Arian Jaupllari/ Tatimorët e Bashkisë janë turrur pas Kryqit të Farmacisë

    384
    Sigal

    Në Shqipëri kryqin e quajnë reklamë dhe duhet të paguajnë taksë tabele për të, farmacistët apel Lulzim Bashës dhe Qeverisë

    Farmacia si një njësi e kujdesit shëndetësor duhet të jetë lehtësisht e dallueshme nga e gjithë popullata apo të sëmurët që kanë nevojë për barna e materiale mjekësore. Shenja dalluese kryesore e farmacive në të gjithë botën është kryqi simbolik simetrik me ngjyrën jeshile. Kryqi  me ngjyre të kuqe dhe ai me ngjyrë jeshile, është simboli kryesor për të treguar se kemi të bëjmë me një institucion apo njësi të kujdesit shëndetësor. Dallimi i këtij kryqi nga ai që vendoset në institucionet fetare është pikërisht simetria e tij. Në institucionet fetare apo vende të tjera deri dhe në varreza kryqi është i ndryshëm përsa i përket asimetrisë dhe ngjyrës së tij. Pra, dallimi midis tyre është i dukshëm nga të gjithë, të shpresojmë të jetë dhe për inspektorët tatimorë të Bashkisë së Tiranës. Konceptimi dhe dizenjimi i kryqit të institucioneve të kujdesit shëndetësor në gjithë botën është bërë i tillë dhe është shndërruar tashmë në simbol të shëndetësisë. Dizenjimi me ngjyrën e kuqe dhe jeshile është bërë me qëllimin e vetëm për të dalluar shërbimin shëndetësor nga ai farmaceutik.  Kryqi i farmacisë në shumicën e vendeve të botës, por edhe në vendin tonë ka të vendosur në qendër të tij kupën me gjarpër. Në të gjithë botën askush nuk paguan detyrim për të. Paradoksi ndodh vetëm në Shqipëri. Kryqin e quajnë reklamë dhe duhet të paguajnë në varësi të madhësisë së tij taksë tabele. Ky është një fenomen i përsëritur që ndodh shpesh me fushata ndaj farmacisë. Pasi bëjnë bilancet e këqija të taksave vendore, për të mbuluar defiçitet, tatimorët vendorë i drejtohen dhe farmacisë. Sigurisht që në këtë rast kanë dhe favorin, që këto njësi janë lehtësisht të dallueshme nga e gjithë popullata e jo më nga syshqiponjat  gjahtarë të bashkisë.  Tatimorët e bashkisë së Tiranës e kanë nisur këtë fushatë edhe për një fakt tjetër , sepse janë të bindur që nuk do të dalin pa gjah nga numri i madh i farmacive, të cilat janë hapur falë reformave shkatërrimtare të sistemit farmaceutik nga qeveria që farmacistët nuk duam ta kujtojmë më. Apeli i farmacistëve shkon për kryetarin e Bashkisë së Tiranës zotin Basha, i cili duhet të ndërhyjë urgjentisht për të ndaluar gjahtarët e farmacive, sepse me këtë vrull që kanë marrë do të drejtohen edhe nga kryqet e varreve për të kërkuar taksa nga të vdekurit. Apeli i dytë shkon për qeverinë shqiptare, e cila duhet të rishikojë urgjentisht ligjin e barnave dhe shërbimit farmaceutik.

    *President i UFSH