Arian Jaupllari: Stop favorizimit klientelist për regjistrimin e barnave

    411
    Sigal

    Një urdhër me nr. 447, datë 12.08.2013, i Ministrit të Shëndetësisë, për bllokimin e regjistrimit dhe riregjistrimit të barnave, të shpresojmë të jetë i fundit nga të gjitha ligjet, vendimet, udhëzimet dhe urdhrat që kanë dalë deri më sot në mbrojtje të pullës fiskale të barnave. Kjo pullë për barnat, si e vetme në gjithë botën në llojin e saj, paska qenë shumë e fuqishme përderisa ka angazhuar kaq shumë burime njerëzore për t’u marrë me një proces, i cili të mund të detyrojë kompanitë farmaceutike prodhuese të ndryshojnë procesin teknologjik për të vendosur një pullë shqiptare. Pasi dështuan të gjitha përpjekjet absurde, së fundi  ka dalë një urdhër që i ve kapak të gjitha marrëzive për këto dy vjet. Ky është urdhri më kot dhe më diskriminues. Nëpërmjet tij detyrohet QKKB-ja të ndalojë çdo aplikues për regjistrim dhe riregjistrim barnash, të cilët nuk pranojnë të vendosin pullën në vendin e origjinës, pa marrë parasysh se ata nuk e kanë problem fare të tërhiqen për shkak edhe të sasisë së vogël që kërkon tregu farmaceutik shqiptar dhe të sëmurët të mbeten pa barna. Të marrim një shembull të thjeshtë për një kompani farmaceutike,  e cila ka për momentin 10 barna të regjistruara dhe në qarkullim. Ajo kërkon të aplikojë pranë QKKB për të regjistruar një bar të ri dhe të riregjistrojë dy barna, të cilave u mbaron afati normal i regjistrimit pesë vjeçar. Çfarë do të ndodhë? Së pari, do të bllokohet regjistrimi i një bari që në rastin konkret do të jetë shumë i domosdoshëm për jetën e të sëmurëve dhe ata nuk do të mjekohen. Së dyti, nevoja e të sëmurëve për ta siguruar atë, do të nxisë kontrabandën dhe kontrabandistët, do të varfërojë xhepat e qytetarëve. Së treti, do të bllokohen dy barna që janë alternativa të para në listën e rimbursimit. Së katërti, do të mungojnë dy barna, të cilat janë tenderuar dhe kanë lidhur kontratën për të mjekuar të sëmurët në spitale. Së pesti, 10 barnat e kësaj kompanie, të cilat janë të regjistruara vazhdojnë të marrin pullat te QKKB-ja dhe e kanë të drejtën  të jenë në qarkullim. Së gjashti, si pasojë e kësaj, kompania farmaceutike prodhuese ka të drejtë të apelojë për zbatimin e standardeve të dyfishta për të njëjtin prodhues. Së shtati, në këtë mënyrë ky proces nuk do të këtë as një fillim, por dhe as fund. Së teti, amullia në tregun farmaceutik do të vazhdojë. Së nënti, të humbur në gjithë këtë proces janë të sëmurët, nevojtarë për barna. Së fundi, i vetmi fitimtar në këtë proces është koncensionari i paracaktuar jo vetëm me ligj, por dhe me “maliq”,  që në vitin 2009. Ky është turpi i fundit i historisë së pullës “ fisk-hale”.