Arbër Përmeti/ Dritëhijet e koncesionit të Rrugës së Kombit

658
Procesi i dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së rrugës Durrës – Kukës përherë e më tepër vishet me dyshime të shumta jo vetëm nga opozita dhe ekspertët, por edhe nga konsulentët e huaj. Dokumentet e tenderit tregojnë se, kompania e shpallur fituese “Vendeka Bilgi”, edhe pse parashikon më shumë investime, do të marrë më shumë të ardhura nga qytetarët dhe buxheti. Duke iu referuar vetëm dokumenteve zyrtare, të ofruara prej konsulentëve të huaj, në 30 vitet e ardhshme, kompania fituese do të arkëtojë në total 596.1 milionë euro nga koncesioni, nga të cilat pjesa dërrmuese do të paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa 72.8 milionë euro do të subvencionohen nga buxheti i shtetit. Sipas dokumenteve, kjo shifër është 175.2 milionë euro më e madhe, sesa ajo që ka kërkuar konsorciumi i renditur në vendin e dyte, i përbërë nga një grup kompanish shqiptare. Dokumentet tregojnë se, “Vendeka Bilgi” do të marrë më shumë qoftë nga pagesat direkte të qytetarëve, por edhe nga buxheti. 


Sipas tyre, në 13 vitet që do të subvencionohet rruga, buxheti do t’i paguajë kompanisë turke 72.8 milionë euro, kur kompania e renditur e dyta kishte kërkuar gati 8 milionë euro më pak subvencione. Por çmimi nuk është dyshimi i vetëm i tenderit. Edhe procedurat pas tij ngrenë pikëpyetje. Në vendimin numër 634 të Këshillit të Ministrave përcaktohet se, çdo ofertues ka të drejtë të ankimojë tenderin brenda një afati 5-ditor nga data e publikimit të fituesit. Por, edhe pse afati po përfundon, Ministria e Transporteve ende nuk e ka publikuar vendimin zyrtarisht, as në faqen e saj dhe as në atë të Agjencisë së Prokurimeve Publike, duke mos lejuar kështu ankimimin e tij. Përtej këtyre dy pikëpyetjeve, dyshime ngrihen edhe me plotësimin e kritereve teknike. Dy nga kushtet kryesore të tenderit kanë qenë eksperienca e kompanisë në investime të mëdha mbi 20 milionë euro, si dhe administrimi me pagesë i një rruge me gjatësi mbi 60 kilometra. Të dyja këto kushte nuk plotësohen nga kompania fituese, sipas dokumenteve të tenderit. Ka edhe dyshime të tjera që më shumë se zgjidhin enigmën e koncesionit, e bëjnë atë edhe më të mjegullt, por që rëndon mbi paratë e qytetarëve
Sigal