Arjan MBRAKULLA/ Përmbarimi, zgjedhje apo vjedhje të lira, nën dajak shtetëror?

838
Sigal

Institucionet e pavarura, përballë terrorit të interesave të grupeve që duan uzurpimin e tyre politik

Përmbaruesit privatë shqiptarë, kjo organizatë e pavarur nga shteti, e cila ekzekuton vendimet gjyqësore, gjendet prej 10 ditësh përballë një “gjyqi” politik, dirigjuar dhe ekzekutuar prej institucioneve shtetërore e ato qeveritare, për t’u “sekuestruar” pavarësia dhe drejtimi i saj si organizatë dhe për t’u futur në “kthetrat” e një grupi politiko qeveritar, i cili ka arritur deri aty, sa flet edhe në emër të kryeministrit, se gjoja pas qëndrimeve të tyre brutale e anti-Kushtetuese janë interesat e kryeministrit. Edhe pse kryeministri është jashtë kësaj loje, inskenuar prej dyshes Xhafa-Naço, ata që lakmojnë të uzurpojnë drejtimin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë Shqiptarë, po vazhdojë prapaskenat, diversionin e madje edhe dhunën psikologjike e fizike mbi anëtarët që kërkojnë zgjedhje të lira, transparente e konkurruese, për të uzurpuar edhe këtë shërbim të pavarur kombëtar.

Dhuna psikologjike vazhdon…

Dhuna psikologjike mbi anëtarët e Dhomës së Përmbaruesve Privatë Shqiptarë, po vazhdon. Pas procesit farsë, të zhvilluar në datën 18 tetor 2014, në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, ku u manifestua padrejtësi dhe presion edhe prej kupolës së lartë të këtij dikasteri, tashmë përmbaruesit deklarojnë me shqetësim, se po gjenden sërish përballë një përsëritjeje të skandalit. Zgjedhjet që pritet të zhvillohen në datën 1 nëntor 2014, nuk janë të sigurta se do të zhvillohen të lira. Individët dhe grupi që shkatërroi zgjedhjet e para është hedhur në ofensivë për të shkatërruar edhe këtë proces të ardhshëm. Faktikisht, përmbaruesit shqiptarë, ata që i përmbahen Kushtetutës dhe Statutit të organizatës së tyre, kërkojnë zgjedhje të lira, të hapura, të ndershme, transparente, pa ndikime, pa presione, pa dhunë, pa klane, pa kulisa. Ndërsa ata, pra klani antiligjor e politiko-qeveritar, që synon të uzurpojë drejtimin e kësaj dhome, nuk e pranojnë rregullin, statutin, ligjin dhe votimin e lirë, por duan ta marrin drejtimin e Dhomës së Përmbarimit me marifete e dhunë të çdo lloji. Zgjedhjet e datë 18 tetor 2014, siç u pa me zë e me figurë, u zhvilluan nën presion të dirigjuar edhe nga kupola drejtuese e Ministrisë së Drejtësisë e cila ligjërisht, nuk ka asnjë tagër dhe asnjë të drejtë as minimale, as për të “psherëtirë’ në këto zgjedhje. Mirëpo, ndodhi që sipas realitetit dhe përmbaruesve, Ministria e Drejtësisë, u angazhua në këto zgjedhje në kundërshtim të plotë me ligjin. Përmbaruesit kanë bërë denoncimet e tyre publike në lidhje me skandalin në fjalë dhe me angazhimin e paligjshëm të ministrit të Drejtësisë në këto zgjedhje. Ministria si institucion, ka të drejtën vetëm të jetë një vëzhguese rutinë në zgjedhjet e përmbaruesve, por fatkeqësisht u bë palë me grupin që tentoi dhe po tenton të uzurpojë drejtimin e kësaj dhome. Fakti është ky: Në këto zgjedhje, Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit Strategjik dhe Inspektimit të Çështjeve të Drejtësisë, Sokol Pasho, ishte dhe është “desanti” më aktiv që u bë pjesë e klanit të grupit të “zjarrit” politiko-qeveritar për të shkatërruar zgjedhjet dhe po synon uzurpimin e dhomës së përmbaruese privat në favor të klanit që mbështet, duke diktuar pjesëmarrësit në konferencën zgjedhore me presion e joshje për të votuar kandidaturën e përzgjedhur prej vëllait të Fatmir Xhafës. Një tjetër zyrtar i lartë i Ministrisë së Drejtësisë, i cili ushtroi dhe vazhdon të ushtrojë presion mbi zgjedhësit e konferencës së përmbaruesve privat është edhe Bledar Kabashi, me detyrë Drejtor i Profesioneve të Lira, por që po ushtron aktivitet antiligjor e madje penal, për të shkatërruar zgjedhjet e lira të përmbaruesve.

Përmbaruesit kërkojnë ndihmën e organizmave ndërkombëtare…

Pjesa dominuese e përmbaruesve që kërkojnë të zbatohet statuti dhe të bëhen zgjedhje të lira, të gjendur përballë presionit të klaneve të veshura me pushtet politik e qeveritar nga ministria deri në parlament, madje, si grup i familjeve që synojnë ta pronësojnë drejtimin privat të shërbimit përmbarimor, i janë drejtuar me një kërkesë për ndihmë publike edhe institucioneve ndërkombëtare diplomatike që operojnë në Shqipëri. Me një letër të hapur, përmbaruesit që gjenden përballë presionit të ministrisë dhe klanit që vepron nën hijen dhe mbështetjen e tij, kërkojnë të bëhen zgjedhje të lira, nën monitorimin e institucioneve diplomatike ndërkombëtare dhe prej qeverisë e shtetit shqiptar. Këtë kërkesë-apel, përmbaruesit e dhunuar bë të drejtën e tyre për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershëm e kanë bërë për shkak, sepse kanë përballë presionin e shtetit për të mos i lejuar të bëjnë zgjedhje të lira. Kandidati i paracaktuar për kryetar i klanit qeveritar dhe i vëllait të tij, Tedi Malaveci, në procesin e datës 1 nëntor 2014 kanë paralajmëruar se, do të përsëritin të njëjtin skenar dhune e manipulimi të votave. Kujtojmë, që ata kanë përjashtuar 10 përmbarues nga votimi, si dhe kanë futur shumë të tjerë që nuk kanë lidhje me votimin dhe madje që ligjërisht janë edhe të ndaluar të dalin nga dera e shtëpisë, mbasi janë nën arrest gjyqësor. Por ata nuk ndalen në synimin e tyre të mbrapsht e antiligjor, madje deri me produkt penal. Ky skandal i pritshëm i përsëritur, detyroi përmbaruesit të kërkojnë mbështetjen për drejtësi e zgjedhje të lira te ndërkombëtarët.

A do të bëhen zgjedhje të lira në konferencën e përmbaruesve?

Nisur nga situata, informacionet dhe denoncimeve të ardhura prej përmbaruesve privatë për skandalin e procesit zgjedhor të datës 18 tetor 2014, rezulton se edhe procesi zgjedhor i datës 1 nëntor 2014, rrezikon të jetë me një skenar tipik brutal e skandaloz. Këtë e kanë paralajmëruar ata që kanë krijuar skandalin: klani që synon uzurpimin e Dhomës së Përmbaruesve Privatë të Shqipërisë.  Grupi “Malaveci” është hedhur në veprim me të gjithë mjetet, mënyrat dhe marifetet për të finalizuar qëllimin. Siç dihet, për të nënshtruar ata që nuk i binden synimit të tyre, kanë angazhuar ILDKP, duke bërë presion me deklarime pasurish për kundërshtarët, madje edhe struktura të tatimeve, të policisë, SHISH e të institucioneve të tjera këto veprime, po japin sinjalin e plotë, se në 1 nëntor 2014, nuk do të ketë zgjedhje të lira e të drejta…