Arroganca e Ministrisë së Finacave penalizon shoqëritë transportuese të linjave ndërkombëtare

842
Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Udhëtarëve ka më shumë se 2 vjet që po penalizohen nga Ministria e Financave, pasi ata u kërkojnë operatorëve shqiptarë me rezidencë në Shqipëri, që të pajisin udhëtarët e tyre kur vijnë nga shtetet e tjera, psh, nga Athina në Shqipëri me bileta shqiptare, dhe jo me bileta greke. Por, kjo është e pamundur, pasi operatorët e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, me rezidencë në Shqipëri (të regjistruar si subjekte tatimore në Shqipëri) janë të detyruar që kur nisen nga vendi i origjinës (vendnisja) përshembull, Athina, të pajisen me bileta greke, sipas ligjeve të shtetit grek. 
Ngërçi ligjor, që penalizon shoqëritë rezidence shqiptare
Kujtim Hashorva, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës të Transportuesve Ndërkombëtarë të Udhëtarëve shprehet për gazetën “Telegraf” thotë: “Ministria e Financave po na penalizon, na gjobit nëse operatorët tanë, që kanë vendorigjinën e nisjes Athinën, presin bileta greke dhe udhëtojnë për në Shqipëri. Nëse tatimorët në Shqipëri i gjejnë udhëtarët tanë me biletë, atëhere na gjobitin rëndë, sepse na kërkojnë bileta shqiptare. Mirëpo neve, jemi të detyruar nga shteti grek, që kur kemi vendorigjinë nisje Athinën, të presim bileta greke. Në ato raste kur dikush nga ne guxoi dhe preu bileta shqiptare, kur u nis nga Athina, është gjobitur shumë rëndë nga shteti grek. Kemi marrë gjoba me 12.000 euro, me 11.000 euro, me 5.000 nga pala greke, vetëm e vetëm sepse premë bileta shqiptare nga Athina, për të zbatuar vendimet e MF të Shqipërisë. Ndërsa shteti grek na lejon që të udhëtojmë në Greqi me bileta shqiptare, kur ato janë prerë në Shqipëri. Përse shteti shqiptar nuk na lejon, në analogji, siç bën shteti grek? Kemi kërkuar të gjëjmë zgjidhje, në këto 2 vjet, por askush në Ministrinë e Financës nuk do të na dëgjojë, ndërkohë që përditë jemi në mëshirë të gjobave. Kemi biseduar edhe me ministrin Cani disa herë dhe ai na ka dhënë të drejtë, na ka premtuar zgjidhje, por deri tani, asgjë. Nuk na ka thënë asnjë, që ne nuk kemi të drejtë.”. 
Arroganca ministrore
Komiteti i Përbashkët midis ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë dhe ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit të Greqisë kanë nënshkruar 2 protokolle, midis tyre në 2009 dhe së fundi në 13-14 .11.2014 dhe ndër çështjet e tjera që kanë nëshkruar për bashkëpunim ka qënë psh në protokollin e datës 13-14 nëntor 2014, Çështja 4 pika 2, thuhet; “lidhur me përcaktimin e një procedure korrekte të lëshimit të biletave, si edhe me çështjen e një tarife të sheshtë speciale, të imponuar nga Dogana Greke, për trasportuesit e vendeve jo anëtare në BE, që operojnë në linja të rregullta ndërkombëtare të autobuzëve që hyjnë në territorin grek, Ministria e greke e Financave, po përgatitet mbi çështjen dhe pala shqiptare do të informohet”. Kjo marrëveshje është firmosur nga pala shqiptare nga Arjan Korpa, Drejtor i Përgjithshëm i Standarteve dhe Monitorimit në Ministrinë e Transporteve. Në kontaktin që kishim me zotin Korpa për shqetësimin e shoqatave të Transportuesve shqiptarë, ai na pohoi që problemi është shqetësues, ata kanë të drejtë dhe ministria e Transporteve i ka përcjellë një kërkesë për zgjidhjen e problemit, mirëpo Ministria e Financave ende nuk është përgjigjur. Pra, edhe zoti Korpa, edhe pse e pranon problemin që është shqetësues për shoqatat e transportuesve ndërkombëtarë të të udhëtarëve, mjaftohet me përcjelljen burokratike të letrës te ministria e Financave dhe nuk interesohet më për zgjidhje, edhe pse ai është nënshkruesi i protokollit të bashkëpunimit Shqipëri-Greqi! Dhe kjo shoqatë ka shumë probleme që pala shqiptare nuk i ka zgjidhur, sikurse lejet 3 mujore për shoferët për hyrje-dalje me Greqinë, për përdorimin e patentave, etj, për të cilat gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm, Korpa nuk e ka vënë më ujët në zjarr, për të ndihuar bizneset që janë në varësi të tij. Ministria e Financave, duke u mbështetur në lloj-lloj ligjesh, e duke shpërfillë plotësisht Vendimin e Këshillit të Ministrave numër 643 datë 11.6.2009, pika 9. 
Ministria e Financave keqintepreton VKM numër 643 datë 11.6.2009, por favorizon operatorët grekë
Mirëpo ky vendim i KM zbatohet me dy standarte nga Ministria e Financave duke penalizuar e terrorizuar shoqëritë residence shqiptare, pasi i detyron ato detyrimisht që tëp resin bileta shqiptare edhe kur vendorigjina e nisjes është Athina, duke keqintepretuar VKM numër 643, me “itinerarin e kthimit”. Së pari, itinerari i kthimit, sipas VKM është kur një udhëtar pret biletë vajtje-ardhje nga Tirana-Athinë-Tiranë, atëhere, kjo biletë e prerë në Tiranë, është e vleshme. Ndërsa Athinë-Tiranë- Athinë, ose Athinë-Tiranë, nuk është itinerar kthimi, siç përcaktohet në VKM numër 643, sepse vendorigjina e nisjes është Greqia, dhe aty operatorët e transportit ndërkombëtar janë të detyruar të zbatojnë ligjet e shtetit grek dhe jo ato të shtetit shqiptar. Kështu në një VKM të Greqisë, datë 2 shkurt 2013, numër protokolli D12B, 1604 EX 2013, ndër të tjera, në nenin 5 pika B thuhet: “Lëshimi i biletave brenda territorit grek do të bëhet detyruimisht nga zyrat turistike greke, ose nga transportuesi bashkëpunues). 
Evazioni fiskal i operatorëve grekë në Shqipëri me fajësinë e Ministrisë së Financave
Politika me 2 standarte e Ministrisë së Financave është se ndëshkon dhe terrorizon operatorët shqiptarë, përse nuk pajisen me bileta shqiptare, kur ata nisen nga Athina, e ndërkohë, lejon operatorët grekë, që të udhëtojnë në Shqipëri me bileta greke, por edhe më keq. Ministria e Financave lejon operatorët grekë që të presin bileta greke edhe kur nisen nga Shqipëria, duke u lënë shteg edhe për evasion fiskal. Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Udhëtarëve i është drejtuar Ministrisë së Financave që më datën 01.02.2014, sërish në datën 22.06.2015, për të zgjidhur ngërçin me biletat greke, që MF nuk i lejon të udhëtojnë nga Athina në Tiranë, mirëpo përgjigje nuk kanë marrë. Ky është absurditeti ligjor i ministrisë së Financave! Të paktën Ministria e Financave duhet të ndjekë, në bazë të protokollit të përbashkët me Greqinë, të ndjekë rregullin e reciprokitetit. Domethënë, nëse shteti grek u njeh të drejtën shoqatave të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve të qarkullojnë me biletë shqiptare, kur vendi i origjinës së nisjes është Shqipëria, atëhere edhe shteti shqiptar duhet t’u njohë këtë të drejtë, po këtyre subjekteve që të kenë biletën e udhëtimit, kur vendi i origjinës së nisjes është Athina. 
Irena Beqiraj, zvministre e MF për “Telegraf”: Nuk i lejojmë me bileta greke në Shqipëri”
E pyetur nga gazeta “Telegraf” për kërkesën e vazhdueshme të Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë të Udhëtarëve ndaj Ministrisë së Financave për zgjidhjen e problemit, zvministrja e MF, Irena Beqiraj, pohoi se MF përgatit një letër përgjigje (pas 1 viti e ca pritjeje), por zgjidhja, siç pohon zvministrja Beqiraj për gazetën “Telegraf” është e thjeshtë nga MF: Nuk do t’i lejojmë shoqatat e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, me rezidencë në Shqipëri që të hyjnë në Shqipëri me fatura, por edhe ata të lëshojnë një faturë për shoqërinë greke për shërbimin që u afrojnë. Ato që bën shoqata është klering pa faturë tatimore, pavarësisht se ata janë në një marrëveshje, që mua më ka ardhur, por nuk ka asnjë të dhënë për pjesën e fiskut. Shoqata shqiptare duhet t’i afrojë një pjesë të shpenzimeve operatorit partner grek, që për palën shqiptare janë të ardhura, ndërsa për kompaninë greke janë shpenzime. Ne duam që të ardhurat që merr kompania shqiptare në Greqi të tatohen këtu, dhe anasjelltas. Ky është ligji bazë i ligjit fiskal. Kjo është e vetmja zgjidhje ligjore.” Zv ministrja e Ministrisë së Financave, Irena Beqiraj, nuk e shikon fare të nevojshme që të konsultohen ata me kolegët e tyre grekë dhe të gjejnë bashkarisht një zgjidhje në të mirë të të gjithëve, të biznesit dhe shtetit, por, si gjithnjë, me arrogancë, detyrojnë bizneset t’u nënshtrohen gjobave, ose të mbyllin aktivitetin. Nuk ka zgjidhje tjetër. 
Nelson Hicka për “Telegraf”: VKM numër 643 datë 11.9.2009 nuk thotë që biletat të jenë shqiptare 
Nelson Hicka specialist kontabiliteti, në prononcimin për “Telegraf”, shprehet se zvministrja e MF Beqiraj nuk shpreh vendimin e VKM numër 643 datë 11.9.2009, sepse ky vendim nuk kërkon që biletat nga Greqia të jenë shqiptare edhe për operatorët shqiptarë. Pastaj, ka 2 vjet, përse MF nuk e ka zgjidhur problemin, në bazë të marrë2veshjes protokollarë të 2 vendeve për Transportin Ndërkombëtar të Udhëtarëve, kur ndërkohë ndëshkon biznesin me gjoba?
Sigal