Arian Jaupllari: Rimbursimi i barit sipas klasave, apo rimbursimi i sëmundjes sipas diagnozave?

    451
    Sigal

    Para shekullit të IX-të, kur nuk ishin të ndara profesioni i mjekut dhe farmacistit, por ato i ushtronte i njëjti profesionist, ekzistonte një masë rimbursimi nën zë. Kur vizitoheshe tek mjeku dhe merrje barnat po aty, barnat t’i jepte me çmim më të ulët, në krahasim me një të sëmurë që ishte vizituar në vend tjetër dhe te ky mjek merrte vetëm barnat. Ideja e rimbursimit të sëmundjes ka evoluar dhe është aplikuar në mënyra e forma të ndryshme në rendet ekonomiko-shoqërore të njohura në historinë njerëzore. Sot ideja e rimbursimit të sëmundjes është e pranuar nga të gjithë, si një detyrim i shoqërisë ndaj çdo individi në nevojë. Skemat e implementimit janë të ndryshme në vende të ndryshme, por ka një tendencë të prodhimit të madh farmaceutik botëror për ta tërhequr rreth rimbursimit të barit në krahasim me rimbursimin e sëmundjes. Në vendin tonë, që prej vitit 1993, është aplikuar rimbursimi i barit sipas një liste thelbësore të kufizuar, e cila është zgjeruar vit pas viti. Kanë kaluar 20 vjet dhe vazhdon e njëjta traditë duke hequr disa barna dhe duke shtuar disa të reja.

    Çfarë është vënë re gjatë këtyre viteve?

    -Nuk është zbatuar asnjë politikë e re në sistemin e rimbursimit për të ndryshuar statukuonë; Nuk rimbursohet pacienti, por bari dhe nuk ka transparencë ndaj pacientit për masën e përfitimit; Abuzohet me barnat e alternativës së parë dhe me çmimin e tyre; Ka humbur besimi i pacientëve për alternativën më të lirë; Politikat e Ministrisë së Shëndetësisë janë fokusuar vetëm te bari; Nuk ka statistika të sakta për sëmundjet kronike dhe diagnozat e pa mbuluara; Nuk zbatohen metodat e farmako-ekonomisë për kosto-efekshmërinë e barnave; Pacienti në sistem evidentohet me koston e barit dhe jo me koston reale të mjekimit; Shërbimi parësor mundohet t’ia kalojë barrën shërbimit spitalor duke mjekuar më lirë dhe në fakt e ka koston më shtrenjtë; Hallkat e sistemit nuk bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për lëvizjet e pacientit në sistem, prandaj është rritur invaliditeti dhe barra ndaj shoqërisë.

    Pra, sot sistemi i rimbursimit vlerësohet nëse është ose jo i suksesshëm nga bari, por duke mos qenë pacienti në qendër të sistemit shëndetësor, ka prishur ekuilibrat me të cilat mbahet ky lloj sistemi. Pasojat e këtij dizekuilibri janë nga më të çuditshmet.

    -Kjo ka nxitur dhe inkurajuar që shumë kapitale të lira të drejtohen në sistemin shëndetësor dhe akoma më shumë në fushën e barnave. –Ka hapur orekse që të operojnë në importimin e barnave mbi 300 importues farmaceutikë, duke zënë kështu vendin e parë në botë. -Ka nxitur artificialisht konsumin e barnave të panevojshme. -Ka nxitur hapjen e universiteteve private që prodhojnë farmacistë. – Ka nxitur hapjen e farmacive vend e pa vend duke zënë përsëri vendin e parë në botë për numër popullsie. –Ka nxitur te farmacistët premisat më të këqija të mbijetesës në një sistem pa rregulla profesionale e kritere teknike duke kultivuar dhe ndenjën e armiqësisë mes tyre. –Ka përdhosur profesionin e farmacistit, duke i dhënë shpesh karakter tregtar, sepse dhe tregtarët mund ta ushtrojnë atë. – Ka pamundësuar kapacitetet e QKKB-së për kontrollin e barit dhe cilësisë së shërbimit farmaceutik në territor. -Ka përqendruar të gjitha kapacitetet e kontrollit të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor në kontrolle vetëm në fushën farmaceutike, për barnat e listës dhe jashtë saj edhe pse 30% të buxhetit total të barnave menaxhohet nga një pseudo farmaci në QSUT, jashtë të gjitha kushteve teknike të shërbimit dhe radhëve të gjata e sorollatjes si dhe pakënaqësisë së pacientëve. -Ka lëkundur besimin e qytetarëve për cilësinë, sigurinë dhe efektshmërinë e barnave. –Është ulur ndjeshëm masa e përfitimit të pacientëve nga rimbursimi, si pasojë e konkurrencës së pandershme mes alternativave të barnave me diferenca marramendëse çmimi mes tyre. -Ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet mes mjekëve specialistë dhe të familjes, por dhe të pacientëve, për shkak të limiteve të rimbursimit për çdo mjek familje. -Ka dëmtuar marrëdhëniet mjek-farmacist-pacient, për shkak të lidhjeve korruptive me recetat me rimbursim. -Ka nxitur shumë mjekë familjesh të blejnë diploma farmacisti dhe të kenë farmacitë e tyre, ku vetë vizitojnë, shkruajnë dhe ekzekutojnë recetat. –Ka nxitur dhe inkurajuar korrupsionin me recetat fiktive. -Ka rënduar më shumë xhepat e qytetarëve me barnat që nuk i fitojnë dot me rimbursim, sepse nëpërmjet recetave pa rimbursim të lëshuara nga mjekët dhe barnave të dhëna nga farmacistët, mund të bësh udhëtime turistike të ofruara nga disa kompani farmaceutike xhenerike, që janë katandisur në agjenci turistike. -Është kthyer në fenomen nga ministrat e radhës favorizimi i kompanive të veçanta për futjen e barnave në listën e rimbursimit. –Shtesat në listën e barnave të rimbursueshme bëhen jashtë çdo kriteri shkencor dhe kosto efektiv, madje rimbursohen formëdoza kombinimesh komode, që gllabërojnë shuma të konsiderueshme të buxhetit për barnat. –Ka tjetërsuar idealizmin e mirë të gjithë aktorëve të sistemit, nga një ide, “në ndihmë të pacientit në nevojë”, në palo ide, “përfitim për xhepin tim”, në dëm të shëndetit të tij.

     A duhet të reformohet sistemi i rimbursimit të barnave?

    Të gjitha problematikat e hasura në këto vite janë në kurriz të qytetarit, pacientëve, por dhe shoqërisë në tërësi, e cila paguan shumë shtrenjtë dhe përfiton shumë pak. Problemi më i madh është se nëse vazhdohet kështu, fenomenet negative do të shtohen pa fund.

    A duhet të qëndrojmë kështu? A duhet të reformohet sistemi i rimbursimit të barnave? Të parët, përfituesit do të thoshin “Po”!

    Ka dy mënyra për të eliminuar pasojat që rrjedhin nga rimbursimi i barit: E para, rimbursimi i sëmundjes për çdo diagnozë, së dyti, rimbursimi i klasës së barnave sipas klasifikimit ATC. Në vazhdim të këtyre ideve, personalisht, jam për rimbursimin e sëmundjes. Rimbursimi sipas klasës së barnave është shumë me e mirë se rimbursimi i çdo bari që zbatohet sot dhe mund të eliminojë mbi 50% të fenomeneve të këqija të pjella deri sot, por pacienti mbetet përsëri satelit i sistemit. Rimbursimi i sëmundjes për çdo diagnozë ka përparësinë kryesore, sepse, realisht, është e vetmja mënyrë që e vendos pacientin në qendër të sistemit shëndetësor dhe e ndjek atë në të gjitha hallkat e tij. Kjo mënyrë rimbursimi mund të eliminojë mbi 95% të fenomeneve negative të sistemit të sotëm dhe ka më pak premisa për fenomene negative të reja. Kjo mënyrë bën që pacienti ta ndiejë realisht se është në qendër të sistemit. Ai fiton dinjitet dhe është i ndërgjegjshëm se sa përfiton nga transparenca e këtij sistemi. Kjo mënyrë nxit edhe pacientin të bëhet pjesë aktive e sistemit shëndetësor dhe të kontribuojë për shëndetin e tij. Kjo shëron jo vetëm pacientin, por edhe sistemin shëndetësor e sëmurë 20 vjeçar.importues farmaceutikë, duke zënë kështu vendin e parë në botë. -Ka rënduar më shumë xhepat e qytetarëve me barnat që nuk i fitojnë dot me rimbursim, sepse nëpërmjet recetave pa rimbursim të lëshuara nga mjekët dhe barnave të dhëna nga farmacistët, mund të bësh udhëtime turistike të ofruara nga disa kompani farmaceutike xhenerike, që janë katandisur në agjenci turistike.