Arian Jaupllari/ Alarmi “ SOS” që dhanë aktorët dhe profesionistët e vërtetë të sistemit farmaceutik shkoi në vesh të shurdhët

    449
    Sigal

    Sistemi farmaceutik, emisioni  “Ça thu” dhe ne mbrojtësit e tij

    Ndihem shumë i shqetësuar,  pas një shfaqje në tre ditë radhazi  nga emisioni investigativ  “Ça thu”, i cili vërtetoi se alarmi i dhënë nga të gjithë aktorët e sistemit farmaceutik për shkeljet ligjore të Ministrit të Shëndetësisë, jo vetëm paska qenë i drejtë, por dhe shumë i afërt në kohë. Unë personalisht, për shkak të pozicioneve që kam pasur në 15 vitet e fundit në sistemin farmaceutik dhe kam marrë pjesë aktive në konsolidimin dhe mbrojtjen e tij, ndihem i skandalizuar. Në takimin e zhvilluar në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë më datën 22 Prill 2014 specialistët shprehen shqetësimin ligjor, profesional, moral dhe qytetar se: Sistemi farmaceutik po bie. Na erdhi keq që drama paska ndodhur! Ideatorët e ministrit paskan pasur gati platformën e rrëzimit gradual të tij. Paska rënë institucioni i mbrojtjes së tij, QKKB, si përgjegjësi kryesor i garancisë për sigurinë, cilësinë dhe efektshmërinë e barnave. Populli shqiptar pa me zë dhe me figurë këtë realitet të hidhur, kërcënues për jetën e tij. Në retrospektivën e analizës së atij takimi, ku u thirr për t’u dëgjuar, por nuk erdhi, edhe Ministri i Shëndetësisë, i cili me sa duket e paska ditur këtë gjë dhe prandaj i trembej përballjes me aktorët e sistemit që synonin mbrojtjen e tij. Ne i informuam për pasojat e mundshme. Për fat të keq QKKB paska rënë!  Në momentin kur bie QKKB, bien  funksionet dhe përgjegjësitë e saj. Ja çfarë vërtetoi emisioni “Ça thu”:

    1. Nuk ka më nevojë për regjistrim të barnave, sepse Pëllumbi “i kobshëm”, sjell barna të regjistruara me import paralel, gjë të cilën e bëri dhe Ministri i Shëndetësisë, që nëpërmjet autorizimeve të importit  për barna të regjistruara, legalizoi importin paralel, në kundërshtim të plotë me Nenin 47 të Ligjit 9323, datë 25.11.2004 “ Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”.

    2. Ka rënë koncepti i importuesit  të autorizuar, sepse Pëllumbi “postier importues”, të sjell çfarë të duash, nga të duash, sa të duash dhe me çmim të negociueshëm. Të njëjtën gjë bën dhe ministri duke ju dhënë të drejtën të pa autorizuarve të sjellin sa të duan, si të duan dhe nga të duan, me çmime te negociueshme dhe tejet ekonomike.

    3. Ka rënë kontrolli i barnave, sepse me pulla të pajis jo vetëm QKKB,  por dhe Pëllumbi ”pullaxhi”. Ku t’i ketë gjetur ai vallë?! Importuesit e ligjshëm duhet ta mirëkuptojnë QKKB-në në sorollatjet që u bën për pajisjen me pulla. Ndoshta “pëllumbat “ janë më të shpejtë dhe nuk i raportojnë askujt.

    4. Është vërtetuar shqetësimi se do të vërshojnë barnat e falsifikuara, pasi ju e patë me sytë dhe e dëgjuat me veshët tuaj, formën më të rëndomtë të falsifikimit të barnave, riciklimin e barnave të skaduara. Patë me sytë tuaj, Pëllumbin “falsifikator” që vendos pullën e sigurisë mbi datën e skadencës.

    5. Ka rënë kontrolli financiar për barnat e listës së rimbursimit, i cili bëhet vetëm  nëpërmjet faturave të lëshuara nga shpërndarësit e kontraktuar, sepse Pëllumb “anonimi” nuk lëshon asnjë faturë për barnat e rimbursueshme.

    Kjo rënie ndodhi kaq shpejt, pasi të gjitha institucionet shtetërore të sistemit farmaceutik, kanë harruar detyrat e tyre funksionale dhe janë investuar në mbrojtje të Ministrit të tyre. Madje, kanë thirrur për ndihmë, edhe disa përfaqësues të kompanive xhenerike, por impakti është më i keq, pasi me dorën e tyre e paraqesin para publikut, si një sistem në amulli. Ndërkohë që OBSH ka paralajmëruar qeveritë e vendeve anëtare të saj se: Kur aktorët dhe faktorët e sistemit dhe institucionet përgjegjëse të sigurisë së barnave ulin vigjilencën, falsifikatorët shqyejnë sytë dhe hapin veshët, për ta shfrytëzuar atë.

    Mendoj se situata në sistemin farmaceutik është alarmante, pacientet janë të frikësuar, mjekët po ndihen edhe më të pasigurt në mjekimin e sëmundjes, farmacistët nuk po kuptojnë më asgjë se çfarë po ndodh. Po mbizotëron një krizë besimi për sistemin shëndetësor në tërësi, sepse bari është ai që bën finalizimin e mjekimit.

    Në këto kushte, ende sa është akoma herët, mendoj se të gjithë pa përjashtim të kontribuojmë për të kthyer besimin te sistemi shëndetësor e farmaceutik dhe qytetari shqiptar. Faktorët dhe aktorët e sistemit duhet të ulen së bashku në tavolina të rrumbullakëta dhe të bashkëpunojnë për vazhdueshmërinë dhe reformimin e tij. Kuvendi i Shqipërisë në tërësi dhe deputetë në veçanti, të cilët janë në dijeni të plotë të kësaj situate, duhet të parashikojnë iniciativa vendimmarrëse për forcimin e sigurisë së barnave dhe sigurisë kombëtare. Qeveria shqiptare duhet të ushtrojë përgjegjësitë e saj ndaj shkelëseve të ligjit, institucioneve përgjegjëse duke u bërë garanti i bashkëpunimit të të gjithë faktorëve dhe aktorëve të sistemit farmaceutik. Për të gjithë pa përjashtim, mbrojtja e jetës së qytetarëve është detyrim kushtetues.