Arben Pinari:Përfitimet dhe humbjet nga formula e re e taksës së makinave

    388
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Arben Pinari, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, për ndryshimet e reja

    Ndryshimet e miratuara nga qeveria pak ditë më parë për përgjysmimin e taksës vjetore për makinat e vjetra, janë mjaft të rëndësishme. Ndryshimet konkretisht kanë të bëjnë me ndryshimin e formulës për llogaritjen e pagesës për çdo pronar makine.  Po ashtu ndryshimet e bëra përcaktojnë edhe faljen e të gjitha detyrimeve për mjetet e konfiskuara. Dhe një nen tjetër që ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave është ai që ka të bëjë me ata masat që do të merren për ato individë që nuk e kanë paguar taksën vjetore për vitin 2013. Për më shumë detaje rreth këtyre ndryshimeve ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Arben Pinari, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor. Sipas zotit Pinari, ndryshimet e bëra ka të bëjnë me përgjysmimin e taksës vjetore për makinat e vjetra dhe përgjysmimi i bërë konsiston jo vetëm në vlerë, por edhe për mënyrën e përllogaritjes. Ndërkohë që, zoti Pinari, bën të ditur se, brenda këtij muaji do të fillojë nga puna portali on-line për patentat e shoferit.

    -Zoti Pinari, para pak ditësh Këshilli i Ministrave miratoi tre ndryshime të ligjit të ri për uljen e taksave të makinave. Mund të na thoni më konkretisht, cilat janë këto ndryshime?

    -Projektligji që miratoi qeveria në mbledhjen e qeverisë të pak ditëve më parë, së pari është mbajtja e premtimit që bëri Kryeministri për përgjysmimin e taksave. Dhe përkatësisht ka të bëjë me përgjysmimin e taksës vjetore për makinat e vjetra.  Përgjysmimi konsiston jo vetëm në vlerë, por edhe për mënyrën e përllogaritjes.

    -Formula e re që do të aplikohet për taksën e makinave, sa e lehtëson punën për qytetarët?

    -Në radhë të parë edhe po të ndërhyhet tek vjetërsia edhe po të ndërhyhet tek formula, ndoshta tek vjetërsia do të ishin disa mjete që do të përfitonin më shumë, dhe disa mjete do të përfitonin më pak. Ndërsa me formulën e re që ndërhyhet tek lloji i karburantit do të thotë që ka nja barazim shumë herë më saktë. Pra, nuk ka një pabarazi, por kemi një ndarje shumë më të barabartë, për të gjitha llojet e mjeteve. Pra, nuk përkrahet një moshë e caktuar mjeti në kurriz të një moshe tjetër të caktuar. Ndërhyrja tek lloji i karburantit është ndarja më e saktë dhe më rigoroze.

    -Në projektligjin e miratuar nga qeveria thuhet se, për mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk do të jenë subjekt i kësaj takse. Është i vlefshëm për të gjitha llojet e mjeteve që kanë këtë vjetërsi?

    -Për mjetet nga 0-3 vjet, natyrisht që ato që me ndryshimin që u bë në vitin 2011, pas zgjedhjeve vendore u hoq taksa doganore për mjetet e përdorura. Po ashtu u hoq edhe taksa në momentin e shitblerjes së mjetit dhe tashmë pas dy vjetësh kemi edhe një përgjysmim të taksës. Ndryshimet konsistojnë jo vetëm në pjesën e përgjysmimit të vlerës së taksës vjetore për makinat e përdorura, por konsistojnë edhe në unifikimin e legjislacionit që do të bëhet. Do të kemi një unifikim të legjislacionit sipas ligjit për procedurat tatimore. Pra, sot qytetari është i detyruar që të paguajë taksat vjetore në çdo ditë të vitit, por para kryerjes së kontrollit teknik, ose para asaj që quhet kolaudimi i makinës.

    -Po me unifikimin e legjislacionit çfarë duhet të kuptojnë qytetarët dhe kur do të bëhet i mundur zbatimi i tij?

    -Tashmë do të kemi një mënyrë të re të konceptimit të ligjit, sepse kemi një ndryshim, taksa është vjetore, ndërsa kolaudimi dhe siguracioni aktualisht janë kalendarik. Ne do të kemi një unifikim që do të bëhet edhe taksa kalendarike, edhe siguracioni kalendarik edhe kolaudimi kalendarik. Pra, kjo nënkupton nga kjo datë në datën tjetër, sepse qytetarët janë shumë të paqartë lidhur me këtë pjesë. Sepse ka raste që qytetari thotë që i kam prerë taksat nga data 12 prill dhe i kam deri në datën 12 prill të vitit tjetër. Por tani nuk do të jetë më kështu, sepse taksat do të jenë kalendarike, që do të thotë që taksa që ai ka prerë më 12 prill do të jetë për të gjithë vitin dhe nuk ka rëndësi se në cilën datë e paguan, por ajo duhet paguar gjithmonë para kontrollit teknik të mjeteve. Sepse nuk do të lejohet që të bëhet kontrolli teknik i mjeteve, ose siç njihet ndryshe kolaudimi i makinave, nëse nuk ke paguar taksat. Ndërsa me projektligjin e ri parashikohet një unifikim. Atë ditë që qytetari do të vendosi që të bëjë kontrollin teknik, duhet të ketë paguar edhe siguracionin, atë ditë ai duhet të ketë paguar edhe taksat vjetore të mjeteve të përdorura. Por do të kemi nja afat 10 ditor tolerant, brenda të cilit ligji parashikon mos penalizimin e qytetarit. Nëse afati për pagesën e taksave dhe siguracionit dhe kontrollit teknik, atëherë do të ketë edhe një periudhë 10 ditore që qytetarin nuk do të penalizohet. Nëse qytetari vjen pas afatit dhjetë ditor, atëherë nuk do të kemi më penalizim me 1000 mijë lekë të reja, por do të kemi një penalizim prej 5 % të vlerës që qytetari ka për të paguar, por unë mund të ju them që kjo vlerë nuk do i kalojë 25 % të vlerës. Kjo bëhet për faktin që një drejtues që rrinte një vit, 2 vjet apo më shumë pa paguar taksat kur vinte për të bërë kolaudimin paguante 1 mijë lekë të reja gjobë. Ndërsa tani do të paguajnë çdo vit 25% të vlerës së taksës vjetore, për çdo vit vonesë.

    -Ky unifikim i ligjit do të bëhet për të gjitha llojet e taksave?

    -Kjo mënyrë formulimi vlen për të gjithë taksat nacionale dhe lokale. Pra, bëhet një unifikim, sepse vetëm taksa vjetore për makinat e përdorura kishte një formulë të veçantë. Kështu që, tashmë do të kemi një unifikim të legjislacionit që do të jetë më qartë, qoftë për bizneset, qoftë për qytetarët. Sepse kështu paguhen edhe taksat vendore, edhe taksat nacionale, kështu do të bëhet edhe përllogaritja e taksave vjetore për mjetet e përdorura. Në lidhje me afatet që do të vihet në zbatim ky projektligj, unë mund të ju them se që në momentin që qeveria miratoi këtë projektligj ne jemi vënë në lëvizje. Ne duhet të marrim masat teknike për zbatimin e këtij ligji, që në momentin që ky do të hyjë në fuqi. Masat teknike konsistojnë që në përshtatjen e sistemeve kompjuterike. Sepse ne jemi me nënkontraktor dhe duhet të negociohet me nënkontraktorët që të bëhet ndryshimi i formulës. Njëkohësisht që do të bëjmë dhe një përllogaritje paraprake se sa është pjesa e mjeteve që do të përfitojnë dhe sa është pjesa e mjeteve që kanë paguar. Por në momentin që projektligji do të kthehet në ligj ne do të japim informacione më të hollësishme. Sepse deri në momentin që ai është projekt, në nuk mund të japim shumë detaje, në momentin që ai kthehet në ligj, atëherë ne do ta zbatojmë në mënyrë të përpiktë atë.

    -Le t’i kthehemi edhe njëherë ndryshimeve që miratoi qeveria për taksat kombëtare, ku thuhet që falen detyrimet për makinat e konfiskuara. Ç’mund të na thoni në lidhje me këto mjete?

    -Shpeshherë ka mjete që konfiskohen nga shteti, që kanë problematika të ndryshme. Disa nuk kanë shlyer detyrimet, qofshin të mjetit, apo qofshin këto detyrime të tjera për llogari të bankave, për llogari, të prokurorisë, të institucioneve ndërkombëtare. Secili nga këto mjete ka një specifikë të vetën. Por në rast se këto mjete kanë qenë të regjistruara dhe figurojnë me vite të tëra, apo për një periudhë kohe pa shlyer detyrimet atëherë ato përjashtohen, sepse efektivisht ato nuk kanë qenë në përdorim nga përdoruesi, apo poseduesi i tyre dhe ka qenë e nevojshme që të ndërhyhet për këtë kategori mjetesh ato të konfiskuarat.

    -Projektligji i miratuar nga qeveria para pak ditësh kur do të hyjë në zbatim?

    -Ligjet natyrisht në momentin që miratohen nga Parlamenti, ose thuhet që hyjnë në fuqi 15 ditë pas miratimit, ose hyjnë në fuqi menjëherë. Por gjithmonë ligjet fiskale kërkojnë dhe një udhëzim nga Ministria e Financave, që sqarojnë edhe procedurat më të hollësishme, sepse ligji flet për grupimet, por ka edhe raste të veçanta që parashikohen në udhëzimin e Ministrisë së Financave, siç janë mënyra e procedimit. Sepse Ministria e Financave, përllogarit edhe efektet që do të ketë ndryshimi i ligjit në buxhetin e shtetit.

    -Po falja e detyrimeve për vitin 2013 për disa kategori e parashikuar në ndryshimet e bëra si do të jetë?

    -Falja e detyrimeve për vitin 2013, që është thënë në ndryshimet e bëra do të parashikohen në momentin që do të miratohet ligji dhe modalitetet më të hollësishme do të përcaktohen nga Ministria e Financave.

    -Si po ecën puna për dixhitalizimin e sistemit për patentat?

    -Në javën tjetër do të bëjmë publik projektin e dixhitalizimit të patentës së shoferit, ose siç quhet ndryshe portali EDL, portali qeveritar. Pas ngritjes së portalit për regjistrimin e studentëve në universitete bëhet edhe hedhja on-line e portalit për patentën e shoferit. Dhe brenda këtij muaji ne do të bëjmë edhe inaugurimin e këtij projekti. Është një projekt shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm në të cilin do të kenë akses qytetarë, jo vetëm biznesi, apo vetëm ato që kanë mjete, por do të kenë akses edhe ato qytetarë që janë të pajisur edhe më patentë edhe me leje drejtimi. Pra janë ofro 640000 shtetas që përfitojnë nga përdorimi i këtij portali. Kjo është faza e parë e ngritjes së projektit për patentën me pikë. Pra brenda këtij muaji ne do të bëjmë ekspozimin e këtij portali, qoftë për grupet e biznesit, qoftë për autoshkollat dhe për stafin tonë. Do të bëhen trajnimet dhe në momentin që në vërejmë që ky sistem nuk ka asnjë gjë mangët ai do të jetë i gatshëm për të gjithë. Në radhë të parë do të jenë përfitues të gjithë qytetarët që do u shkurtohet koha për marrjen e një shërbimi.

    -Nga hapja e portalit për qytetarët deri te aplikimi i patentës me pikë sa e gjatë do të jetë koha?

    -Pas hapjes së portalit dhe pasi të verifikohet që çdo gjë shkon në rregull, menjëherë, do të fillojë puna për ngritjen e programeve informatike për aplikimin e patentës me pikë. Te portali i patentës me pikë do të jenë të përfshira të gjitha procedurat. Por më saktësisht shkeljet dhe masat që do të merren gjatë aplikimit të patentës me pikë janë të parashikuara te ndryshimet ligjore që ju bënë kodit rrugor. Njëkohësisht po bëhet ndryshimi edhe ndërhyrja te vendimi i Këshillit të Ministrave, sepse kërkohen edhe aktet nënligjore. Pas daljes së akteve nënligjore janë të koordinuara veprimet  dhe ndërkohë që, po bëhet projekt legjislacioni bazë që do të zbatohet në aplikimin e patentës më pikë. Ne po ecim paralelisht me mbylljen e të gjitha fazave që duhen për këtë projekt. Pra do të kemi jo vetëm ngritjen e regjistrit on-line të shtetasve që janë pajis me leje drejtimi që nuk e kemi pasur deri më sot, por njëkohësisht do të vëmë edhe portalin për aplikimin e portalit që mund të aplikohet direkt nga shtëpia për leje drejtimi. Por po ashtu do të kemi edhe ndryshimin ligjor për aplikimin e patentës me pikë.

    Formula e përllogaritjes për taksën

    Formula e taksës, përfshin moshën e mjetit, fuqia e motorike e tij, dhe lloji karburantit. Koefiçenti i llojit të karburantit është 25 lekë për naftën ose për diezelin, dhe 20 lekë për benzinën. Pikërisht në këto dy elementë qeveria ka projektuar përgjysmimin e taksës, e cila vjen si pasojë e përgjysmimit të koefiçentëve. Pra koefiçenti për naftën ka qenë 25 dhe është bërë 12.5 lekë dhe për benzinën nga 20 lekë që ishte do të bëhet në 10 lekë. Kjo do të sjelli në mënyrë të drejtpërdrejt edhe përgjysmimin e taksës.