Arsyet përse po kërkohet Inxhinieria Mekanike dhe rritja e tarifave

    1073
    Sigal

     INTERVISTA/ Dekani i Inxhinierisë Mekanike Prof. Andonaq Londo, flet për risitë e vitit të ri akademik

    Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, ka rritje të lehtë të kuotave për vitin e ri akademik. Po ashtu një rritje të lehtë kanë pësuar edhe tarifat që duhet të paguajë çdo student për të ndjekur studimet pranë këtij Fakulteti. Këto fakte i bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Dekani i Inxhinierisë Mekanike Prof. Andonaq Londo. Sipas tij, të rinjtë kanë shfaqur një rritje të interesit për degët e këtij fakulteti, nga viti në vit.

    -Zoti Londo, sa kuota janë miratuar për Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike për vitin e ri akademik?

    -Për vitin e ri akademik numri total i kuotave për Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike është 390. Përkatësisht 150 janë në degën e Inxhinierisë Mekanike, 70 janë në degën Inxhinieri Tekstil dhe modë, 70 janë në Inxhinierinë Ekonomike. Ka një rritje kuotash për Inxhinierinë Ekonomike pasi kjo po bëhet një degë mjaft atraktive për tregun. Është një degë e re dhe ajo po kërkohet nga studentët, eksperienca e dy viteve të kaluara po tregon që ajo është një degë mjaft e kërkuar dhe këtu vijnë studentë të mirë që kanë një notë mesatare të lartë. Këtë vit është viti i tretë dhe ne po përgatisim që vitin tjetër do të kemi ciklin e dytë. Ndërkohë, si profil i ri ose si degë e re që është aprovuar nga ministria jonë me masterat profesional në transport dhe në energjetikë. Të dy këto janë mjaft të rëndësishëm, pasi kanë të bëjnë me problematikat që vendi ynë ndeshet sot siç është siguria rrugore, apo edhe inxhinieria e trafikut. Kuotat për masterin janë rreth 30. Po kështu ne kaq kemi kërkuar edhe ne masterin në energjetikë. Shqipëria ka nevojë për specialistë në këtë drejtim. Kështu që mendoj që studentët do ti zgjidhin degët që kanë të bëjnë me Inxhinierinë Energjetike, pasi vendi jonë ka nevojë. Ndërkohë që, Inxhinieria Tekstile dhe e Inxhinieria materialeve qëndrojnë në kuotat që kanë qenë. Dhe ne mendojmë që këto kuota mund të plotësohen në raundet përkatëse të regjistrimit.

    -Po tarifat që duhet të paguajë një student për të ndjekur studimet a kanë ndryshuar në krahasim me një vit më parë?

    -Lidhur me tarifat unë mund të them që tarifa sivjet është 17241 lekë të reja për të tëra degët që përmenda unë. Këto tarifa janë për sistemin e “Bachelor”-it, ndërsa për sistemin e masterit ende nuk janë miratuar tarifat. Nuk mund të them nëse do të ketë rritje apo jo për tarifat e masterit. Ndërsa për sistemin 3 -vjeçar këtë vit kemi një rritje të tarifës, nga 150 mijë lekë që ka qenë është bërë 17241 lekë të vjetra. Ndërkohë, në fakultetin tonë janë miratuar edhe kuota për studentë që vijnë nga jashtë Shqipërisë si nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës etj..

    -Sa është numri i kuotave për studentët e ardhur nga trojet?

    -Në Inxhinierinë Mekanike kemi dy kuota. Në Inxhinierinë e Tekstileve dhe Modës kemi një kuotë për studentët që do të vijnë nga trojet. Ndërsa po një kuotë kemi edhe në Inxhinierinë Ekonomike.

    -Ka ekzistuar një mentalitet që kryesisht tek Inxhinieria e Mekanikës shkojnë për të studiuar djemtë. A po ndryshon sadopak ky mentalitet, a ka vajza që dëshirojnë që të ndjekin studimet në këtë degë?

    -Është një mentalitet i gabuar që ka ekzistuar, por unë po ju them që sot është totalisht ndryshe. Po të shihni në auditorët tona do të shihni që ka më shumë vajza se djem. Këtë raport e ka prishur më shumë dega e Tekstileve dhe modës, pasi vajzat janë më të prirura për të ndjekur modën dhe duan që ta ndjekin degën e modës. Këtu përgatiten inxhinierë jo stilistë, por një inxhinier i mirë duhet të ketë njohuri edhe nga moda. Kështu që po të bëjmë bilancet midis numrit të vajzave dhe të djemve, aty-aty dalin.

    -A keni planifikuar që të hapni mastera të rinj dhe programe të reja studimi?

    -Ne po përgatitemi që të hapin një master të ri në fushën e Auditimit të Energjisë dhe Menaxhimit të Energjisë. Siç e dini Shqipëria është duke përgatitur të tërë dokumentacionin për tu bërë vend kandidat për në Bashkimin Europian. Dhe ne në kuadrin e përgatitjes së  këtyre dokumentacioneve jemi duke përgatitur një master me part-time, për studentë jo vetëm të Fakultetit tonë, por edhe për studentë të tjerë që dëshirojnë që ti ndjekin studimet në këtë degë.

    -Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, a ka nevojë për staf dhe ambiente të reja për këtë vit të ri akademik?

    -Në lidhje me ambientet nuk kemi ndonjë ndryshim. Ambientet janë po ato, rektorati po bën përpjekje për të bërë një shtesë prapa ndërtesës qendrore, ku janë dy pjesë të ndërtesës në formë “U”-je, dhe po punohet që ato të bashkohen. Por është pak e vështirë për nxjerrjen e lejes pasi dihet që prapa është parku. Por shpresojmë që qeveria të japi lejen për ndërtimin e kësaj shtese. Fondet për këtë janë siguruar një pjesë nga të ardhurat e universitetit dhe pjesën tjetër presim që ta marrim nga qeveria. Por kjo nuk mund të jetë e gatshme për këtë vit të ri akademik. Pasi ju thashë edhe më lart që duhet ende shumë punë për këtë. Ndërsa përsa i përket stafit ne kemi nevojë për shtim të stafit. Madje kemi bërë kërkesë për 4 apo 5 profesorë të rinj që i duhen fakultetit tonë. Këto duhen sidomos në fushën e Inxhinierisë Ekonomike, ne kemi bërë kërkesën tonë në rektorat, por nuk kemi marrë ende një përgjigje. Ne shpresojmë që të gjejmë inxhinierë të zotë dhe që të vijnë dhe të kontribuojnë në fakultetin tonë për mësimdhënie.

    -Si po shkon procesi i Akreditimit të Fakultetit tuaj, pasi është folur shumë për këtë proces?

    -Duhet të dini që Universiteti Politeknik ka ngritur një grup pune prej dy vjetësh për të ndjekur këtë proces. Është bërë vetëvlerësimi i brendshëm. Çdo fakultet e ka bërë vetëvlerësimin e brendshëm dhe janë bërë publike në ambientet e universitetit rezultatet. Ndërkohë që, është çuar kërkesa në Agjencinë Kombëtare të Arsimit të lartë pranë MASH për tu akredituar. Mesa kam informacion unë është universiteti i parë që ka bërë kërkesë për t’u akredituar. Por duhet të theksoj që është përgatitur dosja, por ajo është shumë voluminoze dhe po punohet për këtë. Dosja duhet të jetë prej 1000 faqesh, duhen bërë shumë pyetësorë, dhe duhen matur mjaft gjëra. Por gjithsesi po ju them që jemi duke punuar për këtë proces.