Arben Shytaj: Shteti shqiptar deri tani nuk ka punuar në ndihmë të fermerit

    592
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet agronomi i Kooperativës Suk -Strumë Fier, Arben Shytaj: Fshatari prodhonte, por dollapin e kishte bosh

    Siç dihet, bujqësia në kohën e regjimit komunist, kishte bazë pronën kolektive, e si e tillë ishte e organizuar dhe e planifikuar. Qëllimi kryesor ishte realizimi i planeve të centralizuara. Organizimi ishte deri në perfeksion, kishte rajonizim të kulturave, qarkullim bujqësor dhe elemente të tjerë që përbenin karakterin e një bujqësie masive. Si elemente negative mund të vlerësohet puna e rëndë e krahut, bërë nga masa e gjerë e punonjësve të kooperativës, që në fakt zgjidhte tërësisht problemin e punësimit.

     Si ishte organizimi i bujqësisë në sistemin komunist?

    Organizimi ishte një model i përgjithshëm, njësia e madhe kooperativa e ndarë në disa sektorë, sektorët përbëheshin nga disa brigada. Kooperativa, ku unë kam qenë, kishte drejtim kryesor prodhimin e drithërave, grurë misër dhe bimëve industriale, pambuk, fasule, duhan etj..

     – Si zgjidheshin farërat dhe cilave farëra u jepej prioritet?

    Farat që përdoreshin, vinin kryesisht nga Ndërmarrja e Farërave, prodhoheshin nga ekonomi të veçanta, pastaj të gjitha sasitë e farave të prodhuara, administroheshin nga ndërmarrjet e farërave, të cilat sipas një plani nga seksioni i bujqësisë së rrethit, shpërndaheshin ekonomive bujqësore të rrethit. Një rol të rëndësishëm në cilësinë e farërave, kishin institutet kërkimore shkencore, të cilat prodhonin farëra të gjeneracionit të lartë, ku shumëzoheshin për t’u përdorur gjerësisht. Prioritet, atje ku unë kam punuar, kishte gruri, misri dhe fasulja.

    -Në Shqipëri cilat ishin farërat kryesore për misrin dhe si zgjidheshin?

    Në Shqipëri ka patur disa lloje autoktone misri, që kishin cilësi të mirë, por rendiment të ulët. Kohë më pas u fut teknologjia e prodhimit të farës hibride të misrit, të cilët siguronin rendimente me shumëfish të larta, duke shfrytëzuar potencialin gjenetik që krijon hibridizimi në gjeneracionin e parë F1. Kjo gjë ka ndodhur pas krijimit të Institutit të Misrit në Shkodër.

    -Cilat ishin rendimentet në misër dhe grurë dhe a ishin të niveleve europiane?

    Rendimentet e prodhimit të misrit dhe grurit, kapën nivele të larta, edhe mbi ato europiane, pasi në Europë, apo në kapitalizëm, të themi, vlerësohet fitimi që siguron, gjë që në socializmin tonë jo gjithmonë ndodhte. Atje ku unë kam punuar janë arritur rendimente misri të nivelit të 100 kv/ha dhe grurë 50 kv/ha. Në një rast, kam marrë në një parcelë 74 kv/ha grurë, rekord që konkurronte fushën e Korçës.

    -Kush e ka vizituar nga udhëheqësit komunistë kooperativën, ku ishit ju kur vinin?

    Për arsye të moshës, unë kam punuar vetëm 5-7 vjet në atë sistem. Në Fier kam njohur nga afër Halil Haskon dhe Pali Miskën, si sekretarë të parë, si Kryetar Komiteti ishte Dhimitër Brisku, një person shumë i apasionuar.

     – A ishte e furnizuar kooperativa me prodhime bujqësore gjatë vitit dhe si ishte mirëqenia?

    Unë kam punuar në kooperativë në periudhën dramatike të pas tufëzimit të bagëtive, shikoja një varfëri gati ekstreme. Unë isha jabanxhi dhe nuk isha shumë në dijeni se si jetonin nëpër shtëpi, por keq, pasi prodhimet dorëzoheshin në shtet. Legjendë është buka e misrit në ish- kooperativa, e ke dëgjuar atë barsoletën? “I thanë dikujt, ra zjarr në grurë, çohu ta shuajmë. –Ehu,- i tha ai,- thashë mos the në misër, se ai është yni, gruri është i qytetit”. Kjo ka qenë tragjikomedia e fshatit kooperativë.

    -A kishte nivel ekonomik të mirë?

    E ç’nivel zeza? Ndoshta e krahasuar me çka kishte qenë Myzeqeja, po…dihet historia e Myzeqesë…kënetë e tërë….. kishte barazi në përgjithësi, një pjesë më punëtore, që dilnin më mirë me ditë pune në fund të vitit, merrnin një dorë nga shpërblimi i fundvitit.

    – Çfarë prodhimesh eksportonit jashtë?

    Prodhimet shkonin për industrinë e vendit dhe për ushqimin e popullit, bëhet fjalë, atje ku kam punuar unë.

     -Po plehrat kimik a ishin cilësorë?

    Plehrat kimike ishin shumë cilësorë, kryesisht prodhim vendi nga fabrikat e ngritura, si azotiku Fier, i cili prodhonte ure dhe nitrat amoni, si dhe Uzina e Superfosfatit në Laç, e cila prodhonte superfosfat. Lënda aktive që përmbanin plehrat kimike ishte e sigurtë, pa mashtrime. Përdorimi i plehrave kimike ishte i harmonizuar me përdorimin e plehrave organike, për të shmangur “helmimin” e tokës nga kimikatet, pasi toka bujqësore, është një organizëm i gjallë dhe duhet shëndoshur si e tillë.

     -Po nga sekretarët e parë kush vinte dhe çfarë udhëzimesh kanë dhënë?

    Siç e përmenda edhe më lart nga sekretarët e parë vinte Pali Miska dhe Halil Hasko, ata bënin takime me kuadrot kryesorë dhe takime propagandistike me popullin. Porositë që jepnin kishin të bënin me realizimin e planeve të prodhimit dhe forcimin e unitetit rreth partisë.

    -A janë dënuar kuadro për mosrealizim plani apo sabotim?

    Vitet e mia të punës, janë ‘85-‘90, ku në këtë periudhë regjimi kishte filluar shenjat e rënies, e lufta ishte “ftohur”. Mbaj mend që në fillimet e punës, ishte ngritur një grup nga sekretari i Parë, me aktivistë të rinisë, të cilët propozuan për pushimin e një agronomi sektori, dënim 6 muaj në prodhim, pasi e kontrolluan natën ujitjen e misrit dhe e gjetën parcelën të përmbytur. Këtë agronom e zëvendësova unë.

    -Si zhvillohej lufta e klasave në kooperativë?

    Unë fatmirësisht isha i ri dhe nga familje e besuar dhe nuk jam përfshirë në luftën e klasave, pasi nuk isha as komunist dhe as nuk bëja pjesë në organet e pushtetit, ne agronomet ishim vetëm për punë, natyrisht, kur bëheshe drejtues, përfshiheshe, edhe në këto probleme, të cilat pasqyronin edhe karakterin e personit.

    – A keni pasur presione apo dhe dënime nga udhëheqësit e sistemit komunist?

    Presioni në atë sistem ishte i përhershëm, së pari nga ligjet në fuqi e së dyti nga vrazhdësia e drejtuesve. Unë personalisht kam patur vetëm një rast presioni dhe kërcënimi nga operativi i zonës, që edhe sot e kësaj dite nuk e di pse, pasi isha edhe nga familje me biografi të mirë…

    Bujqësia shqiptare si ka qenë e ndërtuar në ato vite, vaditja, kullimi, përmbytjet. A kishte masa për të përballuar kushtet e vështira të motit?

    Po e nis nga kjo e fundit. Unë jam mahnitur, kur kam kaluar në argjinaturën e lumit Seman, një kryevepër e atij sistemi. Mendoni një çast lumin e vdekur të Jakov Xoxes dhe përfytyroni ultësirën e Myzeqesë se si përmbytej gjithandej. Përbindëshi i Myzeqesë ishte vënë në “zap” me këtë argjinaturë, të cilën të kesh rast ta shikosh të mbushur, ke një det përpara. Në parantezë: mendoni sikur këto argjinatura të bëheshin në lumin Buna dhe në Lqenin e Shkodrës? Me siguri që përmbytja e përvitshme, do të evitohej. Kullimi ishte i zgjidhur në mënyrë perfekte, në gjithë fushën ishte ndërtuar një rrjet kanalizimesh me disa kategori, kolektor kryesor, i cili përcillte ujërat në hidrofor, kanale të parë, të dytë e ata të tretë që kufizonin parcelat 10 hektarëshe. Pastaj vinin vijat kulluese brenda parcelës, të cilat unë i vlerësoja shumë dhe kam patur rezultate në prodhimin e grurit, të cilin sa më mirë ta kullosh gjatë dimrit, aq më shumë prodhim merr. Ujitja ishte e sigurtë në masë mbi 80% të sipërfaqes, kishte të sigurtë burimin e ujit dhe rrjetin e shpërndarjes, si dhe ekonomizimin e tij.

    -Sistemi i kullimit dhe vaditjes a kanë qenë bashkëkohore?

    Kullimi ka vetëm një metodë, mban në funksion rrjetin kullues dhe hidroforët. Ujitja ishte kryesisht tradicionale, ndërkohë që u futën mjete si impiante në formë shiu dhe pompa të ndryshme.

    -Kur jeni larguar nga kooperativa dhe pse?

    Nga kooperativa jam larguar në 1989-n, më transferuan në Komitetin Ekzekutiv të Fierit në seksionin e bujqësisë, pasi ndoshta përfitova nga porosia e Ramiz Alisë, për rregullimin e raportit të punonjësve me parti dhe pa parti, unë si pa parti zëvendësova dikë që ishte anëtar i PPSH-së.

    -Po sot bujqësia shqiptare a është e niveleve evropiane?

    As që bëhet fjalë që të dalësh në këtë përfundim në tërësi. Ne kemi disa copëza të vogla bujqësie që janë të niveleve europiane, siç janë disa sera të teknologjisë së lartë, disa pemëtore që synojnë të kenë standarde dhe disa rajone si Divjaka që prodhojnë perime edhe për eksport.

    – Cilat janë problemet e bujqësisë shqiptare sot?

     Bujqësia shqiptare sot ka shumë probleme, të të gjitha llojeve dhe niveleve. Problem më i madh është politik, politika asnjëherë nuk e ka ngritur bujqësinë në nivel prioritar, ashtu siç e ka praktikisht vendin. Në zonat rurale ne kemi rreth 45% të popullsisë dhe ajo jep një kontribut në të ardhura rreth 20% të GDP-së. Si e tillë ajo duhet të jetë prioritare, ne kemi një ekonomi që mbështetet kryesisht tek importet, por kemi një potencial të madh prodhimi bujqësinë, duke kthyer sytë nga fshati dhe bujqësia ne mund të kemi një prodhim të madh bujqësor, ku të plotësojmë nevojat e vendit, si dhe të eksportojmë sasi të mëdha prodhimi, me këtë mund të zgjojmë interesin e dikurshëm për prodhimet bujqësore në Evrope. Që bujqësia të zhvillohet duhet zgjidhur disa probleme që janë pengesë: së pari, duhet ulur kostoja e prodhimit që të arrijmë që prodhuesi shqiptar të ketë konkurrueshmëri në tregjet për rreth vendit tonë, kjo kërkon politika favorizuese siç janë ulja e taksave për importet bujqësore dhe kryesisht ulja e çmimit të naftës për bujqësinë. Së dyti, është e domosdoshme sigurimi i ujit për ujitje, nuk mund të ketë prodhim pa ujë. Ndërkohë që, kullimi është emergjent, duhet të vihet në punë sistemi i kullimit, i cili duhet t’i kalojë i tëri shtetit, nga kanalet e dyta e deri tek hidroforët. Së treti, nxitja e bashkëpunimit midis pronarëve të tokave, të cilët duhet të bashkojnë tokën për një prodhim të caktuar. Copëzimi i madh i tokës bujqësore pas ndarjes së saj me ligjin 7501, ka krijuar një disavantazh të madh për prodhimin bujqësor, ndaj shteti duhet të nxisë kooperimet sipas përvojës së Komunës së Xarrës në Sarandë, ku njerëzit janë bashkuar në kooperativën e prodhimit të mandarinës. E katërta, duhet të ngrihen qendrat e grumbullimit të prodhimit bujqësor, ku fermerët të kontraktojnë për shitjen e prodhimit, që para mbjelljes. Ka edhe shumë probleme të tjera që kërkojnë zgjidhje, është çështje vullneti e politikes zhvillimi i këtij sektori kaq të rëndësishëm.

    –Pse shumica e prodhimeve bujqësore vijnë nga Maqedonia dhe Greqia?

    Sepse shteti shqiptar deri tani nuk ka punuar në ndihmë të fermerit. Duhet që me politika favorizuese, të arrihet që çmimet e prodhimeve bujqësore vendase të dalin me çmime më të ulëta se të fqinjëve, ky është thelbi i problemit.