Arrestimi i Doshit e Frrokut, BE- SHBA: Prokuroria të bëjë detyrën

467
TIRANE – Ka reaguar lidhur me arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku edhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin duke kërkuar që tu lihet organeve të drejtësisë të bëjnë punën e tyre.
E pyetur gjatë një aktiviteti në Qendrën e informimit të BE-së në Tiranë lidhur arrestimin e ligjvënësve dhe nëse kjo ndihmon në ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së, Vlahutin kërkoi që çështja të mos komentohet.
“E rëndësishme është zbatimi i ligjit, që është dhe shtylla kurrizore. Ka institucione të shtetit, ka prokurori dhe të gjithë presim nga këto institucione të bëjnë atë që duhet të bëjnë. Nuk mendoj se duhet të komentojmë, por t’i lëmë institucionet të bëjnë detyrën e tyre”, – ka thënë Vlahutin.
Ambasadorja e BE-së ishte e pranishme në publikimin e “Studimit kombëtar mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë – Perceptime dhe Realitete”, ku merrnin pjesë edhe ministrja e integrimit europian Klajda Gjosha dhe përfaqësues të Fondacionit të Shoqërisë së hapur në Shqipëri. 

Ambasada e SHBA: Institucionet gjyqësore të përmbushin përgjegjësitë e tyre
Në deklaratën e saj, Ambasada e SHBA-së rithekson qëndrimin e saj për largimin nga politika shqiptare të të gjithë personave të inkriminuar apo të korruptuar. Ambasada e SHBA-së po ashtu ka kërkuar nga Prokuroria dhe institucionet gjyqësore zbatimin e ligjit dhe zhvillimin e një procesi të rregullt.
Reagimi i Ambasadës së SHBA-së:
Sigal

Ambasada e Shteteve të Bashkuara rithekson deklaratën e saj të mëparshme, e cila bën thirrje që Prokuroria dhe institucionet gjyqësore të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të zbatuar ligjin dhe për të siguruar një proces të rregullt. Ne vazhdojmë të nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe mbështesim përpjekjet e kuvendit për të hartuar legjislacionin në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014”.