Arshin Xhezo: Vexhi Buharaja, i penguar dhe i fyer

1324
Në vitin 1986, kur punoja në gazetë, më erdhi një letër jo e zakonshme. E dërgonte Vexhi Buharaja. ishte një zarf i madh, që ndryshonte dukshëm nga të tjerët, ata me format të vogël, të zakonshmit, që ti i dalloje menjëherë se brenda do të kishte ndonjë ankesë qytetari për shtëpi apo punë – rutinë për çdo redaksi gazete. Duke mbajtur në dorë atë zarf, provova një ndjesi të veçantë. Vexhi Buharaja ishte tepër i njohur për mua: i qytetit, i lagjes, i rrugicës. Madje, familjet tona, nga më të vjetrat e qytetit, kishin hyrje-dalje me njëra-tjetrën, kurse ai vetë, – mik me tim atë. Por unë, i larguar herët nga qyteti, menjëherë pas gjimnazit, e kisha takuar shumë rrallë, ndryshe nga shokët e mi të fëmijërisë që banonin atje. Më shpesh takohesha me të në kujtimet e mia. Fëmijë – nëntë apo dhjetëvjeçar – im atë më dërgonte tek shtëpia e tij për të marrë apo çuar libra. Thoshin se biblioteka e tij ishte më e madhe edhe se ajo e qytetit. Librat që merrja ishin kryesisht në gjuhët persisht, arabisht e osmanisht dhe mua më dukej e njëjta gjuhë dhe të njëjtët libra, si Kur’an-i. Dhe kjo ishte arsyeja që ndaj tyre isha krejt indiferent, për të mos thënë që as ua hidhja sytë. ishte ai mentalitet megaloman dhe snob, që, për fat të keq ekziston edhe sot, i cili, kulturën, letërsinë dhe qytetërimin modern i sheh si monopol të Perëndimit. 

Më së paku, harrohet se ata që bënë Shqipërinë, rilindësit e mëdhenj, Naimi, Samiu apo themeluesi i Pavarësisë, Ismail Qemali, ishin me një kulturë të kompletuar nga të dy anët e globit. Ndërkaq, Fan Noli, orientalisti i madh, i ka dhënë kulturës dhe letërsisë shqipe kryevepra të Orientit përmes shqipërimeve prej mjeshtri. Po të kisha mend në atë kohë, me dy mësues jo dosido – njeri në shtëpi, tjetri, pesë-gjashtë porta poshtë rrugicës sonë – të paktën njërën nga këto gjuhë, sot do ta kisha në xhep. Një ditë më dha librin Gjylistani dhe bostani të Saadiut, një shqipërim i tij. Sapo ishte botuar – ma dha për tim atë – dhe sot atë libër e ruaj si një gjë të shtrenjtë. Kishte dhe një arsye tjetër që më befasoi ai zarf. Vexhi Buharaja dhe familja e tij ishin të deklasuar: ky ishte termi klasik për armikun. Eshtë e vërtetë se në vitin 1986 e më vonë, domethënë pas vdekjes së Enver Hoxhës, u ndje një lloj “zbutjeje” e regjimit. Por, “në bazë”, “poshtë”, ata që ishin në krye, ose e ndienin pak këtë “zbutje”, ose nuk e donin. Kurse Vexhi Buharaja vetë, i regjur me “ulje-ngritjet” e politikës, i kishte të gjitha arsyet të ishte dyshimtar i përjetshëm, ose, të mos u besonte fare. Ajo që nxora nga zarfi ishte një tjetër befasi. Nuk ishte as letër, as ndonjë artikull, por një studim i tërë, plot 25 faqe: Një vështrim panoramik mbi të kaluarën e lagjes “Muratçelepi” (sot “Çlirimi”), të Beratit. Në fund: Vexhi Buharaja, Berat, muaji korrik, 1979. Historia e lagjes sime! Një të tretën e faqeve e zinin referencat dhe shpjegimet. Sigurisht, shkruante shkencëtari. Edhe letra nuk ishte e zakonshme. Gati me përmasat e A-4-ës së sotme, por një letër më tepër se e verdhë, dhe dukej si e lënë në diell vite të tëra. Kjo, për kushtet dhe mundësitë e tij, nuk duhej të të habiste. Gati dy vite më vonë, një miku im dhe i tij në Berat, më tregoi dorëshkrimin e përkthimit të Shah-Name-së të mjeshtrit, shkruar me laps kopjativ, dhe në një letër të trashë – faqe blloqesh me katrorë – nga ata, që në vitet 1950 përdoreshin në magazinat e ndërmarrjeve të ndërtimit, për shembull, për inventarë apo bordero – listat e pagave të punëtorëve. 

Dorëshkrimi i Vështrimit panoramik ishte i shtypur në makinë shkrimi – me siguri, me ndihmën e ndonjë shoku a miku. Pse ma dërgoi?! Të botohet?Në letrën shoqëruese, që për fat të keq nuk e kam ruajtur, kujtoj se kishte fjalë të mira për tim atë – që atëherë nuk jetonte më – por dhe ndonjë fjalë të mirë për mua, djalin e mikut tim, Mehmet Xhezo, që sigurisht më gëzoi shumë – bashkë me urimet. Thoshte gjithashtu se, megjithëse, sipas tij, unë e njihja historinë e lagjes, sepse e kisha lagjen time, po ju dërgoj. . . etj. etj. Në të vërtetë, gjer atëherë, kisha përshtypjen, se e njihja disi historinë e lagjes sime, por pas leximit të Vështrimit panoramik. . . të tij, mora vesh, se nuk e njihja hiç. Pse ma dërgoi?! 25 faqe studim nuk mund të botohej në një të përditshme me katër faqe gjithsej, dhe ai e dinte këtë më mirë se unë, siç dinte më mirë edhe shkaqet e tjera: politike, që ai dhe familja e tij i kishte vuajtur dhe akoma i vuante mbi shpinë. Kujtoj se e lexova dy-tri herë letrën shoqëruese dhe ai nuk kërkonte që studimi të botohej në gazetë. Ai nuk kërkonte asgjë. Por, pikërisht se ai nuk kërkonte asgjë, ideja e botimit nuk më ndahej. Ndoshta, i mësuar që herët me kthimin e dorëshkrimeve, me refuzimin e botimit, me censurën, ai ishte mësuar të mos kërkonte asgjë.

Mesa dukej, më mundonte ideja se, në thelb, pavarësisht logjikës së ftohtë, edhe unë ndihesha si refuzuesit e tjerë. Ai nuk kërkonte asgjë, sepse atij nuk i lejohej edhe të kërkonte; e kishte të ndaluar të kërkonte. Vexhi Buharaja ishte autor i ndaluar dhe emri i tij ishte në sirtarët me mbishkrimin rezervat, apo ndalohet përdorimi. Të dukej çudi, madje, që i vetmi botim i tij, përkthimi mjeshtëror i Gjylistanit dhe bostanit të Saadi Shirazit, ishte lejuar të botohej në vitin 1960. Mesa dukej, dilema të botohet, të mos botohet historiku i lagjes, ishte edhe pengu dhe ndjesa: unë nuk kisha bërë asgjë për të. Prisnim të ikje, që të dinim ç‘humbëm – është një varg nga një poezi e Visar Zhitit për të. Edhe në shkurt të këtij viti, kur miku im, Shaban Sinani, i entuziazmuar nga Vështrimi panoramik i Vexhi Buharasë – e shikonte për herë të parë – më kërkoi ta botonte si pjesë të librit të tij Berat-Beratinus-Buhara, nuk pata asnjë ndjesi lirimi apo shkarkese. Nuk isha unë që po e botoja, por tjetërkush. Qoftë edhe miku im. Borxhi yt nuk shlyhet nga askush tjetër. i jam mirënjohës mikut tim, por, në thelb, nuk ndryshon asgjë. Raporti im me borxhin mbetet i njëjti, dhe bashkë me të mbetet edhe pengu, edhe ndjesa. Me sa duket, mbetet të ngushëllohem me kujtimet e fëmijërisë. Duket absurde, por është e vërtetë se vetëm të vegjlit dhe pleqtë bëjnë pyetjen pse, domethënë pyetjen që kërkon shkaqet, thellësinë – kurse të rriturit, për paradoks – të kundërtën: pyetjen si, që kërkon sipërfaqen. Më vonë, edhe unë u mësova të bëja vetëm pyetjen si. Por, në atë moshë, 7-8 vjeç (duhej të ishte mesi i viteve 1950), u habita shumë pse më 5 maj, në Ditën e Dëshmorëve, përpara lapidarit nuk u recitua vjersha për Margarita Tutulanin e Vexhi Buharasë, që dinim në shtëpi dhe në lagje, por një tjetër, që ishte bërë në Tiranë – nuk di nga kush. Nga vjersha jonë, që thoshim përmendësh në shtëpi dhe në lagje, mbaj mend vetëm dy strofa: 
Zbardhi shpata, u nxi dita,
Ra një trup, u ngrit një emër,
Ra dëshmore Margarita,
Doli burri nga një femër. 
Nëno, moj, pusho ti lotin,
Nuk ka vdekur ndënë dhetë,
Është gjallë, moj, për Zotin!
Po shkrep zjarre përmbi retë. . . 

Pse nuk u recitua vjersha jonë?!
Përgjigjen, pse-në, e dinin të gjithë në lagje dhe në qytet, por askush nuk iu përgjigj. 
Vexhi Buharaja kishte rënë në burg dhe ishte bërë me biografi të keqe. Formulimi ra në burg, që përdorej më shpesh në lagje, dukej krejt pa kuptim, sikur ti, gabimin, fajin e kishe bërë aq pafajësisht e padashur, sikur natën mund të bije në një gropë, që as e kishe vënë re që ndodhej te këmbët e tua. Besoj, se kjo shprehje përdorej si një “e mesme”, apo si një lloj eufemizmi për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm. Për shembull, formulimin e futën në burg mund të ta merrnin kur të duash sikur gjoja, e futën kot. Por edhe shprehja tjetër hyri në burg mund të dukej si karshillëk i atij që kishte folur apo kishte ngritur dorë kundër qeverisë. ishin shprehje të ngjashme me kur hynë këta, apo këta qenkan lidhur me rusin, që me këta nënkuptonte qeveritarët e rinj, por ti i dëgjoje vetëm në ambiente të mbyllura e me zë të ulët, dhe, përemri i çuditshëm këta dukej sikur nuk i drejtohej askujt. Në kohë të vështira e delikate duhej maturi, se mund të të ikte koka edhe për një fjalë goje… Vexhi Buharaja ra në burg, sepse bashkë me intelektualin tjetër Todi Sotira përzgjodhën disa libra nga autorët më në zë të botës, të cilat ishin grumbulluar nga bibliotekat e familjeve të sekuestruara dhe do të asgjësoheshin. Dënohet me burg politik deri në vitin 1948. Libri dhe dija do të bëheshin metafora e kalvarit të jetës së tij. Dënimin e kreu pranë Kënetës së Maliqit, atje ku në ato vite vuante burgun edhe studiuesi Arshi Pipa, që më vonë u arratis; si dhe shkrimtari i njohur Mitrush Kuteli, të cilin një ditë e lanë orë të tëra të futur për së gjalli e për së gjati nën dhè, nën gajasjet e gardianëve. Cilat ishin krimet e Vexhi Buharasë, që fshiheshin në rezervatet sekrete dhe për përdorim të brendshëm?Vonë, shumë vite më vonë, privilegji që më jepte profesioni i gazetarit, më dha edhe çelësin për të hapur disa sirtarë rezervatesh, ku zbulova jo vetëm pse në Ditën e Dëshmorëve për Margarita Tutulanin nuk recitohej vjersha jonë, po ajo e Tiranës, por edhe se Vexhi Buharaja ishte poet i vërtetë, dhe kishte shkruar vjersha edhe për “Margarita” të tjera, të bukura, në kohë paqeje, dhe po me aq art, dashuri e dhimbje: 
Me sytë e mi mbufatur, mbi varr të saj qëndrova
Në der’ ku lyhet jeta, me lot, me gjak, me vrerë,
Trokita mos ma nxirrnin ta shihja dhe një herë,
Atë që dashurova. 
Siç edhe vetë mund ta merrja me mend, njëra nga arsyet pse vjersha jonë për Margaritën nuk recitohej në Ditën e Dëshmorëve, ishte se vjersha për Margaritën tjetër dhe vjersha të tjera ishin botuar në gazetën Tomori, që konsiderohej e qeverisë, domethënë e pushtuesit. Ky nuk ishte shkak, por sebep, sepse, thjesht, ishte kriter jashtë letrar. Ndërkaq, kjo vërtetohej edhe nga fakti, se vjersha për Margaritën tonë i kushtohej një vajze dëshmore me bindje komuniste dhe një udhëheqëseje të Luftës Nacionalçlirimtare, pra,e jona ideologjikisht. Gjithashtu, nuk ishte botuar në gazetën “Tomori”. Atëherë, cili ishte krimi i vërtetë?
Ka pasur shkrimtarë, të cilët, edhe, duke mos bërë krushqi të drejtpërdrejtë me armiqtë e betuar të vendit, kanë kënduar si gjinkalla në lemë yjtë, hënën, zambakun, etj. Këta janë shkrimtarët e “artit për art”. . . Tani, s’është puna vetëm t’u tregojmë vendin, por edhe të shuajmë gjurmët e tyre. . . Shkrimtarët tanë duhet të marrin shembull nga literatura sovjetike. . . Shkrimtari ynë do të gjejë në fytyrat e udhëheqësve të kësaj lufte të pashembullt të popullit shqiptar, sintezën e të gjitha virtyteve të larta që ruan populli ynë, dhe do t’i bëjë këta shembull të pavdekshëm për brezat e ardhshëm. 
Oferta për shkrimtarët dhe artistët shqiptarë ishte krejt e hapur, dhe secili iu përgjigj sipas vetes. Në librin “Gjylistani dhe bostani” të shqipëruar mjeshtërisht nga Vexhi Buharaja është edhe një poezi, me titullin S’jam lypës:
“-O Saadi, më thonë bota, pse jeton në varfëri
Ke burime. . . që s’të lenë që të heqësh lemeri. 
Ti me vjershën mbretërore more bujë si një mbret,
Pse të shtypin kështu, vallë, breng’ e vuajtje pa kufi?
Kaq mbretër të lëvdojnë, kaq visare po të vijnë,
Nuk e di se pa visare, do të kesh lotë edhe zi?
-Shumë thonë se skifteri rron më mirë se simurgu
Ai, kërma ha përditë, ky,- të ndot s’qas në gji. 
S’do të ndodhë kjo tek unë, tek sovranët s’do të shkoj,
S’do të endem nëpër portat, si lypsari duaxhi. 
“Dhe gjilpërën po ta lypësh, sikur ule përmbi gjemba,
Çdo e lypur nëpër mbretër është turp e lebeti”
Vexhi Buharaja edhe gjuhën ruse e njihte shumë mirë – e mësoi në burg – dhe mund të jetonte si mbret e të mos hiqte lemeri, edhe pa shkruar vjersha të drejtpërdrejta me lajka për mbretin (si shokët), por thjesht, duke përkthyer disa vjersha të poetëve sovjetikë për Stalinin dhe Leninin (si shokët). Vexhi Buharaja është nga tepër të rrallët poetë e krijues shqiptarë, që nuk shkroi asgjë për kohën e Partisë (si shokët), as për Partinë dhe Enver Hoxhën (si shokët). Ç’thoshin rezervatet sekrete për veprat e tij, dhe cilat janë ndër kryesoret? Vexhi Buharaja, i lindur poet, ka shkruar poezi qysh në moshën 15-vjeçare. Në poezitë e para që ka botuar: Dua të jem flutur, Shiu, Mbi varr të saj, Poetit Lasgush Poradeci, Margaritës, apo Përpara Tomorit (me të cilën fitoi çmim të parë në një konkurs kombëtar), ndihet një shpirt delikat dhe i bukur, në një varg paqësor dhe plot humanizëm, të ndikuar nga romantizmi dhe letërsia e Rilindjes Kombëtare, e kryesisht nga Naim Frashëri apo Lasgush Poradeci, të cilit i këndoi. Por, padyshim, ndikim të madh patën tek krijimtaria dhe vetë formimi i tij, poetët e mëdhenj persianë, humanistët Saadi Shirazi, Firdeusiu etj. Më vonë, dashuria dhe pasioni i tij u bënë shqipërimet. 

Poet, filolog, orientalist, historian por edhe teolog (para diplomimit për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, ai kishte mbaruar Medresenë e Përgjithshme në Tiranë) Vexhi Buharaja ishte poliglot. Njihte shumë mirë gjuhët anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rusisht, por, padyshim, edhe persishten, arabishten dhe osmanishten, sepse i kishte gjuhët e tija, trashëgim familjar: i ati, gjyshi, stërgjyshi, breza me radhë, e flisnin dhe e shkruanin shumë bukur gjuhën persiane – si në Buhara, nga u mbeti edhe mbiemri. Në fillim të viteve 1940 emri i Vexhi Buharasë u bë i njohur, dhe ministri i arsimit i kohës, atëherë shkrimtari Ernest Koliqi, i propozoi një bursë në Itali për orientalistikë. Nuk shkoi dot. Për shkak të disa problemeve familjare la edhe Tiranën dhe u kthye në vendlindjen e tij, në Berat. Siç dihet, vepra të botuara të tijat janë: Gjylistani dhe bostani i Saadi Shiraziut (1960), dhe Shah-Name-ja e Firdeusiut (2001, 2010). Vexhi Buharaja ka përkthyer jo pak poezi e letërsi me frymëzim fetar, por shumica e përkthimeve të tij janë letërsi laike, dokumente të historiografisë shqiptare, etj. Nga persishtja dhe turqishtja përktheu Endërrimet dhe Katër stinët të Naim Frashërit, dramën Besa të Sami Frashërit, veprat Kozmogonia dhe Psikologjia të Hasan Tahsinit, 12 dokumente të Pavarësisë Kombëtare, letërkëmbime të Ismail Qemalit, pjesë në prozë e poezi të poetit turk Teufik Fikret, dokumente të historiografisë shqiptare etj. Kurse përkthimi i një numri të madh mbishkrimesh turko-arabe të xhamive, etj. është një kontribut tjetër i madh i tij. Për mua, – shkruan Lazgush Poradeci, – dy janë më të mëdhenjtë në përkthimet nga persishtja në gjuhën shqipe: i madhi Fan Noli në Amerikë dhe i madhi Vexhi Buharaja në Berat (Po pas Vexhi Buharasë, a është orientalistika, së paku, në nivelet e traditës?). Ndërkaq, ato që veçohen vetiu në veprën e tij janë studimet, ku shfaqet kultura e gjerë, njohja e thellë e historisë së vendit dhe rigoroziteti shkencor: Vështrim panoramik mbi të kaluarën e lagjes “Muratçelepias”, Shkollat e para të qytetit të Beratit, Kuvendi i Sinjës dhe memorandumi i tij.

Mbi rezistencën shqiptare kundër sundimit osman, Jeta dhe vepra patriotike e islam Vrionit etj. Ka edhe një gjini tjetër veprash – ta padukshme – që e bëjnë tepër të veçantë personalitetin e tij krijues; në çdo studim dhe shqipërim të tij do të gjesh një det shënimesh apo shpjegimesh. Pikërisht kjo veçanti tërhoqi vëmendjen e prof. Eqrem Çabejt, i cili, pasi lexoi shqipërimin e Gjylistanit dhe bostanit, tha se mjaftonte dhe vetëm studimi hyrës, shënimet shpjeguese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore. Sapo i hapej pak dera – më saktë dritarja – e kontaktit me botën veprës së tij (atij vetë, të penguarit – kurrë), tërhiqte menjëherë vëmendjen e studiuesve të huaj. Një i tillë ishte dhe profesor Franz Babingeri i Universitetit të Berlinit, gjuhëtar i shquar (konsiderohet edhe orientalisti më i madh i shekullit XX), i cili u entuziazmua, nga kompetenca shkencore e Vexhi Buharasë. Më vonë, Vexhi Buharaja do të kishte edhe letërkëmbim me prof. Babingerin. Veprat e Vexhi Buharasë, krijime origjinale apo shqipërime, janë të gjitha për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare dhe jo për politikën e ditës. Dhe ai ishte krejt i ndërgjegjshëm se për këtë duhej të paguante. Ai dhe familja e tij. Vexhi Buharaja u ndalua, por edhe u fye. Pas burgut, tanimë me biografi të keqe, atë e caktuan në punë nga më të rëndomtat. ishte, vërtetë e trishtueshme kur, përtej dritares së klasës – atëherë ishim në klasën e parë gjimnaz – e shihnim përditë: tanimë as me kostum e kravatë, as me veshjen e bukur të klerikut, por me kazmë e lopatë në duar dhe duke fshirë herë pas here djersët, ai nxirrte zhavorr tek Gropa e Zhurrit, rrëzë Kalasë, që e kishim përballë dritareve të klasës. Ne e shikonim dhe nuk flisnim, sepse kishim edhe një arsye tjetër. 

Në klasë kishim edhe vajzën e Vexhi Buharasë, Myzejenin, dhe instinktivisht e ndienim se çdo fjalë e gjest yni, do ta bënte të ndihej keq. Ca kohë më vonë e hoqën nga Gropa e Zhurrit dhe gjoja e lehtësuan, por, në të vërtetë e fyen dhe më tepër: e caktuan në një nga rrojtoret e qytetit, të priste biletat e klientëve. Jo vetëm ne, më të vegjlit, por të gjithë e kishin siklet që, kur hynin në rrojtore për t’u qethur apo për t’u rruar, t’i afroheshin tavolinës ku rrinte Profesori. Vexhi Buharaja tani nuk ishte më as poet, as shqipërues, as studiues, as teolog. Fjalëtmagjike, i deklasuar, i prekur e kishin zhveshur dhe shpronësuar nga ato. Megjithatë, ai dinte ta ruante lirinë e vet të brendshme nën çdo lloj veshjeje dhe nën çdo lloj detyrimi. Por edhe qytetarët e Beratit e deshën dhe e nderuan gjithë jetën të prekurin Vexhi Buharaja. Veçanërisht vdekjen, varrimin e tij, në korrik të vitit 1987, e kthyen në një manifestim të jashtëzakonshëm nderimi. Gjithë qyteti, mijëra vetë, të mëdhenj e të vegjël morën pjesë në kortezhin dhe në varrimin e birit të madh të qytetit, dhe arkivoli me trupin e tij nuk u vu në makinën e komunales. Gati tre kilometra, nga shtëpia e Vexhi Buharasë deri në varreza, qytetarët e mbajtën me duart e tyre të ngritura lart, në majat e gishtave. Ngjante me një kortezh dashurie, dhimbjeje, por edhe proteste dhe pengu. 
Sigal