Ariola B. Feraj: Brezi im, përmbytjet dhe shteti pa strategji

    459
    Përmbytjet e ditëve të fundit që dëmtuan jetë njerëzish, përmbytën qytete dhe fshatra, dëmtuan shtëpi e kapitale njerëzore, më sollën në kujtesë këtë shprehje të priftit Monsen të publikuar përpara 37 vjetësh; “Janë vendimet tona ato që përcaktojnë fatin tonë”! Pavarësisht vërtetësisë së fjalëve të këtij prifti zemërmirë, ajo që ai nuk kishte si të parashikonte është viktimizimi patologjik i individëve të prekur nga “fatkeqësia natyrore”. Pikërisht, ajo që të bën përshtypje në realitetin Shqiptar janë pyetjet që “viktimat” vazhdojnë të përsërisin; ‘Përse nuk na u ndan neve këto të këqija? Pse u dashka të vuajmë kaq shumë? Përgjigjja e priftit Thomas do ishte: “Sepse ju nuk keni marrë vendimet e duhura në jetën tuaj. Keni ndërtuar shtëpinë shumë pranë lumit, nuk jeni kujdesur për argjinaturat, nuk keni mirëmbajtur kanalet, keni prerë pyje pafund, etj, etj, lista e vendimeve të këqija është tepër e gjatë.
    Problemet e rënda…
    Problemet e rënda që shpërthyen vetëm me disa orë shi, nuk ishin as të paparashikuara dhe as të papritura. Të gjithë e dinë se, lumi do të dalë nga shtrati nëse argjinaturat nuk riparohen, nëse pritat malore nuk sistemohen, nëse kanalet nuk pastrohen e mirëmbahen, nëse programet për ndaljen e erozionit, ngelen vetëm në letër. E megjithatë, ne ende përdorim gabimisht termin “fatkeqësi natyrore” për një situatë që mund të shmanget vetëm me përkujdesje dhe me pak orë punë në kohë me diell. Ne ishim paralajmëruar, sepse me forcën e natyrës u përballëm edhe vitin e kaluar edhe dy vite më parë. Duke e ditur se situata e përmbytjeve do të përsëritej sapo të nisnin shirat e parë të vjeshtës, të gjithë u larguam nga zonat e prekura me premtimin se: “vitin që vjen do të marrim masa të forta”. Dhe… këto masa, as të forta dhe as të dobëta nuk u morën asnjëherë, si pasojë, edhe këtë radhë ndodhi ajo që pritej. Ajo që të habit në këtë situate është se individët janë aq të zhgënjyer, saqë shprehja që dëgjon më shumë nga brezi i prindërve dhe gjyshërve është: “Sikur të ngjallej edhe njëherë Enveri, qoftë edhe për një ditë, gjërat do ishin shumë ndryshe”. Moshatarët e mi, që nuk e kanë njohur kohën e Enverit, sepse kanë pasur fatin të lindim me ‘demokracinë’ tundin kokën me një buzëqeshje ironike si për të thënë; ‘Pleq të shkretë, akoma besoni në fantazma ju’? Epo kështu vazhdoni se me ato keni për ta gjetur shpëtimin!
    Brezi im
    Brezi im e sheh shpresën diku tjetër… dhe fatkeqësisht kjo është e vërtetë. Për ne shpëtimtare do jetë Amerika, Gjermania, Italia, Bashkimi Europian. Të rinjtë si unë, e ndiejnë veten të zhgënjyer, të rrënuar dhe pa të ardhme. Në këtë realitet hipokrit kemi marrë vendime jo të drejta kur na është kërkuar. Fatkeqësisht jemi në mëshirën e politikanëve, biznesmenëve, qeveritarëve e kriminelëve. Gjithsesi, besojmë dhe jetojnë me shpresën se këto “grupe elitare” do ta tejkalojnë masën aq shumë sa që, një ditë komunitetit ndërkombëtar do ti duhet të ndërhyjë…Ky realitet nuk është më problem ‘brezi’, është problem kombi, trashëgimie, integriteti e kulture. Rënia e gjithanshme ekonomike dhe kulturore përcillet me vende pune që pakësohen, mundësi mirëqenie që limitohen, rroga që nuk mjaftojnë, taksa që rriten, njerëz të varfër që penalizohen për vonesa në pagimin e një faturë dritash, pensionist në radhë për 2000 lekët e Vitit të Ri, etj, etj. Ndërkohë që ata…elitarët, krenohen me këtë realitet të pështirë dhe të pa denjë për shqiptarët e stërmunduar në shekuj.
    Ndryshimin duhet ta sjellin të huajt
    Fatkeqësisht mbizotëron ideja, se kjo situatë nuk është për fajin tonë, por na është imponuar dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndryshuar. Prandaj këtë ndryshim duhet ta sjellin të huajt,…., duhet ta sjellin ata që dinë të bëjnë shtet, ata që marrin dhe zbatojnë vendime në shërbim të vendit dhe popullit të vetë, pikërisht ata që i kanë mundësuar këtë pak jetë kësaj Shqipërie të coptuar. Kështu që ne vazhdojmë të presim që zemërgjerësia e tyre të bëhet një ditë e ardhmja jonë dhe fati ynë. Fakti është që, edhe brezi im i kapërceu 25 vjet duke pritur Moisiun. Duke pritur shpëtimtarin, të dërguarin e zotit që do na nxjerrë nga belaja dhe do na lirojë nga e keqja. Në pritje të zotërisë që do e tregojë mirësinë, të na hedhë mbeturinat e drekës së tij.
    Ndjenja e vendimmarrjes
    Duket se në Shqipëri, shumicës së njerëzve u është mpirë ndjenja e vendimmarrjes, janë futur në ‘guaskën’ e tyre të jetës familjare dhe personale. Kanë krijuar një botë iluzionesh ku jeta e tyre nuk u përket më, që i bënë ata viktimat fatkeqe të fatit të pamëshirshëm. Duke hequr dorë nga çdo lloji përgjegjësie dhe detyrimi. Kjo flluskë ‘iluzionesh’ mbahet gjallë vetëm nga besimi i patundur te zotëria zemërmirë. Për ato pak shpirtra fatkeqe që kjo flluskë shprese çahet, reagimet mund të jenë të paparashikuara dhe kaotike. Për ata që janë tepër të dobët, të frikësuar, të lidhur pas rregullave të një shoqërie të kultivuar, përgjigja gjendet sërish jashtë Shqipërisë, në instinktin për t’ia mbathur nga sytë këmbët. Për të tjerët, që natyra i ka bërë më të fortë reagimi është përballja. Në momentin kur kufijtë ligjorë dhe moral nuk janë më në gjendje ti mbajnë nën kontroll, këta individë e gjejnë shpëtimin tek ilegaliteti. Për ta realiteti tashmë mund të justifikojë gjithçka, drogën, vjedhjen, vrasjen …. 
    Kufijtë moral dhe ligjor 
    Kufijtë moral dhe ligjor nuk përbëjnë më një pengesë. Në kohën që ne jetojmë nuk ka gjë më të rrezikshme se humbja e shpresës. Para disa muajsh, pyeta një mësuesen time japoneze në lidhje me gjendjen dhe reagimin e tyre, pas hedhjes së bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki nga fuqitë fituese të luftës së dytë botërore. Ajo më shpjegoi, se pavarësisht dëmtimeve dhe fatkeqësive që ato dy bomba shkaktuan, ne (japonezët) ishim me shumë fat që nuk kishim shpresë për ndihmë nga jashtë, sepse…e kishim humbur luftën. Sipas saj, ishte pikërisht kjo “mungesë” shprese, që u dha fuqinë e nevojshme për t’ju futur rrugës së demokratizimit dhe inovacionit të pakthyeshëm. Sot, pas 60 vitesh, shoqëria japoneze jeton në një botë tjetër ku, sikurse nënkuptohet dhe pasojat e humbjes së shpresës mund të jenë të paparashikuara, por në raste të veçanta edhe pozitive. Por, për sa kohë që ekziston iluzioni, se mbijetesën tonë do ta sigurojë dikush tjetër, se të tjerët do paguajnë borxhet tona, se dikush tjetër do bëjë punën tonë dhe do të na sjellë të gjitha liritë, drejtësinë dhe integritetin, ne nuk do të ecim dot përpara, nuk do të jemi kurrë vetvetja…Ka ardhur momenti që ta lemë shpresën te zotëria zemërmirë dhe të marrim në dorë fatet e jetës sonë. Vetëm kështu do jetojmë si qenie njerëzore, me dinjitet dhe mirëqenie, në të kundërt do ta kalojmë edhe pjesën tjetër të jetës, duke pritur Moisiun…

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 20.01.2016
    Sigal