Arsimin nuk e drejton shteti, por mafja dhe deputeti

574
Sigal

SKANDALI/ Zbulohet një MEMO e Përgjegjësit të Zyrës Arsimore Librazhd, Kujtim Balla dërguar deputetit të  PD-së, Rrahim Çota për lëvizjet e 39 mësuesve

Në Librazhd ka ekzistuar rrëfimi i moçëm, se dikur kuçedra, kishte zënë burimin e qytetit dhe nuk i linte banorët të pinin ujë. Kurse, sot, deputeti i Partisë Demokratike, Rrahim Çota, ka bllokuar punësimin  e njerëzve, në sektorin e arsimit dhe nuk i lejon ata të punësohen. Ai kontrollon çdo lutje të kandidaturave, çdo alternativë dhe çdo emër, duke përzgjedhur vetëm ata që preferon ai. Dhe kjo që po ndodh, aktualisht, në Librazhd, nuk është më, një masakër kuçedrash, por një turp politik. Ky turp, megjithëse bëhet nga një deputet i vetëm, ai bie mbi të gjithë qeverinë.  Sepse, arsimi i Librazhdit nuk funksionon më, në bazë të ligjeve, por as në bazë të orientimeve të Ministrisë  së Arsimit. Sepse aty gjithçka orientohet nga direktivat e deputetit blu, i cili kontrollon të gjitha emërimet, shkarkimet, apo qarkullimet e mësuesve të këtij qyteti. Duket se tani, asgjë nuk funksionon më, pa u kontrolluar mëparë nga deputeti demokrat. Kjo kuptohet edhe nga MEMO-ja, që Kujtim Balla, përgjegjës i zyrës së arsimit, në këtë qytet, i raporton deputetit Rrahim Çota, lidhur me një lëvizje të bërë nga kjo zyrë. Por në fakt, ky veprim ndodh për çdo lëvizje sepse aty, nuk drejton më shteti, por deputeti. Pra, në mënyrë më të qartë kjo thuhet kështu:  Nëse dikush dëshiron të fillojë një punë, ai duhet të “falet” më parë te “padishahu” i qytetit, i cili nëse pranon, do të urdhërojë zyrën e shtetit. Por nëse këtij deputeti që shfaqet gjithmonë i nevrikosur, nuk i mbushet mendja për të punësuar, dikë, atëherë viktima, për 100 vjet nuk do të gjejë punë.  Deputeti Çota ka mjaft punë në Parlament, por kohën ëmë të madhe ai e kalon me emërimet e mësuesve dhe lëvizjet në administratën shtetërore. Në këtë MEMO tepër konfidenciale, që gazeta “Telegraf”, ka siguruar, raportohet dhe jepen mendime për lëvizjet në arsimin e Librazhdit.

Teksti

Në MEMO fillohet me ish-përgjegjësin e parë, të Zyrës Arsimore të Librazhdit, Fatos Vreto, si dhe ish- drejtoreshën e shkollës 9-vjeçare “Genc Leka”, Mereme Zeneli. Aty jep mendimet se përse duhet të lëvizin disa njerëz. Pjesa e parë e kësaj MEMO ka 13 emra drejtuesish, më pas vazhdon me emërimet e reja në organikat e vitit 2012-2013, ku janë 16 mësues dhe më pas vijon me transferimet që ata do të bëjnë. Në emërimet e reja thuhet se, janë emërua në punë mësues të propozuar nga grupe seksionet e PD në komuna, pavarësisht se kanë mbaruar arsimin e duhur, nëse kanë diplomat ose jo, nëse nuk je i PD-së flakesh dhe në fshatin më të largët në Qarrishtë siç është dhe Rexhep Qoshku, vetëm se është Kryetar i PS-së për fshatin Babje, Ferit Disani eksponent aktiv i majtë në zgjedhjet e fundit të pushtetit vendor për të majtën transferohet në Orenjë me kërkesë të grup seksioni të PD, Komuna Qendër. Kurse për emërimet e reja Balla shkruan: L. Merko emërohet mësues në Rrajcë me propozim të grup seksionit të PD-së, Përrenjas, Dh. Kryeziu aktiviste e forumit të gruas emërohet me propozim të grup seksionit Qukës, M. Stafa me arsim të mesëm emërohet mësuese në shkollën e mesme Qukës, e djathë, e kështu me radhë, ku flitet për ndërhyrje nga MASH, emërime në Lunik, në Polis, Gurakuq, emërime me shkollë të mesme në Stëblevë, pra një numër i madh propozimesh nga grup seksionesh të PD në fshatra emërojnë mësues. Po kështu një numër tjerët më i madh që janë emëruar pa diplomë dhe nuk dihet se si janë lidhjet dhe me kë ose çfarë pazaresh mundet të jenë bërë. Ankesat e komunitetit, nxënësve bien në veshin e shurdhët të drejtuesve dhe pak rëndësi ka nëse dinë të shkruajnë e të lexojnë mësuesit. Në fund MEMO-n e tij Kujtim Balla e mbaron duke dhënë komente dhe për punën e N/Prefektit dhe ish- kryetarit të PD-së, Arjanit Leka, ku sipas tij, ai pengon lëvizjet e mësipërme. Madje thotë që me kontributin e tij (A. Leka) janë ndërruar 6 drejtues të Zyrës Arsimore, pra siç shikohet deputeti Çota është pjesë e gjithë këtyre lëvizjeve. Ndryshe nga deputetët e tjerë të Qarkut të Elbasanit, të cilët janë shembull në punën e tyre dhe ngrenë problemet dhe punojnë për mbarëvajtjen dhe mirëqeverisjen në Librazhd, deputeti merret me lëvizjet në arsim, ku jo pak kushërinj, nuse nipash e mbesa dhe pa diplomë vazhdojnë të jenë pjesë e arsimit në Librazhd. Mjafton të bësh një ekspoze të shkollave në rreth e do të gjesh emra mësuesish që nuk shkojnë fare në punë, ku as nxënësit nuk i njohin fare, mësues pa diplomë ose që ju janë djegur diplomat. Odiseja e arsimit në Librazhd prej disa vitesh vazhdon çdo ditë e më shumë. Janë rreth 200 mësues pa punë dhe me diploma e mastera, por as që mundet, t’u hapet dera e klasës për të provuar shkumësin, pasi arsimi është kllapitur nga të paaftët.

Reagimi i deputetit Rrahim Çota: Të gjitha janë shpifje

Duke zbatuar parametrat profesionalë, ne iu drejtuam deputetit, Rrahim Çota dhe e pyetëm nëse këto shkelje ligjore, janë të vërteta, apo jo. Dhe ai u përgjigj: “Këto që thoni ju, janë shpifje dhe asgjë nuk është e vërtetë. Këto shpifje vijnë nga segmente keqdashëse, të cilët shqetësohen nga përparimi dhe ecuria e arsimit, në Librazhd. Mjafton, t’u them, se ne kemi hapur 15 shkolla të reja në Librazhd dhe kemi bërë 50 milionë euro investime. Ne i kemi ndryshur faqen qytetit tonë dhe kjo i tërbon kundërshtarët, prandaj, ata sajojnë lloj- lloj shpifjesh. Unë personalisht, nuk kam ndërhyrë asnjëherë, për asnjë rast. Por këtu, për herë të parë njerëzit, po vihen në profesionet e veta, ku ai që ka mbaruar për matematikë, të vihet si mësues matematike, e kështu me radhë. Prandaj, unë protestoj energjikisht, kundër atyre që shkruhen për mua dhe do të kërkoj një debat, apo konsultim publik, për këto çështje, që po shtroni ju.