Arsimi profesional, Klosi: Kuota të lira dhe për studentët nga trojet

    423
    Ministri i Mirëqënies Sociale e Rinisë, Blendi Klosi ka premtuar lënjen e kuotave të lira për të gjithë studentët që vijnë nga Trojet, të cilët janë të interesuar që të ndjekin arsimin profesional. 
    “Ne do të përpiqemi që nga viti i ardhshëm, në sistemin tonë të shkollave të ekselencës, që janë shkolla që ne i kemi në avangardë të Arsimit Profesional, nxënës nga Presheva, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe nga shqiptarët e diasporës të kenë mundësi që me kuota të përcaktuara të aftësohen në shkollat tona të Arsimit Profesional. Kështu do të kemi mundësi që të krijojmë një brez të ri shqiptarësh që jetojnë nëpërmjet profesioneve”, – ka thënë ministri Klosi.
    Këto kuota, sipas ministrit Klosi, do të vihen në dispozicion të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Malit të Zi apo edhe Maqedonisë. Ndërkohë, ky program do të shtrihet përgjatë periudhës Mars – Maj të vitit të ardhshëm ku mund të përfshihen më shumë se 2500 të rinj. 
    “Për të njohur më mirë administratën shqiptare ne kemi një program internshipi dhe kemi menduar që, në periudhën e pranverës së vitit të ardhshëm, ky internship të zhvillohet për shqiptarët e trojeve apo shqiptarët e diasporës. Pra të kemi mundësi që 2500 shqiptarë që kanë mbaruar shkollën e lartë të jenë pranë administratës publike shqiptare për të njohur sesi funksionon dhe për të kuptuar se kush prej tyre mund të ecë përpara dhe mund të jetojë në administratën publike, si dhe për të përzgjedhur nga këta të rinj një pjesë për të pasur kontrata pune me administratën publike shqiptare”, – tha ministri Klosi.
    Ndërkohë që një nga përfaqësuesit e të rinjve të Preshevës dhe njëkohësisht organizator i këtij takimi, Shukri Jahiu theksoi nevojën që kanë trevat shqiptare për politika punësimi dhe arsimimi, që të mund të dekurajojnë fenomenet e asimilimit apo largimit të të rinjve shqiptarë prej tyre.
    “Problematikat tona janë të mëdha në aspektin e punësimit, në aspektin e rinisë, në aspektin e mënyrës së gjetjes sesi ne, si shqiptarë, të bëjmë të mundur të qëndrojmë në ato treva dhe të mos asimilohemi, siç po na ndodh neve në Luginë të Preshevës dhe më pak në Mal të Zi. Duhet të gjejmë mekanizmat që shqiptarët jashtë kufirit të rrinë në trojet e tyre dhe të vazhdojnë traditën e të parëve tanë, të mos shkojnë drejt degradimit dhe asimilimit.
    Tashmë në Shqipëri është hapur një risi e re sa i përket Arsimit Profesional, ndërsa ne në Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi nuk i kemi këto mundësi. Është një mundësi dhe një gjetje që do të na ndihmonte shumë ne të rinjve që të përqendrohemi tek Arsimi Profesional dhe të kemi një mundësi më shumë për të marrë një zanat dhe profesion për nesër, kur të dalim në jetë”, – tha Jahiu.
    Këtë e ka bërë të ditur sot, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, gjatë një bashkëbisedimi që pati në kuadër të aktiviteteve për 25-vjetorin e Ditës së Rinisë me të rinj shqiptarë nga trevat e Preshevës dhe Malit të Zi. 
    Sigal