Ardian Takaj: Nuk i trembemi Beshiktashit, për fitoren 100 mijë euro

641
Për ndeshjen e sotme në UEFA Europa Ligë mes Skënderbeut dhe Beshiktashit të Turqisë, Presidenti i skuadrës korçare Adrian Takaj, tregohet besimplotë dhe optimist se do të arrihet një rezultat i mirë. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, Takaj tregoi edhe detaje të tjera të përgatitjes së kësaj sfide. “Ne do të përballemi si të barabartë me kundërshtarin, sepse për kundër emrave të skuadrave që kemi në grup, nuk mendojmë që në këtë pjesëmarrje të parë të jemi thjesht vizitorë”, theksoi midis të tjerave në intervistën e tij Presidenti i Skënderbeut.
Z. Takaj, 24 orë para sfidës me Beshiktashin, cilat janë emocionet tuaja si President i Skënderbeut?

Është e pranueshme që në të tilla nivele të mëdha edhe emocionet të jenë të tilla. Është hera e parë që përballemi me kundërshtarë në grupet e UEFA-s dhe kjo na e ka shtuar më shumë përkushtimin që të përballemi me dinjitetin e duhur nesër (sot) në “Elbasan Arena”. Përkushtim dhe emocione për të kërkuar më të mirën.
Dhe për këtë “më të mirën” që deklaroni ju si President, si është përgatitur skuadra?

Në këndvështrimin tim si President, kam parë se itensiteti stërvitor në prag të kësaj sfide të rëndësishme për historinë e klubit të Skënderbeut, ka qenë i lartë. Ka seriozitet si nga trajneri ashtu edhe nga futbollistët, çka na bën të besojmë se i kemi mundësitë të marrim rezultat pozitiv.
Për të marrë këtë rezultat pozitiv, nuk i trembeni emrit të kundërshtarit?

Absolutisht jo. Skuadra është e gatshme që në fushën e lojës të japë maksimumin. Ne do të përballemi si të barabartë me kundërshtarin, sepse për kundër emrave të skuadrave që kemi në grup, nuk mendojmë që në këtë pjesëmarrje të parë të jemi thjesht vizitorë.
Nuk e keni menduar edhe anën tjetër, se ky synim mund ta verë skuadrën tuaj nën presion?

Ne nuk e kemi menduar kështu synimin tonë, sepse kemi shanset dhe mundësitë tona. Do të thoja se e rëndësishme është që nesër (sot) skuadra të luajë ashtu si duhet shanset e saj. Në këto situata ne nuk kemi asnjë presion në përballjen me Beshiktashin dhe këtë e mendojmë si një faktor në favorin tonë.
Synimi juaj nga njera anë dhe Beshiktashi nga ana tjetër janë dy kahje. Këtë fakt e keni menduar?

Është normale që e kemi menduar, por nuk i trembemi si kundërshtar. Beshiktashi mund të jetë edhe pretendent në grupin tonë, por kjo për ne nuk përbën një “postbllok” që të na ndalë të arrijmë synimin tonë. Kemi shumë respekt për të si skuadër, por në fushë do të luajmë me dinjitet, jo si inferiorë.
Dhe ju, në rast të arritjes së këtij synimi që po thoni, e keni plotësisht të vendosur atë shpërblim që po na e deklaroni në këtë bisedë?

Vendosmëria jonë për këtë shpërblim është në maksimum. Në rast fitoreje do t’i jepen skuadrës 100 mijë euro, dhe këtë e kemi si një nga pjesët e motivimit të skuadrës sonë për të marrë më të mirën. Besoj se jemi brenda një kompeticioni të madh që të tilla shpërblime i meriton në raport me rezultatet.
Nga ana tjetër, mendoni ju se Skënderbeu i ka mundësitë reale për të arritur këtë synim?

Nëse skuadra do të jetë në një gjendje të mirë për ta përballuar kundërshtarin, dhe me pak fat, besoj se do t’ja dalim. Nga fusha do të ‘prodhohet” rezultati që ne pretendojmë për këtë kemi besim.
Z. Takaj, mos po tregoheni shumë besimplotë për rezultatin pozitiv?

Është e vvërtetë se kemi besim te skuadra. Skënderbeu tashmë i ka kaluar ato nivelete e inferioritetit ndaj kundërshtarëve dhe vetë gjendja e skuadrës dhe përbërja e saj na e jepim të drejtën të kemi besim se në fushën e lojës do të bëjë më të mirën për të dalë në fund të 90 minutave me një rezultat pozitiv.
Në kërkim të objektivit, në stadium nuk do të keni një pjesë të mirë të tifozerisë korçare. Këtë e keni menduar si një arsye minus, apo…?

Kapaciteti i stadiumit “Elbasan Arena’ është i tillë që nuk pranon shumë tifozeri. Por, Elbasani tashmë është bërë si shtëpia jonë dhe nuk mendoj se do të ndjehet mungesa e një pjese të tifozerisë që sdo të ketë mundësinë e marrjes së një bilete. Janë vetëm 12.7000 vende, e duke menduar se në një farë mënyre aty do të jetë një pjesë e tifozerisë shqiptare, ata që do të jenë jashtë stadiumit, me zemër do të jenë aty.
Tashmë edhe stadiumi “Elbasan Arena” duket si në festë, cili është urimi juaj nëpërmjet gazetës “Telegraf”?
Ne në fakt ne e kemi nisur festën me tifozerinë, por ajo do të vazhdojë edhe para, gjatë dhe pas ndeshjes. Uroj të kemi edhe pak fat, pse të mos fitojmë! Urime Skënderbe!
Sigal