Arjan Jaupllari: Kriteret për provimin e Vlerësimit të Aftësimit Praktik për farmacistët

    532
    Sigal

    Në datat 9, 10, dhe 11 prill 2013 të gjithë farmacistët praktikantë që janë në proces praktike do t’i nënshtrohen provimit të Vlerësimit të Aftësimit Praktik. Provimi për Vlerësimin e Aftësimit Praktik do të zhvillohet, me gojë, në ambientet e Zyrës Qendrore të UFSH-së.1. sipas numrit të dosjeve:

    • 914 –  954  më datë   9 Prill

    • 955 –  995  më datë 10 Prill

    • 995 – 1022  më datë 11 Prill (përfshihen dhe praktikantët që kanë kryer praktikën më parë dhe nuk i janë nënshtruar VAP). Në lidhje me Vlerësimin e Aftësimit Praktik për farmacistët ka folur për “Telegraf”, Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, Arjan Jaupllari, i cili bëri të ditur se në provim do të marrin pjesë 109 praktikantë. Në komisionin e provimit të Vlerësimin e Aftësimit Praktik do të marrin pjesë tre persona. Komisioni do të jetë i kryesuar nga përfaqësuesi i Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas zotit Jaupllari, në Vlerësimin e Aftësimit Praktik, praktikantët do t’i nënshtrohen njohurive që kanë fituar gjatë kryerjes së praktikës profesionale. Pyetjet janë bërë rreth praktikës profesionale që ato bërë dhe do të jenë rreth 202 pyetje që janë të ndara në teza me nga gjashtë pyetje secila. Testimi do të zhvillohet me gojë.

    Penalizimet nëse nuk merret provimi

    Por nëse praktikantët nuk e marrin këtë provim do të kenë edhe penalizime, pasi nuk do të japin dot provimin e shtetit. “Nëse praktikantët nuk e fitojnë provimin me gojë ato nuk mund të regjistrohen dot për të dhënë provimin e shtetit, i cili do të zhvillohet në muajin maj. Ato kanë të drejtë që ta japin deri në pesë herë provimin e Vlerësimit të Aftësimit Praktik”, u shpreh zoti Jaupllari. Në datën e caktuar të VAP kandidati duhet të ketë me vete listën e dokumenteve, pasi kandidati që kalon me sukses VAP do të regjistrohet direkt për provimin e shtetit.

    Dokumentacionet për provim

    Në momentin që praktikantët duhet të vijnë në provim, duhet të kenë bërë regjistrimin pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë. Po ashtu duhet të kenë me vetë dokument identifikimi. Praktikantëve nuk u lejohet që të kenë me vete telefona apo mjete të tjera të panevojshme për provimin. Ndërkohë që, sipas informacioneve datat e planifikuara për provimin e shtetit për degën farmaci janë 9 -10 Maj 2013.