Arjan Sukniqi:Shqipëria nuk ka ligje punësimi, për këtë profesion të veçantë

635
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisori dhe skenaristi i baletit Arjan Sukniqi,Djemtë tanë balerinë ata që kanë çarë dhe i kanë dhënë emër Shqipërisë

Ka qenë për një kohë të gjatë Drejtor i Shkollës së Baletit dhe tashmë regjisor në TOB. Rezultatet e tij në të dy institucionet kanë qenë të larta dhe kërkesat për Festivale të ndryshme baleti kanë qenë të vazhdueshme. Kohët e fundit ai vuri në

Kush ishte shtysa që  vutë në skenë veprën e Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”?

Ishte nj bast ose më mirë një ndjenjë e brendshme që kishte vite që flinte brenda meje për të realizuar nj vepër të tillë me përmasa botërore. Njëkohësisht ishte një kërkesë e TOB që duhej vënë në skenë nj vepër e madhe, sepse pas  shumë  vitesh vjen në skenë nj vepër e këtij kalibri dhe së fundi lidhja që kam me trupën, e cila tashmë është rritur shumë profesionalisht dhe duhej bërë një sfidë e re me të.

 Kjo do të thotë që kanë ardhur elementë të rinj, apo ata elementë janë perfeksionuar me kalimin e kohës?

Elementët janë po ata, por them se ka dhe të rinj. Por kryesorja është se ata, ato janë pjekur, janë perfeksionuar, kanë eksperiencë më shumë, lexojnë, shikojnë ndaj janë dhe më perfekt. Janë bërë më të përgjegjshëm, ku të gjithë  duan të jenë korrektë me veten, me punën, me kërkesat e kohës. Këto janë ato që balerinët sot kanë arritur.

 Tek ky balet kishte shumë skena masive, si u arrit ky masivizim që rrallë në shfaqjet e sotme?

Kjo ishte brenda idesë sime jo se kishte një direktivë nga lart.  Ishte një kërkesë e kohës po aspak një shtysë administrative. Erdhi koha që në një pjesë të tillë kaq të bukur të harmonizohej kjo skenë masive. Ishte në formën e një  respekti reciprok të komunitetit të balerinëve, ku unë besoja se dhe një skenë masive mund të realizohej korrekte dhe vetë komuniteti kishte të njëjtën ide se do performonin shumë suksesshëm. Kryesorja është se ne thirrëm dhe balerinë të jashtëm dhe askush prej tyre nuk nxori në pah kërkesat ekonomike, pra se sa do të paguhej. Qëllimi kryesor ishte realizimi me sukses i veprës. Të gjithë besuan tek ne, pasi një vepër e suksesshme do t’i shërbente dhe karrierës së tyre.

 Sot shumë balerinë shqiptarë kanë bërë emër shumë të madh në Itali, Greqi, Gjermani, etj.. Kjo do të thotë që shkolla shqiptare e baletit është e nivelit europian?

Ne kemi një nga shkollat më të mira të Europës për djemtë, sepse  në të katër anët e kontinentit janë djemtë tanë balerinë ata që kanë çarë dhe i kanë dhënë emër Shqipërisë. Edhe për vajza rezultate nuk janë të pakta por kurrsesi sa ato të djemve. Edhe  sot që po flasim djemtë tanë balerinë janë të kërkuar kudo duke marrë pjesë në trupat më profesioniste të Italisë, Greqisë, Francës apo gjetiu.

 Sot kemi vetëm një teatër baleti, a është i mjaftueshëm ky teatër, kur në fakt nga shkolla e baletit dalin shumë balerinë ?

Është një problem shumë i madh që ka Shqipëria në këtë drejtim. Nuk është problemi se ka shumë balerinë, por Shqipëria nuk ka ligje punësimi, apo ligje që kanë të bëjnë me këtë profesion të veçantë. Tek ne ende vazhdojnë të funksionojnë ligjet e sistemit komunist në nj sistem  demokratik. Kjo do të thotë që në art ligjet janë zverdhur nga koha dhe nuk i rezistojnë asaj. Kjo do të thotë që nis t’i futesh në punë, zë një vend në teatër, menjëherë e vendos xhaketën në gozhdë dhe s’të lëviz njeri derisa mbush moshën për daljen në pension. Pra, në këtë mënyrë ti nuk nxit konkurrencën, nuk u jep mundësinë te rinjve të konkurrojnë,  që dijet e tyre të reja ti shpalosin në institucionet shtetërore të baletit. Nëse në këtë vend  nuk do të vendosen audicionet e përvitshme, konkurrimet speciale, nuk  mund të kemi nivele të larta. Pra shihet një standardizim i gjërave që nuk zhvillojnë konkurrencën progresive. Kjo nxit egoizmin provincial dhe nga ana tjetër mbyt dëshirën për një nxitje dhe zhvillim bashkëkohor. Shqipëria  ka nevojë të vendosë ligje të sakta për artistët, ku ata t’i nënshtrohen çdo dy vjet një komisioni ose audicioni për nivelin që shërben si rregullator për nxitjen dhe profesionalizmin e mëtejshëm të artistëve. Vetëm ky komision, apo audicion vendos që nëse ky artist mund ta vazhdoj apo jo kontratën me teatrin e baletit. Ky komision i hap rrugë talentit, të resë. Sistemi i sotëm bën që me atë organikë që ka sot TOB, shkolla e baletit duhet të mbyllet për 17 vjet, pasi pas kaq vitesh do dalin në pension shumë prej balerinëve të sotëm. Pra me këto struktura për 17 vjet TOB s’duhet të marrë asnjë balerin të ri. Kjo bën që ne të shohim për 17 vjet që të shohim ndeshje veteranësh.

 Po problemet e tjera të baletit  shqiptar?

Problemet e baletit janë ato që ka arti shqiptar në përgjithësi. Në radhë të parë është investimi. Pak po investohet në art, po ashtu dhe në balet. Duhet të dalë një ligj që investimet apo të ardhurat nuk duhet të jepen nga Ministria apo shteti duke e kontrolluar tërësisht institucionin, duke e lënë atë të varur. Me këtë nuk dua të them që shteti të mos kontrollojë, jo, përkundrazi por të zvogëlojë hallkat burokratike. Varësitë nga Ministria, nga Drejtori të veçanta të saj, bën që TOB të jetë në varësi të nj sistemi elektoral,  dhe kështu që teatri si pjesë elektorale të bëjë qoka partish. Pra të shoh në dritë të syrit vjen në pushtet që ti jap rrogën dhe jo të shohë artin të lulëzojë. Pra po kthehemi në teatër ceremonial si Garda e Republikës që merret vetëm me to. Kryesorja është se porsa kohë shteti do të investojë me pikatore në drejtim të artit, përderisa ai si jep vendin dhe financën e duhur artit, gjithmonë problemet do vijnë në rritje. Perspektiva duket e trishtuar, pavarësisht iniciativës personale të balerinëve apo artistëve.

 Në rajon   a është konkurrues baleti ynë dhe cilat janë vlerat që spikasin?

Absolutisht që jemi konkurrues, për të mos thënë se në rajon jemi më të mirët. Një kërcimtar i vjetër ka thënë që baleti shqiptar po rrënohet. Ky ish kërcimtar i “madh” duhet të vijë të shoh shfaqjet, duhet të njohë balerinët tanë kudo në botë. Baleti nuk vjen me një ditë, apo nuk fillon kur të dojë x apo y. Ka të tillë kërcimtarë që mendojnë se vallja shqiptare ka filluar me ta dhe ka mbaruar me ta. Këta njerëz i gënjen mendja. Ndaj them se baleti jonë as mund të krahasohet në Ballkan. Baleti shqiptar ka bërë një hop cilësor që në Greqi ndihet shumë.

  Ju keni qenë Drejtor i Shkollës së baletit, tashmë regjisor në TOB. Ku është ndryshimi?

Secili vend punë ka specifikat e veta. Ka disa të përbashkëta por dallimet janë të shumta. Aty mësova nga mënyra e organizmit, ndrysa këtu vura në jetë disa ëndrra, eksperienca që s;mund ti realizoja në shkollë. Atje ishte një shkollë që mëson, ndrysa këtu një  shkollë tjetër e vënies në jetë të atyre që ke mësuar në shkollën e parë.

 Cila është sfida e radhës?

Është një tragjedi. Sot për sot nuk dua ta bëj publike, pasi humb interesi dhe koha është para. Është një gjini e pa rrahur në balet tek ne. “Ëndrra e nj nate vere” ishte një balet në rrafshin komik, duke pasur parasysh ankthet tona, problemet tona dhe duhej që spektatorit ti jepej diçka e qeshur të lehtësonte streset dhe mendoj se ja arritëm me sukses. Besoj se në këtë balet do ketë dhe më shumë interesim. Në shfaqjen që sapo dhamë kishim rreth 100 balerinë ndrysa në këtë që do vë në skenë do ketë 60.

 Thuhet se tek balerinët xhelozia është më e madhe?

Jo, se besoj. Njëlloj është në art xhelozia. Por ne kemi një art  kolektiv, nuk mund të punojmë në mënyrë individuale si pianisti, violinisti. Ne kërcejmë bashkë, lëvizim bashkë, dëgjojmë muzikë bashkë dhe një fjalë përhapet më shpejt. Pra duket sikur ne jemi më xhelozë por jo, ne gjithmonë jemi më shumë se tre dhe kemi ego profesionale dhe jo xhelozi të sëmurë.