Arian Jaupllari:Shitblerja e diplomave për farmacistët është krim ndaj popullatës dhe përbën vepër penale

    501
    Sigal

    Intervista/Flet president i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Arian Jaupllari

    Në Shqipëri është kthyer në një fenomen negative shitblerja e diplomave të farmacistëve. Në lidhje me këtë fenomen ka folur në një intervistë për “Telegraf” president i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Arian Jaupllari.

     -Z.Jaupllari, a keni informacion nëse ekziston shitja e diplomave nga universitetet që diplomojnë farmacistë?

    -Së pari, do të korrigjoja fjalën “shitje” dhe  ta zëvendësoja me fjalën “shitblerje”.

    Pse?

    -Në këtë marrëdhënie tregtare kaq të fëlliqur, synohet të realizohet vetëm një qëllim, “PARAJA” dhe në mënyrë që kjo marrëdhënie tregtare të mund të ekzistojë, duhet të ketë detyrimisht një shitës dhe një blerës, madje ky i dyti është faktori që mban gjallë vazhdimësinë e kësaj marrëdhënieje. Së dyti, ky fenomen është pranuar dhe nga Ju mediat, të shkruara dhe elektronike. Po Jua risjell edhe një herë në kujtesë kur një shtetas italian, pa qenë fare në Shqipëri dhe pa ditur gjuhën shqipe, ka blerë një diplomë në një nga universitetet tona private, konkretisht te Universiteti Kristal. Së treti, për formimin bazë të profesionistit në fushën e shëndetësisë nuk ka mundësi të fitosh diplomën me korrespondencë, pa shkëputje nga puna, pa mësim në auditor dhe pa praktikë profesionale. Në gjithë universitetet e botës, profesionet në Mjekësi, Farmaci, Stomatologji, Infermieri dhe Veterinari fitohen vetëm nëpërmjet mësimit në auditor dhe praktikës profesionale në institucionet e shëndetit, si dhe një cikli studimesh unik që kërkon detyrimisht shkëputje nga puna. Së katërti, këtë fenomen të lakuriqësisë kriminale e kanë parë shumë sy, duke filluar me komshiun ku jeton, me bashkëmoshatarin e shkollës ku mëson, me drejtorin që e emëron, me ministrin që e urdhëron, me Kryeministrin që e mbron e deri në Kuvend, ku tunden diplomat e pamerituara për njëri-tjetrin. Së pesti, ky është degjenerim i kombit, profesionit, i brezave që po vijnë, është pabarazi morale, është kriminale.

    – Le të fokusohemi në Sistemin Universitar Farmaceutik. Sa universitete janë sot dhe prodhojnë farmacistë?

    -Janë shumë, më shumë se 10, nuk mund të jap një shifër të saktë, sepse në këtë moment që ju më pyesni mund të jetë duke u licencuar ose është licencuar dhe ndonjë tjetër. Saktësisht për këtë mund të mësoni në MASH. Ajo që mbetet shqetësuese është fakti se përse duhen kaq shumë universitete, kur vetëm Universiteti Shtetëror edhe me një kuotë nën 100 studentë në vit, do të ishte shumë në raport me nevojat që ka sot Shqipëria për farmacistë. Nëse Shqipërisë  i kanë vënë ndonjë kusht, që: të mund të pranohesh në Bashkimin Europian, duhet të furnizosh të gjithë vendet e Komunitetit Europian me farmacistë, atëherë kjo është diçka tjetër.

    -Z. Jaupllari, pse, në vendet e KE nuk ka universitete private që diplomojnë farmacistë?

    -Sigurisht që ka, por ka 100 herë më pak se tek ne dhe për të mos e zgjatur shumë, nuk ka dhe shitblerje diplomash. Ka edhe vende që nuk kanë universitete private, por nuk ka asnjë bazë krahasimi. Ne jemi vendi i parë në botë për këto lloj universitetesh.

    -Z.Jaupllari, pse e quani kriminale shitblerjen e diplomës së farmacistit?

    -Që është krim kundër njeriut, kjo nuk ka diskutim. “BARI” në vetvete është një armë e fuqishme në dorën e farmacistit, për të luftuar sëmundjen e një njeriu që vuan. Në rast se këtë armë ia jep një njeriu që nuk di ta përdorë, i cili nuk e ka parë atë asnjëherë, për më shumë nuk di as për fuqinë shkatërruese që ka për organizmin e njeriut, i përdorur nga duar të gabuara, atëherë ai ose do të vrasë të tjerët ose do të vrasë veten , në rastin e fundit do të ishte e keqja më e vogël. Askush nuk mund të luajë me armën “BAR”, aq më keq kur në Shqipëri njerëzit më shumë i drejtohen farmacistit sesa mjekut. Duhen vënë theksi tek efektet e dëmshme të barnave, të cilat mund të eliminohen vetëm nga farmacisti që ka kualifikimin e domosdoshëm për të mbrojtur njeriun nga rreziku për jetën. E pra, përdorimi i kësaj arme, si për të gjitha armët e tjera kundër personit, përbën vepër penale dhe duhet të dënohet si e tillë.

    -Mendoni se me këtë krahasim që bëtë keni trembur dhe farmacistin dhe pacientin?

    -Jo, përkundrazi. Kjo analogji është në të mirë të farmacistit dhe pacientit. Farmacistët e vërtetë, dallohen nga pseudo-farmacistët, sepse dinë ta përdorin armën “BAR”. Me ta, përdorimi i kësaj arme është në duar të sigurta, kurse pacientët duhet të jenë tepër vigjilentë: së pari , për të dalluar farmacistin e vërtetë nga pseudo-farmacisti. Së dyti, të lexojnë udhëzuesin për përdorimin e barnave. Sot ka shumë burime informacioni rreth barnave, të cilat mund të shfletohen prej tyre përpara se ata të vendosin t’i përdorin. Gjithashtu, kjo analogji i ndihmon ata për të ditur se sa të rrezikshme janë barnat kur përdoren pa kriter.

    -Pse e konsideroni si degjenerim të kombit dhënien e diplomave të pamerituara?

    -Që është e tillë nuk ka asnjë diskutim, të gjithë e kuptojnë dhe janë të qartë. Problemi qëndron tek përgjegjësia e madhe që ka shteti, si garantues i shëndetit të qytetarëve të tij për sot dhe të ardhmen. Për sot, e shpjeguam më lart që një farmacist me diplomë të blerë, i cili nuk ka vajtur asnjë ditë në shkollë, me armën “BAR” po vret një ose disa persona. Lind pyetja: “Po nesër? Nesër çfarë do të ndodhë? Cilat janë pasojat?”. Krimi është i shumëfishtë pasi ky farmacist i sotëm nesër do të mësojë brezat e ardhshëm të farmacistëve dhe nëse sot dëmton një njeri, nesër do të jenë 101 e kështu me radhë.

    Ja pra, pse duhet të ndalojmë këtë fenomen, për të mos degjeneruar memorien e profesionit dhe kombit.

    -Zoti Jaupllari, pse është pabarazi morale?

    -Profesionistët e shëndetit, gjatë ushtrimit të profesionit udhëhiqen nga Kodi i Etikës dhe Deontologjisë. Ata, në momentin që hyjnë në radhët e anëtarësisë së Urdhrave Profesionalë në fushën e mjekësisë, bëjnë Betimin e Hipokratit, me anë të të cilit betohen solemnisht se jetën e tyre do ta venë në shërbim të njerëzimit. Morali i profesionit e kërkon që këtë betim mund ta kryejnë vetëm ata që e mësojnë profesionin, por jo ata që e blejnë atë me para. Kjo është një pabarazi e madhe jo vetëm profesionale, por me shumë morale. Nuk mund të betohesh mbi një gjë kur nuk e ke këtë të drejtë. Kodi i Etikës Profesionale nuk ta lejon një gjë të tillë. Ky lloj betimi, pastaj, quhet jo i Hipokratit, por i “Hipokritit”. E thashë që në fillim që blerësi i diplomave krijon vazhdimësinë e fantazmave universitare. Ky moral duhet të ngrihet mbi ta. Para se të bëjnë këtë betim, duhet t’i drejtohen pasqyrës për të parë veten në momentin e vendimmarrjes së kësaj rruge. I pari ai që do ta ushtrojë atë, pastaj prindi dhe e gjithë shoqëria.

    – Cila është zgjidhja qe ju mendoni?

    -Çdo gjë ka një zgjidhje, madje dhe më shumë se një të tillë. Problemi qëndron te vullneti i munguar deri më sot për ta gjetur zgjidhjen, duke e lënë këtë fenomen në rrjedhje të lirë. Ka shumë eksperienca nga vendet e KE-së apo rajonit, por edhe Kosova që i kanë dhënë zgjidhje shumë të mirë këtij problemi. Është bërë gjysma e hapit të parë pozitiv, vendosja e provimit të shtetit, megjithëse konsiderohet një barrierë e lehtë për t’u kapërcyer. Forcimi i kësaj barriere, duke rritur standardet, do të shënonte hapin e parë të plotë në këtë drejtim. Së dyti, pas një studimi të domosdoshëm të sistemit farmaceutik në fushën e shërbimit, mund të vendoset mbyllja e universiteteve private që diplomojnë farmacistë. Së treti, forcimi i kapaciteteve në burime njerëzore dhe bazë logjistike në Universitetin Shtetëror të Farmacisë, do të rriste cilësinë e farmacistëve të diplomuar prej tij.