Arsyet përse nuk u kompensuan pronarët për 2012-n dhe e vërteta e fondit të përcaktuar

    383
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Agim Toro, sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për pengesat e paraqitura për kompensimin e pronarëve

     Procesi i kompensimit të pronarëve për vitin 2012, nuk mund të mbyllet për shkak të zvarritjes së procesit nga qeveria. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf” sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro. Sipas zotit Toro, fondi i akorduar për vitin 2012 nuk mund të shpërndahet pasi qeveria ende nuk ka miratuar çmimet e reja. Po ashtu sipas tij fondi për kompensimin e pronarëve është treqind milion lekë. Ndërsa në lidhje me procesin e marrjes së banesave nga pronarët, zoti Toro ka bërë të ditur se, procesi po shkon normalisht.

     -Zoti Toro, si po ecën procesi për marrjen e banesave nga pronarët sipas Aktit Normativ që është lënë në fuqi?

    Procesi po ecën me ritme normale, nuk ka ndonjë përshpejtim të procedurave. Procesi tani është në dorën e Entit Kombëtar të Banesave i cili zgjedh urdhrin e ekzekutimit. Kërkesat janë depozituar nga pronarët pranë Entit Kombëtar të Banesave dhe tashmë procesi është në dorën e këtij institucioni dhe të gjykatës dhe më pas do të kalojë tek Përmbarimi për zbatimin e mëtejshëm të procedurave.

     -Jemi në fund të vitit 2012, si po ecin procedurat për kompensimin e pronarëve për këtë vit?

    Unë e them me bindje që nuk mund të realizohet për vitin 2012 kompensimi i pronarëve. Kjo nuk është e mundur për disa arsye që unë mund të ua përmend. Së pari nuk ka një hartë të vlerës. Sot ne nuk kemi çmime të tokave të miratuara, çmimet e vjetra që kanë qenë janë shfuqizuar. Ndërsa dalja e çmimit të ri të tokës nuk mund të dalë brenda këtij viti.

     -Mund të na thoni se nga janë krijuar këto vonesa, cilat janë arsyet?

    -Këto vonesa janë krijuar nga qeveria, sepse ligji ka dalë para shumë kohësh, ndërsa metodika tani është miratuar nga qeveria. Dhe në këtë kuadër me miratimin e metodikës së re janë shfuqizuar të gjitha çmimet e vjetra që kanë qenë dhe tani duhet të miratohen çmimet e reja. Metodika është miratuar me datë 1 nëntor dhe në 15 nëntor ka hyrë në Fletoren Zyrtare, pas kësaj  duhet dhe dy muaj që të bëhet harta e vlerës. Kështu që është e pamundur që të bëhet ndarja e fondeve për vitin 2012 për kompensimin e pronarëve.

     -A është e mjaftueshme shuma e akorduar prej 3 miliardë lekësh për kompensimin e pronarëve?

    Nuk janë tre miliardë lekë vetëm për kompensimin, por po ju them që shifra për kompensimin e pronarëve nuk është më shumë se treqind milion lekë. Por ngatërrohet shifra duke u bashkuar bashkë me shumën që do të përdoret për kompensimin e pronarëve që preken nga legalizimet. Për këtë mund të pyetet Ministria e Drejtësisë e cila e ka bërë publike këtë shifër, jo reale. Ministria duhet pyetur se sa është shifra për subjektet e shpronësuara dhe sa janë për pronarët që preken nga procesi i shpronësimit për procesin e legalizimit?. Dhe shifra do të dali që nuk janë më shumë se treqind milion lekë.

     Si mund të kompensohen personat për 400 m²

    Duke marrë shkas nga telefonatat e bëra në emisionin e mëngjesit në televizionin Shijak nga qytetarë të ndryshëm, gazeta “Telegraf” sqaron qytetarët në lidhje me procedurat që duhen ndjekur për kompensimin e tokës për një sipërfaqe prej 400 m². Këto procedura i sqaron sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro. Ai ka bërë të ditur se: “Nëse një person ka një sipërfaqe deri në 1500 m², atij mund ti kompensohen 200 m². Nëse ka deri në 3000 m², atij i kompensohen 300 metra, nëse ai ka deri në 5000 metra ai merr 400 metra. Nëse ka nga 5000-10000 metra atij i kompensohen 500 metra dhe nëse ka mbi 10000 metra atij i kompensohen 600 metra”. Ndërsa në lidhje me dokumentet që duhen dorëzuar zoti Toro bëri të ditur se: “Duhen dorëzuar, një prokurë kompensimi nga trashëgimtarët dhe kërkesa që paraqitet për kompensim”.

    Masa e kompensimit për çdo kategori toke

    a)Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m², masa e kompensimit të jetë deri në 200 (dyqind) m².

    b)Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 (një mijë e pesëqind) m² deri në 3000 (tre mijë) m², masa e kompensimit të jetë 300 (treqind) m².

    c)Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 (tre mijë) m² deri në 5000 (pesë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 400 (katërqind) m².

    ç) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 (pesë mijë) m² deri në 10000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 500 (pesëqind) m².

    d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 600 (gjashtëqind) m².

    Dokumentet që duhen dorëzuar 

    Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:

    a) kërkesën për kompensim në të holla, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

    b) deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

    c) titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;

    ç) planvendosjen përkatëse të vendimit, si edhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;

    d) dëshminë e trashëgimisë;

    dh) nëse disponon, prokurë të posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, në ato raste kur pjesët takuese nuk janë të përcaktuara në vendimin e KKP-së/ZRAKKP-së;

    e) vendimet e KKP-së/ZRAKKP-së ku janë përcaktuar pjesët takuese të secilit bashkëpronar.

    ë) çdo akt tjetër gjyqësor apo administrativ me anë të të cilëve provohet pjesa takuese e secilit bashkëpronar.

    f) dokumentin e identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokure.

    g) mandat pagesën