Arjan Jaupllari/Ish Drejtori i QKKB-së, Jakaj dy deklarata krejt të kundërta për pullën dyfishe. Cilin version të besojmë

    433
    Sigal

    Reagim/ Arjan Jaupllari, Kreu i Urdhrit të Farmacistëve: Barnat ende në doganë. Burokracia e shtetit vë në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë

    Ka kaluar plot një javë që barnat rrinë në doganë, edhe pse thuhet se janë zhbllokuar pas urdhrit të Kryeministrit. Është skandaloze kjo burokraci nga urdhri gojor i kryeministrit te urdhri i shkruar i dy ministrave të Financës dhe Shëndetësisë, i  cili nuk ka shkuar akoma në Drejtorinë e Doganave, kurse barnat mund të humbasin efikasitetin për shkak të temperaturave shumë të larta dhe jeta e qytetarëve vihet në rrezik. Është shumë interesant fakti që, në momentin që shkresa e bllokimit të pullave nuk kishte  shkuar në dogana, ata e ndaluan zhdoganimin vetëm sepse morën vesh që një shkresë e MF kishte shkuar në QKKB. Sot, edhe pse importuesit kanë dërguar një kopje të urdhrit të zhbllokimit po e shtyjnë atë derisa të mbërrijë kopja zyrtare. Kjo është administrata dashakeqëse ndaj sistemit farmaceutik, e cila fillon që në momentin që bari futet në doganë, vazhdon në të gjitha hallkat e sistemit deri te konsumatori.

    Ish Drejtori i QKKB-së, Besnik Jakaj, ka qenë mbrojtësi kryesor i pullës dyfishe

    Ajo më e turpshmja është që këta zyrtarë duke qëndruar shumë gjatë në pozicione kyçe të sistemit harrojnë se çfarë kanë thënë dhe çfarë të zezash kanë bërë ndaj këtij sistemi. Marr shkas dhe nga një intervistë e ish Drejtorit të QKKB-së, i cili jo vetëm ka shkelur ligjin e barnave disa herë, por edhe përsa i përket vendosjes së pullës dyfishe ka qenë mbrojtësi kryesor i saj. Është e turpshme të deklarosh të kundërtën e asaj që ke thënë, sepse ato ruhen edhe në median e shkruar, por edhe atë vizive. Keqardhje dhe për mediat që nuk hapin memorien e tyre. I ftoj ta bëjnë këtë dhe do të shohin qëndrimin konseguent dhe largpamës të Urdhrit të Farmacistëve, i cili ka detyrimin ligjor të mbrojë pacientët nga të gjitha veprimet që cënojnë shëndetin dhe rëndojnë koston e jetesës së tyre. Urdhri i Farmacistëve ka reaguar gjithmonë i pari në mbrojtje të sistemit farmaceutik dhe profesionistëve që janë qendra e referencës së tij. Përsa i përket rastit në fjalë, i bëjmë edhe njëherë apel qeverisë që po e dorëzon pushtetin, ta dorëzojë me sa më pak zullume sistemin farmaceutik. Jepini fund tentativës së dështuar!

    Deklarata e Drejtorit të QKKB-së për pullën dyfishe të barnave 10/01/2012

    Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, z.Besnik JAKAJ deklaroi se pulla e re që do t’u vendoset barnave nuk do të sjellë asnjë ndryshim në çmimin e tyre, duke kundërshtuar deklaratat e Urdhrit të Farmacistëve për rritjen e çmimit të barnave me 20%.

    Sipas Drejtorit të QKKB-së vendosja e kësaj pulle nuk ka kosto që të ndikojë në rritjen e çmimit të barnave dhe qëllimi i saj është të vendosë më në kontroll tregun farmaceutik. Sipas z.JAKAJ “bëhet fjalë të vendoset një pullë që do të jetë dyfishe, që ka një kosto shumë të vogël, por pak më të madhe se pulla aktuale, e cila nuk ka asnjë lloj ndikimi në çmimin e barnave. Pulla dyfishe është më e sigurt dhe më cilësore. Kemi pullën aktuale që ka një kosto, të cilën e paguan importuesi dhe prodhuesi, e cila nuk ndikon në çmimin përfundimtar në shitje. Pulla e re që do të vendoset nuk do të sjellë asnjë lloj ndryshimi në çmimin e barnave. Nuk do të jetë pulla që kemi aktualisht por do të jetë një pullë tjetër”. Sipas z. JAKAJ nuk do të ketë rritje të çmimit të barnave, por Urdhri i Farmacistëve kërkon të përhap panik, pasi është kundër reformave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë në tregun farmaceutik.

    Deklarata e Drejtorit të QKKB-së për pullën dyfishe të barnave 10/08/2013

    Ndërkohë që medikamentet presin për zhdoganim dhe  shpërndarësit farmaceutikë  kërcënojnë se do të bllokojnë tregun, ende nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave. Ish-drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj është shprehur se vendimi për blerjen e pullës tek kompania koncesionare ka qenë propozim i Ministrisë së Financave  dhe se një gjë e tillë është kundërshtuar me forcë prej tij dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe për mosimplementimin e saj kishin njoftuar edhe kryeministrin Berisha shumë kohë më parë. “Në fakt kjo ka qenë një reformë e drejtuar nga Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare pa u marrë teknikisht mendimi i Qendrës së Kontrollit të Barnave dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Unë në cilësinë e drejtorit të Qendrës së Kontrollit të Barnave kam informuar disa herë Ministrinë e Financave në rrugë zyrtare që është e pamundur të zbatohet një kontratë koncesionare në këtë formë, pasi kompanitë e huaja prodhuese nuk pranojnë ta vendosin dhe është e pamundur teknikisht që për sasitë që merr Shqipëria në kompanitë ndërkombëtare farmaceutike që prodhojnë barna. Në atë kohë, Ministri i Shëndetësisë, zoti Vasili dhe unë si Drejtor i Qendrës së Kontrollit të Barnave kemi dhënë të gjitha këto argumente me shkrim dhe ia kemi dërguar kryeministrit Berisha duke argumentuar se është e pamundur të zbatohet ky projekt konçesionar”, theksoi Jakaj. Jakaj aludon për interesa  të mëdha financiare në dhënien me koncesion të pullës së medikamenteve për shkak të çmimit shumë më të lartë me të cilin do të blihet pulla tek koncesionari. Ndërsa shpërndarësit farmaceutikë kanë paralajmëruar se nëse nuk zhdoganohen medikamentet, ata rrezikojnë të dëmtohen për shkak se gjenden nëpër kamione dhe se do të ndërpresin importin e barnave nga jashtë. Kompanitë që prodhojnë medikamente nga jashtë kanë refuzuar vendosjen e pullës prej tyre.