Arian Jaupllari:Barnat e falsifikuara vrasin

    484
    Sigal

    SKANDALI/Arian Jaupllari, presidenti i Urdhrit të Farmacistëve flet për barnat e falsifikuara si një problem global

    Në tregun tonë farmaceutik qarkullojnë  barna të falsifikuara.  Ky është një shqetësim për  të cilën qytetarët tanë janë në panik. Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, Arian Jaupllari, tregon se fenomeni është prezent edhe në vende të tjera të botës.  “10 për qind e barnave janë të falsifikuara dhe qarkullojnë në vendet e Europës dhe në Amerikë, mendoni se çfarë ndodh në vendet e tjera, ku sistemi i kontrollit është në nivel të ulët. Mendoj që këtu mund të ketë edhe barna të falsifikuara”, thotë Jaupllari. Përsa i përket mbrojtjes nga ky fenomen ai shprehet se “Asnjë shtet nuk është i mbrojtur nga ky problem, megjithëse disa janë shumë më të ekspozuar ndaj tij sesa disa shtete të tjera. Rrjetet e falsifikimit po bëhen më të sofistikuar dhe zbulimi po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Masa të thjeshta, të tilla si bar-kodi, mbikëqyrja ndërkombëtare dhe edukimi i pacientëve, ofruesve të kujdesit shëndetësor dhe farmacistëve nuk janë tashmë të mjaftueshme”. Sipas Jaupllarit barnat nën standard janë një problem i zakonshëm në tregtinë ndërkombëtare, por medikamentet e falsifikuara e çojnë këtë problem një hap më tutje. “Nëse nuk ke një agjensi funksionale për rregullimin e barnave, atëherë nuk mund të kontrollosh ofertën e barnave, nuk mund të forcosh kontrollet kufitare, të dënosh falsifikatorët apo të ç’rrënjosësh ryshfetet dhe korrupsionin” thotë Jaupllari.

    Cilat quhen barna te fallsifikuara, klasifikimi dhe pasojat e tyre

    Bar i falsifikuar quhet mjekimi i prodhuar dhe shitur me qëllim mashtrimi të origjinës duke u paraqitur si bar i efektshëm dhe i vërtetë. OBSH e klasifikon një bar si të falsifikuar nëse ky:  nuk ka asnjë përbërës aktiv; kur ka substancën e gabuar; kur substancën e duhur  e ka në sasi të gabuar; kur ka etiketim të gabuar dhe kur është ndryshuar data e skadimit në ambalazhin e barit. Kreu i Urdhrit të Farmacistëve thotë se “barnat e falsifikuara klasifikohen nga këto  karakteristika:1)Barna të ri-etiketuara të skaduara më parë ose defektoze që mendohen si jo të papërshtatshme për përdorim; 2)Barna të ri-etiketuara ku lënda vepruese hollohet me qëllim mashtrimi; 3)Barna të ri-etiketuara ku lënda vepruese është e falsifikuar; 4)Barna të ri-etiketuara ku lënda vepruese është zëvendësuar; 5)Substanca me etiketa të falsifikura të çdo përbërje ku lënda vepruese është plotësisht e shtrembëruar; 6)Substanca me etiketa të fallsifikura tek të  cilat hasen një ose më shumë nga kriteret e lartpërmendura…” Ndërsa pasojat e barnave false janë shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut deri dhe ne vdekjeprurëse, shprehet kreu i UF. “Pasojat nga barnat false   janë : mungesë veprimi terapeutik, efekte anësore të  paparashikuara, reaksione alergjike, rezistencë mikrobike, përkeqësim të gjendjes  shëndetësore si dhe helmime  vdekjeprurëse”. Jaupllari thotë se në të gjitha rastet joshja e  konsumatorëve vjen me premtime për barna të lira që nuk kanë nevojën e përshkrimit nga mjeku. Sipas tij barnat e rreme nuk janë vetëm një problem i Botës së Tretë, ky është  një fenomen me rritje shqetësuese edhe në vendet e pasura. Barnat e falsifikuara janë të të gjitha llojeve: që prej antibiotikëve deri te vaksinat, nga antiretroviralët deri tek atorvastatina “normale”. “Ka falsifikues të izoluar të barnave, që riciklojnë kutitë e barnave të skaduara që  mblidhen në mbeturinat e spitaleve dhe farmacive të mbushura me substanca inerte. Ka edhe tipe të barnave false: “perfekte”, si kopjet identike, por jo të lejuara, barnat e rreme të cilave u mungojnë përbërësit aktivë deri tek barnat që përmbajnë përbërës helmues” thotë kreu i Urdhrit të Farmacistëve.

    Shembuj tragjikë të përdorimit të barnave false

    Haiti e Bangladesh  paracetamoli i rremë, i cili në vend të propilen glikolit kishte dietilen glikol, shkaktoi vdekjen e më shumë se 70 fëmijëve e shumë dëmtime të veshkave

     Nigeri, vaksinat false kanë shkaktuar  vdekjen nga meningitit të 2500 njerëzve.                                                                                                               Kinë 192000 pacientë kanë vdekur pasi u mjekuan me barna të rreme. Autoritetet  mbyllën 1300 fabrika ndërkohë që hetuan 480000 raste falsifikimi me vlerë 57 milionë USD.

    Barnat e produktet biologjike të falsifikuara

    Afrika Qendrore Antiretrovitalët. Janë identifikuar versione të rreme të kombinimeve të barnave stavudine-lamivudine-nevirapien dhe lamivudine-zidovudine.

    Argjentinë, në dy vitet e fundit një përgatitje me bazë hekuri ka çuar në vdekjen e disa grave shtatzëna.

    Fluarix të fallsifikuar, vaksina  anti-grip që u zbulua  para një fushate anti-grip në Brazil, e cila kishte për qëllim të shiste 18 milion vaksina të fallsifikuara. Barazilianët zbuluan edhe 13 raste të ngjashme të falsifikimit të vaksinave .                                                                                                                   Në Nigeri u konfiskuan 250 produkte bilogjike të fallsifikuara që ishin vaksina kundër meningitit dhe kundër kolerës.
    Në Kochi, Indi,  falsifikimi i imunosupresorëve për të mbështetur një projekt të transplantit të organeve kapte vlerën e 11.000.000 dollarëve.

    Në vendet e zhvilluara                                                                                    Kanada/Alprazolami; është gjetur përqindje në nivele të larta të aluminit, titaniumit, arsenikut dhe metaleve të tjera.                                                                                                                SHBA/Xsenical dhe Cavinton (kardiovaskular) ; nuk përmbanin asnjë përbërës aktiv dhe shiteshin nëpërmjet faqes së internetit që operonin jashtë Shteteve të Bashkuara.                                                                                     Rusi/Rreth 600 kuti të rreme Cavinton që u zbuluan në depo  përmbanin substanca të huaja.                                                                                            Angli/Zyprexa ; përbërësi aktiv ishte në sasi  të pamjaftueshme.                                                    Spanjë/ Nadrolone ( osteoporoze dhe anemi aplazice). Bari kishte sasi të pamjaftueshme të përbërësit aktiv.                                                                                                                                     Singapor/Cialis ; përqindje shumë e ulët e përbërësit aktiv.                                                       Kinë/Viagra ; përqindje e ulët e përbërësit aktiv i falsifikuar në mënyrë perfektë me barin e vërtetë të Phaizerit.

    ALARMI/Islam Cani, kreu i SHKSH-së: Jeta e konsumatorit në rrezik nga barnat e falsifikuara

    Islam Cani, kreu i Konsumatorit Shqiptar shprehet për “Telegraf” se qytetarëve tanë u rrezikohet jeta nga papërgjegjshmëria e farmacistëve të cilët tregtojnë barna të falsifikuara. Cani thotë se “konsumatorët ankohen se barnat mjekësore të blera e të përdorura nuk japin efektin e kërkuar apo të dëshiruar. Sipas tyre ilaçet kanë falsifikim në dt. e skadencës. Këtë e bazojnë tek: mungesa e dhënies se efektit, në thëniet e refugjatëve që ndodhen jashtë vendit e që punojnë në sektorë të tillë prodhimit, të ambalazhimit, dhe të etiketimit. Këtyre produkteve në pragun e skadencës jo më shumë se 2-3 javë deri në 3 muaj u ndërrojnë etiketën dhe u vendosin një më të lirë nga ai që ishte më parë me qëllim që të tregtohen e të pëlqehen nga blerësi apo pacienti”. Kreu i SHKSH-së shkon më tej duke treguar dhe origjinën e këtij problemi. “Shumë produkte të tilla vijnë me çanta nga persona që ndodhen jashtë, të cilët bashkëpunojnë me farmacistë dhe furnizojnë edhe farmaci të tjera në bashki e komuna të vogla të vendit, sidomos për barnat e përdorimit të përditshëm e më të kërkuara si: për hipertensionin, diabetin, për produktet e kozmetikës që shiten në farmaci, për ilaçe të aparatit gastro- intestinal etj. Realisht në vendin tonë është bërë një punë e mirë rreth etiketimit të ilaçeve dhe rreth informacionit në gjuhën shqipe, por përsëri mbeten një numër i madh i produkteve farmaceutike pa etiketa. Janë pikërisht këto barna pa etiketa, ndonëse dhe paksa më të lira që vijnë jo nga depot, por nga persona të profesioneve të ndryshme të paligjëruar e të palicensuar. Në ambalazh të paketimit është e detyrueshme, që pulla të ketë çmimin, datën e kontrollit, datën e skadencës, nr e serisë të dukshme, identifikimin, tvsh-në, emrin, dozën e barit si dhe barkodin që është element shumë i rëndësishëm sigurie për konsumatorin”.