas tij, edhe plani për metodikën nuk po merr zgjedhje, pasi nuk është miratuar asgjë dhe për hartimin e metodikës nuk është kërkuar mendimi i pronarëve.

     -Zoti Toro, pas gjobës që u vendos nga gjykata e Strasburgut shtetit shqiptar a po merret ndonjë masë për rregullimin e çështjes së pronave?

    Deri tani nuk kemi asnjë të dhënë që qeveria të ketë marrë ndonjë lloj angazhimi përsa i përket atyre detyrimeve që gjykata e Strasburgut ka vendosur për shtetin shqiptar në këtë vendim. Në kontaktet që kemi pasur ne për këtë qëllim na kanë thënë që qeveria akoma nuk e ka përkthyer dhe pas përkthimit menjëherë do të merret detyrimi përkatës për këtë qëllim. Deri tani nuk dimë që të jetë marrë ndonjë masë.

     -Po për metodikën a keni marrë më informacione çfarë po bëhet dhe kur do të vihet në zbatim?

    -Për metodikën ne u treguam të gatshëm përsa i përket bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë me qëllim që edhe mendimet tona të merreshin në konsideratë. Mbasi u bënë dy tre takime ato  u ndërprenë me arsyetimin që ministria nuk ishte e detyruar që të na jepte ne informacione dhe kërkesa përsa i përket kësaj metodike. Me kontaktet që kemi pasur me punonjësin e huaj të kësaj ministrie na ka thënë që nuk ka asgjë të gatshme për këtë, ende janë larg hartimit të kësaj metodike. Por çuditërisht një javë pasi ne ndërpremë kontaktet u tha që brenda muajit gusht apo shtator do të miratoheshin edhe çmimet. Pra këto janë fjalë që thuhen për tu justifikuar para ndërkombëtarëve dhe asgjë më tepër. Është një bllof i radhës. Dhe kjo po bëhet për fushatë elektorale e cila ka filluar për mendimin tim.  Tërë kjo lloj demagogjie që po bëhet si një lloj fushate dhe ajo po bëhet me anë të disa legalizimeve që po bëhen. Kjo nuk është gjë tjetër vetëm një lloj demagogjie për të blerë votat e pronarëve.

     -Strategjia e qeverisë aktualisht për kthimin dhe kompensimin e pronës, a është ndopak shpresëdhënëse për pronarët?

    -Për pronat nuk është bërë asgjë deri më tani. Edhe sipas konkluzioneve të Gjykatës së Strasburgut janë vetëm fjalë dhe premtime boshe, planet për një strategji për zgjidhjen e çështjes së pronës në Shqipëri. Deri në këto momente na duket një strategji në ajër e pambështetur në fakte dhe dokumente reale, pa bërë analiza të situatës së pronave në Shqipëri. Kjo është bërë vetëm për të fituar kohë tek faktori ndërkombëtar, në mënyrë që të ketë ato zgjidhje premtuese vetëm sa për të kaluar klasën në lidhje me detyrat e vëna nga komisioni europian. Ajo është një strategji absolutisht pa asnjë lloj plani të detajuar, nuk ka të botuar se sa janë detyrimet për zgjidhjen e problemit të pronave. Zgjidhjes që propozohet na duket absurde, sepse deri më tani nuk kemi të botuar asnjë gjë përsa i përket pronave të paluajtshme që do përdoren për kompensim. Po jepet detyra që në  2018-ën të dalin këto prona për kompensim, deri atëherë asgjë nuk mund të ndodhë sipas strategjisë së miratuar. Për ne është mosbesuese rruga që po ndiqet për këtë kompensim.

     -Duke qenë se është një nga 12 prioritetet kthimi dhe kompensimi i pronave, a u jep ndopak optimizëm kjo dhe a mund të jetë një arsye më shumë për t’u mbyllur kjo çështje?

    Ne kërkojmë domosdoshmërisht që Shqipëria të marri statusin e vendit kandidat, pasi këtë e meriton populli shqiptar dhe jo klasa politike. Pasi klasa politike realisht nuk do që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe nuk do për një arsye se duke mos e bërë vendin kandidat për në BE, ata mund të realizojnë objektivat e tyre që janë anti-pronar. Kjo praktikë që ka ndodhur në Shqipëri që nga 1993 kanë një burim të vetëm mosvullnetin politik dhe në këtë aspekt ata nuk duan që Shqipëria të jetë pjesë e Europës. Në kërkojmë që të marrim statusin, edhe pse klasa politike nuk e meriton, por populli shqiptar e meriton, pavarësisht nga pasojat që kanë sjellë klasa politike.

    Kompensimi i tokës me tokë është një utopi 

    -Për ne kjo është një utopi, sepse qeveria sapo ka miratuar një ligj për ndarjen e tokave dhe këto ndarje do ti bëjë në nivel edhe deri tek kryetari i komunës. Akoma qeveria nuk ka bërë publike listën e pronave të veta që përdoren për efekt kompensimi. Sipas strategjisë së saj kjo listë do të dali në 2018-ën, pra kur të mos ketë mbetur më asgjë, prandaj ne nuk kemi më ndonjë besim që mund të ketë ndonjë mundësi për kompensim fizik.