Arsyet e regjistrimeve në sekretaritë e Fakultetit të Drejtësisë dhe ndryshimet për vitin akademik

    411
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Prof. Altin Shegani, për vitin e ri akademik

    F akulteti i Drejtësisë ka krijuar kushtet e përshtatshme për të pranuar edhe regjistrimin pranë sekretarisë se fakultetit për fituesit e këtij viti. Edhe pse është aplikuar regjistrimi on-line, sërish ka studentë që zgjedhin që të regjistrohen ë sekretaritë e fakultetit, kjo vjen më shumë për faktin se kanë më shumë siguri në këtë formë regjistrimi. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe dekani i Fakultetit të Drejtësisë Prof. Altin Shegani në një intervistë për “Telegraf”. Sipas zotit Shegani regjistrimi on-line është diçka pozitive, por studentët kanë më shumë siguri nëse regjistrohen në sekretari.

    -Zoti Shegani a ka studentë që vijnë pranë sekretarive për të bërë regjistrim jo on-line normalisht dhe sa është numri i tyre?

    -Pikësëpari dua të them që interesi i studentëve ka qenë i dukshëm. Fakulteti si masë paraprake ka publikuar fituesit në të gjitha vendet e dukshme. Ky proces ka dy momente, ku një pjesë ka të bëjë me terrenin dhe pjesa tjetër ka të bëjë me regjistrimin on-line. E them me terrenin, sepse një pjesë e studentëve vijnë që të regjistrohen pranë sekretarisë së posaçme që ne kemi ngritur pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Nga ana tjetër është regjistrimi on-line që e ka mundësuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sigurisht, një pjesë e madhe e studentëve tentojnë që të bëjnë konfirmimin pas regjistrimit on-line. Kjo është e kuptueshme që ato duan që të rrisin sigurinë e tyre, pasi e kanë me merak. Ka qenë një numër diku tek 30 persona që janë paraqitur për të kryer regjistrimin pranë sekretarisë sonë. Ky numër njeh një trend rritës duke ecur drejt afatit përfundues të regjistrimit. Megjithatë unë mendoj që nuk ka asnjë lloj arsye që të ketë probleme në procesin e regjistrimit që do të bëhet pranë sekretarive. E them këtë për arsye se ne kemi instaluar të tërë pajisjet e nevojshme me qëllim që të shkojë sa më mirë ky proces. Deri më tani procedurat kanë shkuar normalisht, edhe nëse do të ketë ndonjë problem ne jemi të gatshëm për ti dhënë zgjidhje.

    -Vendimi për të bërë regjistrimin on-line është marrë pak kohë para daljes së fituesve. A mendoni se ky regjistrim do të jetë efikas dhe a mendoni se duhet të aplikohej tani?

    -Unë mendoj që aplikimi i teknologjisë është një gjë shumë e mirë. Unë mendoj që ministria ka bërë mirë kur u ka dhënë mundësinë studentëve qoftë për regjistrimin on-line, qoftë edhe lejimin e regjistrimit pranë sekretarive të fakulteteve. Mund të ketë ndonjë problem kur mund të bllokohet sistemi, por është një gjë shumë pozitivë fakti që studentët kanë mundësi që të verifikojnë edhe pranë sekretarive nëse janë regjistruar ose jo. Unë jam i prirur që t’i besoj teknologjisë, sepse ne kemi një përvojë tonën nga dixhitalizimi i sekretarive dhe na është lehtësuar shumë puna. Në të ardhmen sistemet përsosen. Duhet tentuar njerëz me qëllim që të shikosh edhe impaktin. Kështu që, unë mendoj që problemi i kohës nuk më takon që ta gjykoj unë.

    -Cilat janë disa nga risitë që sjell ky vit i ri akademik për studentët e Fakultetit të Drejtësisë?

    -Viti i ri akademik e gjen Fakultetin e Drejtësisë me njësërë risish. Nga pikëpamja e infrastrukturës dhe planeve mësimore. Nga pikëpamja e infrastrukturës në kemi një plan që gati po vihet në punë. Ne e kemi një nga pikat tona të së ardhmes që shumë shpejt të kemi pjesë të hapësirave tona universitare edhe dy katet e tjera të godinës ku aktualisht Fakulteti i Shkencave Sociale. Meqenëse qeveria i ka akorduar një godinë Universitetit të Tiranës, që është godina e ish Rrobaqepësisë Ushtarake, tashmë kjo godinë në dijeninë time është bërë tenderi për këtë dhe kanë filluar punimet, mesa di. Më rregullimin e kësaj godine Fakulteti i Shkencave Sociale kalon atje dhe Fakulteti i Drejtësisë shton ambientet e tjera me dy kate.

    -Sa është numri i saktë i kuotave për këtë vit dhe sa është tarifa që duhet të paguaj çdo student?

    -Po, numri i kuotave për këtë vit të ri akademik është 550. Ky është numri që ne kishim propozuar dhe që na u miratuan nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë që përsa i përket tarifës së studimit unë mund të ju them që ne nuk kemi kërkuar rritje kjo për shkak se edhe situate financiare nuk është aq e mirë dhe ne kemi menduar që tarifa të mos ketë rritje. Pra 550 kuota për ne është një numër i arsyeshëm duke pasur parasysh edhe mundësinë që ne do të kemi për zgjerim të ambienteve, pasi vitin tjetër akademik shpresojmë që të kemi edhe dy katet e sipërme të godinës. Kështu që mendoj që është një numër i përputhshëm me të gjitha kriteret, edhe tarifa e shkollimit është e pandryshuar. Tarifat janë në 32000 mijë lekë kanë qenë dhe aq kemi kërkuar që të mbeten. Ndërsa në sistemin part-time janë 300 tarifa.

    -Ju thatë që do të jenë 550 kuota që do të fillojnë studimet dhe çdo vit dalin një numër i konsiderueshëm studentësh që mbarojnë këtë fakultet. Kur bëni propozimet për kuotat a merren parasysh nevojat e tregut të punës?

    -Në fakt ne kemi mbajtur parasysh një trend jo shumë evolutiv kur kemi bërë propozimet nga këshilli i fakultetit. Le të themi që 550 kuota në “Bachelor” janë më pak se sa kanë qenë në vitet e kaluara, ne kemi pasur 700 studentë. Kështu që 550 kuota plus ndonjë shtesë që mund të ketë janë normale, pra kemi një trend jo në rritje. Kështu që unë mendoj që ky numër është i pranueshëm, madje me marrjen e dy kateve të tjera ne krijojmë edhe një ambient më të përshtatshëm.