Arnauti Mehmet Ali Pasha, “Napoloni mysliman”

    585

    Faraoni i fundit – përkthimi i librit “Le dernier Pharaon” (Mehmet Ali Pacha) i shkrimtarit francez Gilbert Sinoué

    Sigal

     Përkthyer nga L.Rama – botimet Globus R.

     Parathënie

     Vjeshtë e vitit 2000. Sapo kishim zbritur brigjet e Aleksandrisë. Në ballkonin e një prej vilave të qytetit, duke vështruar nga kulla mbrojtëse buzë detit, Butros Ghali, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Frankofonisë filloi të më fliste për shqiptarin Mehmet Ali Pasha dhe bëmat e tij. Në fakt, shumë pak gjëra dija atë kohë rreth kësaj figure që origjina e lidhte me Shqipërinë dhe shqiptarët. Më të shumtën e kohës, Mehmet Ali Pasha kishte jetuar në Aleksandri, qytet që ende i ruante hiret e dikurshme dhe gjurmët e trashëgimisë faraonike dhe greko-romake : fari mesjetar me gurët gjigandë të fundosur në portin e vjetër, meduzat e kohës antike, amfiteatri, gjurmët e zbarkimit të Aleksandrit të Madh që themeloi këtë qytet, historia e bibliotekës së djegur Aleksandrina, tempujt dhe rrënojat bizantine… Kështu, vizitori udhëtonte nëpër shekuj, histori. Nga pallati i tij në Ras El-Tine, gati dy shekuj më parë Mehmet Aliu vështronte flotën e tij që ndërtohej në kantieret e portit dhe Aleksandrinë që rilindte për herë të dytë pas epokës legjendare të Aleksandrit të Madh. Stërgjyshat e Butros Ghalit, koptë të vjetër, kristianë të lashtë të kohës së faraonit, kishin bashkëjetuar me Mehmet Aliun, madje kishin qenë aleatë dhe pjesë e elitës së Kajros dhe Aleksandrisë. Pikërisht atë ditë në Aleksandri, kjo figurë e rrethuar me lloj -lloj historish, do të më tërhiqte gjatë udhëtimit nga Aleksandria në Kajro, drejt varrit të tij në xhaminë që ndërtoi që në të gjallë të vet, në kështjellën e vjetër të qytetit të ndërtuar nga Saladini apo lagjen Ezbekieh e gjer në pikëtakimin me librin e Gilbert Sinoué-së Faraoni i fundit.

    Kur shkon në Kajro, vizitori ndeshet me shumë surpriza interesante, që kanë të bëjnë me piramidat, mumiet, imazhet e Tutakahomit e Nefertitit, hieroglifet dhe muralet e vjetra mbi astronominë që përbëjnë një prej kalendarëve më të vjetër të njerëzimit. Janë gjurmët e një kulture mijwravjeçare, mbushur me mitologji dhe hyjni për njerëzit, diellin apo hënën. Për shqiptarët, veç këtyre dëshmive të kulturës së lashtë janë dhe dy surpriza të tjera: varri i Mehmet Aliut në xhaminë Mokattan dhe vendi ku është kryer masakra e famshme e mamlukëve, aty ku guidat turistikë, u tregojnë turistëve vendin e “kërcimit të mamlukut” apo legjendën e mamlukut të vetëm që shpëtoi gjatë kësaj masakre. Ishin shqiptarët që i dhanë fund tmerrit te mamlukëve në Egjipt. Kur je në Kajro dhe Aleksandri, kërkon në imagjinatë imazhin e asaj figure historike, fytyrën e të cilit e kemi parë veçse në një pikturë të Horace Vernet[1]. Kështu, me këtë imazh të krijuar për shqiptarin plak me çallmë dhe mjekër të bardhë, mund të udhëtosh me të drejt legjendës, pasi nuk është vetëm Mehmet Aliu, por gjithë dinastia që ai krijoi, dinasti që do të jetojë gjer në revoltën e vitit 1952 me shpalljen e republikës së Egjiptit. 

    Ato ditë në Kajro, duke u ndeshur me ato thesare të mëdha të njerëzimit, imagjinova një çast befasinë që kishte provuar Mehmet Aliu kur ishte gjetur përpara piramidave në Gizeh, para tempujve në Karnak, në nekropolet e Tebës apo në «luginën e mbretërve». Pas kthimit nga Egjipti kërkova menjëherë ta takoja shkrimtarin e njohur Gilbert Sinoué, autor i romaneve të njohura si Libri i SafiritEgjiptianiaVajza e NilitE purpura dhe ulliriAvicena apo rruga e Ipsahan-it, etj. Disa vite më parë ai kishte përjetuar aventurën pasionante të shkrimit të një biografie për Mehmet Aliun, tregtarin e duhanit nga Kavalla që fati dhe trimëria do ta përjetësonin në histori. Ne u takuam së bashku në një kafene të Champs-Elysées në Paris,  në “George V”, për të folur rreth atij që ai e cilësonte shpesh “njeriu nga Kavalla”  apo “shqiptari nga Kavalla”. Ishte i natyrshëm gëzimi im dhe i tij njëkohësisht që takohej me një shqiptar, dhe për më tepër të mësonte se vepra e tij do të përkthehej në gjuhën shqipe. Një bashkëbisedim, ku plekseshin kohërat, ngjarjet, emrat dhe ekspeditat e Mehmet Aliut në kërkim të burimeve të Nilit, betejat e famshme të Kadeshit apo Konjas, të Misolongjit e Navarinit. Padyshim ishte një nga adhuruesit e mëdhenj të Mehmet Aliut, i këtij personazhi të jashtëzakonshëm, i pranishëm dhe në romanin tjetër të tij “Egjiptiania”, historia e një Sheherazadeje në epokën e ngjitjes në pushtet të Mehmet Aliut.

    Në librin e tij të mrekullueshëm “Faraoni i fundit”, që është padyshim më i ploti ndër autorët perëndimorë, Sinoué nuk është marrë me pikëtakimin e Mehmet Aliut me botën shqiptare dhe Shqipërinë, kohë kur në Shqipëri, nën influencën e Revolucionit Francez, kishin filluar kryengritjet e para për shkëputjen e Shqipërisë nga perandoria osmane. Madje, një dekadë para këtyre revoltave të mëdha shumë prej shqiptarëve kishin marrë pjesë në betejat e Revolucionit Grek, veçanërisht në Misollongj dhe vise të tjera të Greqisë ku do të shquheshin Boçarët, Kollokotroni, Kondurioti e të tjerë, mes të cilëve dhe një grua tjetër legjendare arvanitase, Bubulina nga ishulli i Hidrës apo Zhan d’Ark (Jeanne d’Arc) arvanitase, siç quhej në Perëndim. Njihen tashmë kryengritjet e famshme shqiptare të viteve ‘30-‘40 të shekullit XIX, kryengritjet në jug dhe në veri të Shqipërisë, në Shkodër (1837), në Mat e në Dibër, si dhe në Berat apo Vlorë. Kur bije fjala për lidhjen e tyre me Mehmet Ali Pashën, emri i Tafil Buzit është nga më të përmendurit në këto kryengritje, kohë kur vetë “faraoni i fundit” ëndërronte shkëputjen e Egjiptit nga Stambolli dhe shpalljen e një shteti të pavarur. Duke shfletuar dokumentet e arkivave të Stambollit rreth kryengritjeve shqiptare dhe duke lexuar referencat ndaj Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, të bëjnë përshtypje një sërë korrespondencash turke apo dhe të huaja, që dëshmojnë për lidhjen që ekzistonte mes Mehmet Aliut dhe prijësve shqiptarë. Dhe kjo jo vetëm për arsye se ata ishin shqiptarë, por sepse, një kryengritje e madhe edhe në Shqipëri, kontribuonte në luftën që bënte Mehmet Ali Pasha kundër Portës së Lartë të Stambollit. Që më 1833, kajmekami i Rumelisë njoftonte Vezirin e Madh në Stamboll se “Abdyl Koka i Delvinës endet sa në Egjipt dhe në Misollongj …”

    Në dokumentet historike rreth kryengritjeve shqiptare për pavarësi (Dokumente arkivale osmane), në një letër të një drogmani grek për Shqipërinë, më 1835, shkruhej se “Tafil Buzi kishte deklaruar se ishte njeriu i Mehmet Ali Pashës. Rebeli në fjalë pohoi se,nuk do të largohej së shërbyeri çështjes së Mehmet Aliut. Nuk ka dyshim se kazatë kryengritëse si Vlora, Tepelena, Dishnica, Tomorrica, Skrapari, Mallakastra, qyteti dhe nahija e Beratit, Sulova e Vërça, të kenë patur korrespondencë direkte me Memet Ali Pashën ». Në maj të vitit 1835, përfaqësuesi turk në Londër, Mehmet Namik, njoftonte Portën e Lartë se ishte takuar me ambasadorin austriak, princin Estirhazi, të cilit i kishin ardhur udhëzimet e Meternikut (Meternich). « Përmes valiut të Kretës, Mustafa Pasha[2], pashai i Egjiptit ka nxitur Tafil Buzin. Korespondencat e tij me krerët shqiptarë janë tashmë në duart e Meternich-ut. Ambasadori austriak do ti paraqesë Ministrisë së Jashtme të Anglisë kërkesën që Anglia të porosisë konsujt që ka në Shkodër, Kretë dhe Shqipëri si dhe ambasadorin pranë qeverisë greke… Unë i deklarova se konsujt anglezë duhet të përpiqen që ta kthejnë në rrugë të drejtë Mehmet Aliun, që ai të heqë dorë nga intrigat dhe turbullirat në këto vise».

    Pashai i Kajros do të ishte ndër të parët që do të mbështeste Mustafa Pashë Bushatlliun e Shkodrës në kryengritjen dhe betejat e tij në Përlep apo Sofje. Por shpejt, prijësi i Shkodrës do të mbyllej në kështjellën e tij gjersa më së fundi do të largohej. Në shtator të vitit 1835 edhe Vasaf Efendiu i shkruan Vezirit të Madh mbi pjesëmarrjen e Mehmet Aliut në kryengritjen e Shqipërisë. Ai tregon për “bashkëpunimin e tij që nga koha e Mustafa Pashës së Shkodrës, për strehimin e bejlerëve të arratisur shqiptarë dhe dërgimin e njërit prej tyre në Berat, gjatë kryengritjes së Shkodrës. Madje, disa kryengritës të arratisur, thuhet se kanë gjetur strehë në Egjipt”.

    Që më 1831-n, Zylyftar Poda[3] kryesonte përpjekjen feudale shqiptare për t’u shkëputur nga Stambolli. Më 1820-1831 u shembën pashallëqet e mëdha të Shkodrës dhe të Janinës. Më 1835, dy vjet pas kryengritjes së Tafil Buzit,  ndodhën kryengritjet e Dibrës. Ndër prijësit e kryengritjeve të jugut ishin dhe Çelo Picari, Tahir Abazi, Ahmet Aga Çami e shumë të tjerë që janë përjetësuar nga këngët popullore dhe epika e këtyre viteve, emrat e të cilëve i gjejmë të lidhura gjithnjë me kauzën e Mehmet Aliut. Në shumë dokumente vihet në dukje se në kohën e kryengritjeve të kësaj periudhe, Zylyftar Poda për t’ju shmangur hakmarrjes, e kishte zhvendosur familjen e tij nga Misollongji në Kretë, e cila në atë kohë ishte nën pashallëkun e Mehmet Ali Pashës.

    Ato vite, Veziri i Madh i kërkonte guvernatorit të Selanikut ndonjë informatë rreth veprimtarisë së Mehmet Aliut lidhur me Shqipërinë. Në shtator të po atij viti, në një dokument të konsullit rus drejtuar Rusisë, zoti Duhamel shkruante se “e kërcënova Mehmet Aliun se kishte gisht në kryengritjen e Shqipërisë dhe se për këtë gjë ai do të kishte pasoja”. Në maj të vitit 1838, Rifat Beu, ambasador në Austri, dërgonte një letër ku shkruante se: “Në një gazetë të Londrës, është botuar lajmi se Misirliu (Mehmet Aliu) ka tërhequr disa luftëtarë prej brigjeve të Shqipërisë dhe me anë të komisarit që ndodhet në Korfuz, është përpjekur të nxisë veprimet e mallkuara të shqiptarëve”. Mjaftojnë vetëm këto pak të dhëna për të kuptuar lidhjen e shqiptarëve me Mehmet Ali Pashën dhe besnikërinë që ata treguan ndaj tij. Pikërisht ata do ta përcillnin atë dhe në udhëtimin e tij të fundit. Historiani Sabry, në librin e tij biografik Mehmet Ali Pasha të botuar para ca kohësh dhe në Shqipëri, duke përshkruar vdekjen e pashait të madh dhe dhimbjen e popullit, shkruan se “si gjithnjë garda e tij ishte aty, ashtu si atëherë kur ishte nisur nga Kavalla shqiptare. Ajo e nderoi shqiptarin e madh e të tmerrshëm sipas zakonit të maleve të vendlindjes…”. Edhe konsulli francez Mourriez në kujtimet e tij për Mehmet Aliun, shkruante :  “Një ditë e pyeta Mehmet Aliun se përse aq shpesh ai thoshte se ishte shqiptar. Ai m’u përgjigj se i tillë ishte dhe se fliste gjuhën shqipe. A nuk e kishim dëgjuar t’u fliste rojeve të tij shqiptarë ?… Shqiptar jam dhe shqiptar do të vdes, – thoshte ai, – ndonëse u përpoqa të bëhem një egjiptian i mirë”.

    Të shkruash mbi bëmat e Mehmet Ali Pashës dhe birit të tij, strategut të lavdishëm ushtarak Ibrahim Pasha, nuk mund të mos flasësh dhe për shqiptarët, të cilët e shoqëruan ngado. Ata ishin të pranishëm jo vetëm në Kajro e Aleksandri, por dhe në Rozetë e gjetkë, gjer në fushat e shkretëtirat e largëta të Arabisë, duke të kujtuar kështu vargun tragjik të popullit Mbeçë more shokë mbeçë/ përtej urës së Qabesë… Pallati i Mehmet Aliut ruhej gjithnjë nga besnikët e tij, shqiptarët. Duke u prirë shqiptarëve, ai mundi që njërin pas tjetrit t’i eliminonte të gjithë kundërshtarët e tij, nga guvernatori i Kajros e deri tek prijësi i famshëm i mamlukëve. Duke përshkruar betejën e anglezëve në Rozetë, midis Kajros dhe Aleksandrisë, dhe thyerjen e tmerrshme të anglezëve, autori i Faraonit të fundit shkruan se shumica e anglezëve në këtë betejë u vranë nga shqiptarët e hipur majë çative dhe të fshehur në frëngjitë e shtëpive. Ata do ti ndiqnin anglezët gjer në hyrje të Aleksandrisë. Kur Tosuni 18 -vjeçar, biri i dytë i Mehmet Aliut, në krye të 6.000 shqiptarëve dhe 2.000 kalorësve do të nisej kundër vahabitëve, në Medina, drejt vendit të shenjtë, për t’i nënshtruar ata, në grykat e Safra-s do të vriteshin pothuajse të 6.000 shqiptarët. Një numër i jashtëzakonshëm po të kemi parasysh popullsinë e asaj kohe në Shqipëri. Sinoué i gjen shqiptarët përsëri dhe në betejat e Libanit dhe të Sirisë, në betejën e qytetit bregdetar Shën Joanit të Akrës. Por kësaj radhe një garnizon prej 3.000 shqiptarësh ishte në shërbim të Portës së Lartë. Padyshim që shqiptarët në këtë betejë kanë qëlluar mbi njëri tjetrin pa ditur se qëllonin mbi bashkëpatriotët dhe vëllezërit e tyre. Jo rrallë në elegjitë popullore shqiptare flitet për nizamët dhe varret e tyre në humbëtirë, larg në shkretëtirat e perandorisë. Gratë prisnin burrat e tyre, fëmijët etërit, nënat bijtë e tyre që s’do të ktheheshin më. Ndryshe nga popujt e tjerë dhe fqinjët e tyre, shqiptarët dukej se kishin më të fortë ndjenjën e betejës, të aventurës, të udhëtimit në botw të tjera.

    Në një libër kujtimesh të shkrimtarit francez Gerard de Nerval, ai tregon se në fshatin libanez Betmeri, aty ku druzët myslimanë dhe maronitët e krishterë ishin ne luftë të vazhdueshme mes tyre, ishte vendosur një trupë luftëtarësh shqiptarë që të mund të ndalonte gjakderdhjen e madhe mes tyre. Ngado që ishin, shqiptarët shiheshin si luftëtarë kryeneçë që nuk e përfillnin vdekjen. Për shqiptarët që luftonin nën flamurin e Mehmet Ali Pashës shkruajnë shumë historianë e shkrimtarë të njohur që kanë udhëtuar në ato kohwra në Egjipt, Afrikë dhe në Arabi. Libri “Përshtypje udhëtimi të autorëve evropianë në Egjipt”  dëshmon qartë për këtë. Francezi Fromentin, i cili udhëtonte përgjatë Nilit, kur ndalon në Siut, një qytet i madh me ndërtesa prej muri balte të thatë, shkruan në ditarin e tij se, “ushtarët shqiptarë që ishin lajmëruar për ardhjen tonë, dolën kuriozë për të parë hyrjen tonë në qytet”. Habitesh vërtet me këtë gjeografi të madhe të perandorisë ku ngado gjendeshin shqiptarët.

    Nga historianët shqiptarë, duke veçuar këtu studimin e njohur të Aleksandër Xhuvanit, deri më sot na ka munguar një studim i plotë dhe i gjithanshëm apo një biografi rreth këtij personazhi që të jetë parë me këndvështrimin shqiptar, pra në lidhje dhe me shqiptarët dhe kryengritjet shqiptare. Cilët ishin këta shqiptarë dhe nga ç’vise të Toskërisë vinin ata? Si vallë ishin gjendur në Egjipt e gjer në kufijtë e Sudanit apo në fushat e shkretëtirave të Arabisë ? Padyshim, arkivat e vjetra egjiptiane dhe të perandorisë osmane ruajnë plot të papritura për historianët dhe lexuesit shqiptarë. Shqiptarët ishin gjithnjë garda pretoriane e tij, luftëtarë që dinin vetëm të luftonin, kryeneçë e madje shpesh me mjaft telashe për të. Duke shfletuar kujtimet e udhëtarëve europianë të bëjnë përshtypje përshkrimet e shkrimtarëve Flaubert, Maxime du Camp apo Chateaubriand, te Nerval e Pierre Loti, të anglezëve Thackary, Kipling e shumë të tjerë. Në librin e tij Itinerar nga Parisi në Jeruzalem,Chateaubriand flet për rrugët plot njerëz të Kajros dhe shqiptarët që e rrethojnë. Në Esneh, përgjatë Nilit, Flaubert na flet për shqiptarët që ka gjetur atje, me të cilët pi kafe dhe ndjek vallet e ca valltareve siriane nga Damasku. Në librin e tij Nili[4], francezi Maxime du Camp flet për taksaxhinjtë shqiptarë të Mehmet Aliut : “Shfaqja e një shqiptari të vetëm bënte që njerëzit të zhdukeshin nga e gjithë Nubia…”. Bashkë me Floberin ata shkojnë gjer në Abou Simbel dhe tempullin e Filae-s, me gurët e vjetër dhe mbishkrimet e Ptolemeut VI. Ndalojnë në Beni Suef, ku pikëtakojnë, siç shkruan ai, kafenetë e mbushura me arnautët e garnizonit ushtarak”. Më 26 shkurt 1850 ata janë në kryeqendrën e Nilit të Sipërm, në Siut, ku vizitojnë pazaret, burgun, xhamitë apo pallatin e bardhë të guvernatorit. „Ato ruhen nga arnautët që kanë pamje banditësh por që me jataganët, pushkët e gjata dhe brezoret e fishekëzve, duken mjaft piktoreskë”. Kur ndalojnë në Esné, ata shëtisin në pazarin e stofrave të shumta. “Duke kaluar, – kujton Du Camp, – një shqiptar i moshuar erdhi drejt meje dhe më kërkoi ilaçe për gruan e tij të sëmurë. Por ai nuk arriti të ma shpjegonte se cila pjesë e trupit i dhembte. I kërkova që të shkoja ta shihja, por ai nuk pranonte. I zëmëruar, ai u largua, duke kujtuar se nuk doja ta shëroja gruan e tij”. Në Minieh, Du Camp përshkruan një ditë pazari të mbushur plot me “fellahë, shqiptarë, gra dhe kuaj”. Në librin e tij Nili, ai ndalet dhe në vendin e masakrës së mamlukëve, ku bashkë me Floberin shohin këtë vend impresionues dhe me shumë histori. “Përtej portës që mbrohej nga dy torre të vogla, ngjitej një udhë e ngushtë midis mureve të lartë anash tij. Pikërisht atje, mamlukët u masakruan pa mundur të iknin apo të mbroheshin. Mehmet Aliu i kishte mbledhur ata për festën e të birit që bëhej komandanti ushtarak…Ata ranë gjer te i fundit nën plumbat e shqiptarëve“…

    Një ditë, duke shfletuar albumin e pikturave të piktorit francez Léon Gerome, i cili në fundin e shekullit XIX kishte udhëtuar në Egjipt, tablotë e tij me figurat e shqiptarëve do më befasonin. Ishin një mori personazhesh arnautë, ku secili nga ta paraqiste një tip interesant, të mprehtë dhe me fytyrë burrërore. Ato tablo ishin padyshim nga dëshmitë më të gjalla të jetës së shqiptarëve në lagjet e pasura të Kajros apo Aleksandrisë. Ata njihen menjëherë nga veshja e tyre karakteristike, nga flokët e gjatë dhe shtati i tyre i lartë, gjithnjë të ngarkuar me armë, shpata tê vogla dhe pushkê tê gjata. Udhëtari anglez Georg Schvveinfurth, një natyralist i njohur dhe që i njihte gjuhët e afrikanëve, në kohën e sundimit të Ismail Pashës kishte udhëtuar drejt Kartumit dhe Nilit të Bardhë dhe pastaj ishte kthyer drejt liqenit të Çadit, mespërmes kanibalëve të Kongos. Siç shkruan ai për udhëtimet e tij (1868-1875)[5], mes të tjerash ai kishte takuar atje “pigmetë” dhe mbretin e tribusë Mambutos, “i cili ndiqej pas nga një rresht vajzash që ishin gratë e tij si dhe shoqëruesi Abd-es-Samate”. Ky i fundit, siç e përshkruan Schweinfurth, “mbante uniformën e bukur të një prijësi të trupave shqiptare”… Imagjinoni për një çast se deri ku kishin depërtuar shqiptarët në Afrikë, të cilët dhe në vendet e kanibalëve mbaheshin atëhere si luftëtarë të rreptë por trima.

    Lidhur me shqiptarët, shkrimtari i njohur aglez Wiliam Thackery, gjatë udhëtimit të tij në Kajro më 1844 (Notes of a Journey from Cornhill to Grand Cairo), na lë mbresat e një skene të jashtëzakonshme, e cila tregon për natyrën kryeneçe dhe herë- herë të mbrapshtë të disa shqiptarëve që pikaseshin atë kohë në gjithë Egjiptin. Madje, Mehmet Aliu ndaj bashkëpatriotëve të vet kishte vendosur ligje të forta për ti disiplinuar ata. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai : « Një ditë më parë një nga anëtarët e ekipit tonë e kishte parë shqiptarin e vrarë në cepin e hotelit, në kohën kur po e sillnin një tufë ushtarësh të cilët e kishin arrestuar. Gjithë lecka të grisura e me këmbët e lidhura, ai përpiqej të çlirohej. Trupi i tij i zhveshur që përdridhej, i ngjante një modeli mjaft tërheqës. Ky njeri, pak kohë më parë, duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit kishte pikasur një grua të bukur dhe e kishte ndjekur atë. Duke ja mbathur vrapit, ajo ishte futur në një kazermë policësh që fatmirësisht ishte aty pranë. Por pa u trembur, shqiptari e ndoqi atë deri tek policët. Njëri nga ta u ngrit dhe donte ta ndalonte, por ai nxori pistoletën dhe e vrau atë. Ai vrau kështu nja tri-katër prej tyre, deri sa më në fund kishin munduar ta mbërthenin. Arnauti e dinte se e priste vdekja, se nuk do ta shtinte kurrë në dorë atë grua dhe se nuk mund ti rezistonte një gjysmë regjimenti policësh. Por ndjenja e fortë dhe instinkti i vrasjes ishin më të forta te ai. Në mëngjesin e ditës tjetër, ai e la veten qetësisht që ti prisnin kokën, i rrethuar nga shokët e tij që kishin ardhur aty për të qenë të pranishëm. Ai as që shqetësohej nga vdekja, madje u gjunjëzua dhe gjakftohtë i la ata ti prisnin kokën, sikur të shihte ceremoninë mortore të një tjetri. Sapo koka ra dhe gjaku vërshoi në tokë, një grua doli nga turma dhe filloi të përlyente trupin me gjakun e shqiptarit. Lyerja me gjakun e një vrasësi konsiderohej si një mjet shërimi për gratë që nuk lindnin. Por njëri nga shqiptarët që ishte ngjitur me të, i u drejtua asaj: “Pra ti e dashke gjakun? Pa të shohim se si do të mpikset gjaku tënd me gjakun e shokut tim”. Dhe duke nxjerrë pistoletën ai e qëlloi në vend mes gjithë atyre policëve që ishin të pranishëm. Sigurisht ata e kapën dhe të nesërmen edhe atij do ti pritej koka. Do të ishte interesant të shkruhej një kapitull “Vdekja e arnautit”…

    Ngjarje rrëqethëse e skena të pabesueshme sot për epokën tonë. Prerja e një koke përballohej atëherë në mënyrë sfiduese. Një pjesë e trupës së shqiptarëve ishte vërtet e ashpër në një mjedis të tillë të panjohur për ta dhe në një gjendje të përhershme lufte me mamlukët, të cilët do të shfaroseshin gjithnjë e më shumë gjersa më në fund ata pranuan nënshtrimin. Ishte një ekzistencë për jetë a vdekje. Sigurisht, në fillim askush nga shqiptarët nuk mendonte të qëndronte përjetësisht në Egjipt, e akoma më shumë në viset e largëta të Nilit gjer në Nubi, Asuan e kufijtë e Sudanit. Siç thoshte populli, ata kishin ikur “Nizam” në Misir apo shkretëtirat e Arabisë. Dekadat shkonin dhe pinjollët e gjeneratave të shumta prisnin kthimin e atyre që s’do të ktheheshin më kurrë.

    Një tjetër skenë interesante përshkruan Chateaubriand gjatë udhëtimit të tij të parë me anije nëpër Nil. Më 1806, ai është veçse 38 -vjeçar dhe shoqërohej në anije nga një grup luftëtarësh shqiptarë. “Me zhurmën më të vogël, shqiptarët merrnin pushkët dhe shkonin në bordurat e anijes. Ata ngjanin sikur luftonin me armiq imagjinarë. Gjysma e atyre shqiptarëve ishin myslimanë dhe gjysma tjetër të krishterë. Të gjithë thërrisnin “Muhamet” apo “Shën Mëri”. Ata hidhnin gllënjka vere duke klithur në frëngjisht ca fjalë të rënda dhe duke qëlluar në ajër…”

    Edhe pas vdekjes së Mehmet Aliut dinastia e tij do ti mbante gjallë lidhjet me Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo u dëshmua jo vetëm me zhvillimin e një diaspore intelektuale në Misir (Egjipt) por dhe me veprimtarinë e rilindësve shqiptarë, të cilët kryesisht u vendosën në Aleksandri e Kajro por i ata gjeje edhe në Dumjak apo në Abu Kir. Ishte kolonia e Thimi Mitkos, Jani Vruhos, Çajupit, Filip Shirokës, Spiro Dines apo Loni Ligorit, që themeloi më 1875 shoqatën e parë “Vëllazëria e parë” e ndjekur më pas nga « Vëllazëria e shqiptarëve të Misirit”  e me shoqatën e fundit të vitit 1929 “Bashkësia shqiptare”. Por dinastia e Mehmet Aliut do të interesohej dhe për fatet e ardhshme të Shqipërisë në shekullin e XX. Mbreti i Egjiptit, Fuadi, tri vajzat e tij do ti martonte me bejlerë shqiptarë. Në vitin 1914, kur Europa do të kërkonte një princ për Shqipërinë, madje edhe pas largimit të princit Vid, ndër kandidaturat e tyre kishte dhe një princ të dinastisë së Mehmet Aliut, vetë vëllai i Fuadit. Albert Defance, ministër i Francës në përfaqësinë e Kajros, në 6 korrik 1914 i dërgonte një shkresë ministrit të tij të Punëve të Jashtme, zotit Viviani, ku i shkruante: “Qeveria italiane po përpiqet të gjejë një princ që të zëvendësojë princin Vid: princin Ahmed Fuad, xhaxhain e kedivit (mbretit) të Egjiptit. Por veç atij ka dhe pretendentë të tjerë që presin momentin të deklarohen si pretendentë. Një prej tyre dhe vëllai i kedivit, princi Mehmet Ali. Princi Fuad më ka pohuar kohët e fundit se përfaqësuesi diplomatik i Italisë në Kajro, i ka kërkuar që qeveria egjiptiane të mbështesë kandidaturën e tij ». Në vitet e fundit të “dinastisë Mehmet Ali” mbreti Faruk I do ta priste si një mik të privilegjuar mbretin Ahmet Zog që vinte në Kajro të gjente strehë fill pas Luftës së II-të Botërore. Mbreti Zog do të largohej vetëm pas përmbysjes së monarkisë nga ana e kolonelëve Naser dhe Sadat.

    Një nga kontributet më të mëdha të Mehmet Ali Pashës ishte se që në vitet e para të pushtetit të tij, ai kërkoi të krijojë një Egjipt modern dhe për këtë ai nuk vështroi nga Stambolli por nga Evropa e qytetëruar dhe së pari nga Franca. Në libra të ndryshëm historikë apo përshtypje udhëtimi të shekullit XIX-të gjer në hapjen e kanalit të Suezit (1869), gjen një dyndje të vërtetë të botës franceze në Egjipt për modernizimin e tokës së vjetër të faraonëve, duke filluar nga koloneli Seve që më vonë do të quhej Sulejman Pasha. Vallë admirimi për Napoleonin e madh apo lidhja me mikun e tij zotin Lion, tregtarin nga Marseja, e shtyu njeriun nga Kavalla që të adhuronte Francën ? Mos vallë sepse ajo ishte një kundërpeshë e qëllimeve angleze, të cilët donin gjithnjë ta pushtonin Egjiptin për të hapur rrugën drejt Indisë dhe vendeve arabike ? Të dyja këto motive qëndrojnë. Dyndja e inxhinierëve, konstruktorëve, gjeografëve, shkencëtarëve francezë ishte e habitshme. Champollion ishte arkeologu i parë që do të themelonte egjiptianologjinë dhe do të deshifronte botën dhe heroglifet e faraonëve : Jumel, Bellefonds, Jomard, Clot, Lerminant, Lesseps e shumë e shumë francezë të tjerë ishin ato ura që do të lidhnin ngushtë Francën me Egjiptin. Egjipti njohu një rilindje të paparë : manifaktura, fabrika, akademi ushtarake e mjekësore, institute, shkolla, gazeta, kanale vaditëse e ujësjellës, parqe e muzeume… madje dhe maternitete, siç na informon doktori anglez John Bovvring, ku mjekët e huaj që vinin nga Perëndimi kujdeseshin për gratë. Padyshim, një modernitet perëndimor në botën orientale. Saidi, një nga bijtë e Mehmet Aliut, do të studionte në Francë. Ismaili që dhe ai do të hipte në fron, ishte nga adhuruesit më të flaktë të kulturës europiane. Ishte Mehmet Aliu që dërgoi grupe të shumta të rinjsh egjiptianë për të studiuar në shkollat më të mira pariziane për të mësuar mjekësinë, artin e ndërtimit të rrugëve dhe urave, shkencën moderne në përgjithësi, etj.. Kjo rilindje e Egjiptit do ta befasonte dhe vetë shkrimtarin e politikanin Chateaubriand, i cili në librin e tij Kujtime përtej varrit do të shkruante: “Francezët mbollën në Egjipt farën e qytetërimit, të cilën Mehmet Aliu e kultivoi. Lavdia e Bonapartit u rrit: një rreze drite rrëshqiti në errësirat e fesë dhe një e çarë i u bë barbarisë”.

    Në librin tim Krushq të largët botuar para disa vitesh, kam shkruar një kapitull për figurën e Mehmet Aliut dhe obeliskun e Luksorit, të cilin ai i a dhuroi mbretit të Francës për ndihmën që francezët i kishin dhënë për modernizimin e Egjiptit. Obelisku monolit prej 23 metrash, plot hieroglife mbi lavdinë e Ramsesit II, i vendosur në sheshin e Concorde-s është padyshim një nga dëshmitë më spikatëse të kësaj lidhjeje të fortë. Udhëtimi i obeliskut nga Asuani e gjer në Paris është sigurisht një nga aventurat më të guximshme të asaj kohe. Ky bllok i gdhendur guri prej 230 tonësh, vështirë të transportohej në një itinerar aq të gjatë. I hipur në një lundër të madhe, obelisku i Luksorit do të udhëtonte nëpër Nil gjer në Aleksandri e që andej do të merrte detin Mesdhe për të zbarkuar në Havër, dhe që andej, nëpërmjet Senës, do të merrte udhën për në Paris. Ishte viti 1836…

    Duke i u rikthyer librit të shkrimtari të njohur Sinoué, nuk mund të mos përmendim birin e Mehmet Aliut, Ibrahim Pashën, strategun e madh dhe fituesin e betejave të lavdishme të Nezibit, Shën Joanit të Akrës apo të Konjas. Rasti e solli që pak kohë para vdekjes së papritur të tij, Ibrahimi të vizitonte Francën dhe të pritej nga vetë mbreti, Louis Philippe apo Napoleoni i III. Në oborrin e Invalidëve, pasi është përulur para varrit të Napoleonit, ai përshëndetet nga dy mijë veteranë të luftrave napoleoniane. Apoteoza e vizitës së tij është në Champ de Mars:  “Kurrë ndonjëherë që nga koha e Napoleonit, – do të shkruante në kujtimet e tij Edourd Gouin, – kjo fushë nuk kishte shërbyer si një teatër kaq i shkëlqyer dhe solemn. Edhe vetë dielli dukej se kishte veshur roben e festës për të përshëndetur një nga bijtë e tij, fitimtarin e Nezibit…”.  Mehmet Ali Pasha, si dhe Ibrahimi dhe pasardhësit e tij, ishte nga të rrallët pashallarë tolerantë përsa i përket riteve e besimeve të ndryshme fetare. Koptët e krishterë, katolikët ortodoksët, çifutët, grekët e armenët, të gjithë ishin të lirë të praktikonin fenë e tyre. Madje, Mehmet Ali Pasha ndonjëherë bënte shaka mbi fenë myslimane. Interesant është gjithashtu fakti që kur doli nga takimi me Mehmet Ali Pashën në Kajro, shefi i të krishterëve të Jeruzalemit, Kustodi, do të shprehej : “Ai na foli si një peshkop i vërtetë”. Ibrahim Pasha deklaronte hapur barazinë e feve në gjithë tokat e mbretërisë së Mehmet Ali Pashës. Mehmet Ali Pasha ishte nga të rrallët pashallarë të perandorisë osmane që ishte aq tolerant. Besnikët dhe bashkëpunëtorë të tij ishin jo vetëm myslimanë, por dhe koptë, ortodoksë, grekë e armenë, çifutë e të krishterë të Perëndimit. Barazia e fesë ishte e shkruar në ligj.

    Jeta dhe bota njerëzore që shfaqet në librin e Gilbert Sinoué është një botë disi e largët dhe e panjohur për lexuesin shqiptar, por që shpalos një figurë unikale në historinë e diasporës shqiptare. Jeta e tij ishte një epope e madhe, vështirë për ta përmbledhur brenda një libri, pasi ngjarjet janë të shumta. Vetëm arkivat diplomatike të Stambollit, Francës, Anglisë, Rusisë, Austrisë, etj, përmbledhin dhjetëra mijwra dokumente që presin të dalin në dritë. Ky njeri që shkoi të luftonte kundër Napoleon Bonapartit në brigjet e Egjiptit më 1800, më pas do ta bënte perandorin francez idhull të tij, aq sa në botën europiane atë do ta quanin “Napoleoni mysliman”. Madje ai kishte dëshirë tu thoshte biografëve të vet se kishte lindur në të njëjtën ditë si dhe perandori francez. Aq legjendare u bë figura e Mehmet Aliut në atë epokë sa në vitet 40 të shekullit XIX, duke ju referuar figurës së tij, Victor Hugo në përmbledhjen e tij Les Orientales,  do të shkruante :

    «Nëse ka një kolos që mund të krahasohet me Bonapartin, ku njeri gjenial është Mehmet Ali Pasha; ai qëndron krah tij ashtu siç rri tigri përballë luanit, si skifteri përballë shqiponjës»…

    Luan Rama

     Bibliogragia

    [1]   Piktor i njohur francez i asaj kohe. Eshtë e famshme tabloja e tij me figurën e Mehmet Aliut, Vrasja e mamlukëve.

    [2]   Mustafa Pashë Gjiriti, nga krahina e Korçës dhe një nga aleatët e Mehmet Ali Pashës.

    [3]  Më 1835, ai u vra nga turqit bashkë me gjithë familjen e tij.

    [4] Nili, Maxime du Camp, Edition Sand/Conti, 1987, Paris.

    [5] Voyages de découvertes en Afrique, Alain Ricard, Anthologie, Edition Robert Lafont, 2000, Paris.

    Masakra e mamlukeve, etapa pare e M.A.Pashes

    Mehmeti, Ibrahimi dhe koloneli Jsephe Seve

    Prije personalitetesh ne pallatin e tij në Aleksandri

    Xhamia e ndërtuar nga Mehmet Ali

    Varri i Mehmet Ali Pashës në xhaminë e Kajros