Arratisja e Kadaresë në Francë, një tragjikomedi me aktorët e Byrosë Politike

    844
    Sigal

    Si u arratis Kadare më 25 tetor me makinën e shtetit dhe i shoqëruar nga vetura e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve

     Ikja e Kadaresë ishte një komedi, që i shërbeu vetëm atij, për të shpëtuar nga përbuzja e njerëzve të thjeshtë. Kadare ishte padyshim një shkrimtar i madh, ku deri atëherë, personaliteti i tij, rivalizonte me servilizmin e tij, ndaj sistemit. Por ai tregoi se më në fund kishte guximin për t’u arratisur duke marrë me vete, edhe jastëkët e dhomës së gjumit. Atë ditë Kryeministri Adil Çarçani, kishte mbledhur ministrat e Jashtëm të Ballkanit në Tiranë, për të diskutuar mbi situatat e kohës.  Kadare iku në Rinas më 25 tetor me makinën e tij, por shoqërohej më pas nga makina e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agollit. Makina e Dritëroit shërbeu për transportimin e pllakave, sepse Kadare mori me vete të gjitha pajisjet e domosdoshme. Atë ditë ai dukej sikur nuk po nisej për një arratisje kundër diktaturës, por për të bërë lejen e zakonshme nëpër plazhet europiane. Në fakt në atë kohë, Kadare kishte një makinë personale madje edhe me shofer, të dhënë nga Komiteti Qendror, por për të ikur drejt Rinasit në 25 tetor atij i duheshin shumë makina. Prandaj, kërkoi edhe makinën e Dritëro Agollit, i cili ia dha menjëherë. Tanimë nuk përbën asnjë problem, por 22 vite më parë ishte krejt e paimagjinueshme që një shkrimtar si Ismail Kadare ta braktiste Shqipërinë, sidomos në ditët e vështira të vitit 1990. Veprimi ishte befasues edhe për vetë miqtë e tij, që ndoshta deri në atë çast nuk kishin kuptuar se ai mund të bënte një “arratisje” spektakolare. Për shumëkënd Kadare ishte njeriu i privilegjuar i regjimit, “me punë e rrogë të mirë” e me mundësi të pafundme për të shëtitur në botë me “vizën” e shtetit…Por Kadareja iku. Sepse e pa se ishte bërë mburoja e shtetit shqiptar, apo e krimeve të këtij shteti të tronditur.

    Arratisje apo ikje legale?!

    Në fund të vjeshtës ’90, arratisja e Kadaresë ka qenë një nga ngjarjet më të bujshme e të komentuara. Në të vërtetë, fjala ‘arratisje’ nuk është ajo e sakta. Ai u largua për në Francë në mënyrë legale, i pajisur me vizë të rregullt për veten dhe familjen, ashtu siç kishte ndodhur edhe më parë, sepse botimi i veprave të tij letrare tashmë ishin bërë një ngjarje kulturore që nuk mund të pengohej. Historikisht, edhe diktaturat më të egra janë detyruar të bëjnë lëshime para famës që figura të veçanta ia kanë dalë ta marrin në vende të tjera. Kjo tërheqje mund të ketë disa shpjegime, por gjithsesi dy mbeten kryesoret: E para, sepse ndonëse veprojnë me logjikën e sistemeve totalitare, propaganda e tyre përkundrazi predikon se pikërisht ky sistem përfaqëson një formë të përsosur demokracie, e cila i përgjigjet dëshirës e interesave mbarë popullore. Në këtë kontekst, këto regjime janë të detyruara që herë-herë të japin shenja tolerance dhe rasti më i mirë është të lejojnë e madje të nxitin artistë të veçantë që të afirmohen me veprat e tyre nëpër botë. E dyta, afirmimi e fama e tyre gjithashtu, besohet se do të ndihmojnë për krijimin e një imazhi më të mirë për vetë regjimin sepse, ja “a nuk u rrit ky gjeni në klimën të cilën ju e përflisni si ndrydhëse e mbytëse për lirinë e fjalës e për talentet?”. Kjo kozmetikë përdoret gjithmonë, me përjashtim të rasteve të veçanta kur regjimet shpallin programe fundamentaliste që sfidojnë sistemet shoqërore të botës demokratike.

    Opinioni

    Kadareja kërkoi strehim politik, por ky term që ishte deri diku i panjohur për shqiptarët, njehsohej lehtësisht me fjalën ‘arratisje’, dhe kështu ai merrte imagjinatën e njerëzve në ngarkesë emocionale më të madhe, vishej me rrezikun e aventurës që e kishin provuar mjaft njerëz ose që e kishin dashur shumë të tjerë, për ta varrosur pastaj… Kundërveprimi i parë, ai zyrtar po se po, por edhe ai i pashpallur, ishte negativ. Në sytë e njeriut të zakonshëm që nuk kishte qenë afër tij dhe që nuk mund t’i dinte dertet, hallet, atmosferën përgjuese që e rrethonte, Kadareja shihej si një njeri i privilegjuar. Vërtet, thuajse të gjithë e pranonin se ai e meritonte atë trajtim të veçantë që i bëhej, atë farë ‘komoditeti’ që shteti ia pat krijuar prej disa vitesh (apartament i gjerë, veturë…) por ama ç’kërkonte më tepër? Qytetari i thjeshtë që gjykon vetëm çastin, s’mund të akuzohet përse nuk arrin të shohë më larg. Sikur Kadareja ta bënte këtë veprim në një kohë tjetër, nja dy vjet më parë, kur njerëzve po iu vinte thika në kockë nga skamja dhe vizioni i së ardhmes ishte fare i zymtë, reagimi mund të kishte qenë tjetër: “Çua bëri mirë!” Mirëpo situata kishte ndryshuar. Ishte ngjallur një shpresë, shpresa e ndryshimeve për mirë. Njëri nga ata që me figurën e tij bëhej garant i kësaj shprese, ishte ai. Emri i tij, tashmë si një figurë politike e së ardhmes, si një Havel i Shqipërisë, qarkullonte nëpër valët e radiostacioneve të huaja. Studentët e dhjetorit e vunë emrin e tij në pankartat e demonstratave. Në atë kohë, ata nuk i dinin motivet e thella të largimit të Kadaresë. E shumta që mund të merrnin me mend ishte se një përpjekje e tij për dialog me Ramiz Alinë kishte dështuar. Largimi i tij që veniste disa shpresa, nga kundërshtarët e Kadaresë, shumë prej të cilëve kanë qenë shkrimtarë, shpjegohej si një shfaqje tipike e karakterit të tij të diskutueshëm: “Sepse ai, sa i madh është si shkrimtar, aq i vogël është si njeri”, komentonin me cinizëm kafeneve ish-kolegët e tij. Gjesti i tij u quajt i gabuar, i dënueshëm, së paku i qortueshëm edhe nga intelektualë të tjerë të njohur të diasporës, të Kosovës e deri në SHBA, që nga Rexhep Qosja e deri te Nikolla Pano. Tipik ishte qëndrimi i Adem Demaçit në një letër të hapur, ku pasi vinte në dukje meritat, arrinte në përfundimin se ky veprim ishte pak a shumë një dezertim nga llogoret e frontit të luftës për demokraci dhe më gjerë për çështjen kombëtare.

    Qëndrimi zyrtar

    Më 30-31 tetor 1990, në Korçë u mbajt një Konferencë e talenteve të reja ku pati diskutime e qëndrime të guximshme. Ato silleshin rreth së drejtës për të kritikuar hapur ato dukuri që tashmë nuk mund të fshiheshin, midis të cilave ishin edhe privilegjet e kastës që përkundër predikimit komunist të një barazie sociale, dëshmonin për shtresime të dallueshme. Ishte një sallë e elektrizuar e cila me vështirësi mund të drejtohej nga presidiumi. Vetëkuptohej, ngjarja e ditës që quhej Kadare, nuk mund të lihej mënjanë, aq më shumë në një auditor me letrar. Foto Çami, autoriteti më i lartë i partisë që merrte pjesë, e kaloi këtë situatë me një frazë telegrafike: “Akti është i dënueshëm, vepra mbetet”. Ky përfundim u prit e duartrokitje të gjata. Një ditë pas arratisjes, nga programet e RTV ishte hequr dramatizimi “Kush e solli Doruntinën”. Për tri ditë qëndrimi po ndryshonte. Në ditët e mëvonshme u duk se lart ishte vendosur që taktika më e përshtatshme do të ishte ajo e heshtjes dhe injorimit. Pas dy deklaratave në “Drita” dhe “Zëri”, shtypi nuk foli më. Një heshtje e plot u ngrit rreth intervistës së tij në “Le Mond” si dhe ndaj komenteve të radiove të huaja. Buletinet e ATSH që ishin për përdorim të brendshëm, megjithatë e botuan intervistën. Shkaku kryesor i largimit ishte zhgënjimi, shkruante. Zhgënjimi është më i keq se sa shtypja. Kjo donte të përforconte bindjen se kombi, atdheu që sipas propagandës ishin më të kërcënuar se kurrë nga armiqtë, kishin halle ku e ku më të mëdha se kokëçarjet që po ua sillte individi Kadare. Koha provoi se kjo taktikë i përngjiste asaj të strucit. Ikja e Kadaresë ishte shuplaka më e fortë që i jepej farsës që po vinte në skenë Ramiz Alia.

     Ramiz Alia: Kadareja më përcolli në aeroport

     Kadareja ka ikur kur unë isha në Kombet e Bashkuara. Domethënë, unë shkova në shtator të ‘90, bile në aeroport të Tiranës kur jam nisur, midis të tjerëve doli dhe Kadareja për të më përcjellë. Mos harroni, se në atë kohë ai ishte nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Pra, doli dhe me këtë funksion, siç kishin dalë dhe shumë të tjerë. Kjo ishte hera e fundit që u takova me Kadarenë në Shqipëri, se kur u ktheva nga Kombet e Bashkuara, pas një jave, mora vesh që Kadareja kishte ikur. Si e mora vesh? Më erdhi shumë keq. Më erdhi shumë keq dhe bile ishte një pabesi, e konsiderova një pabesi.