Arben Malaj: Kujdes nga kompanitë grabitqare online, po ju vjedhin kursimet

479
Sigal

Ish-Ministri i
Financave denoncon kompanitë që vjedhin shqiptarët

Arben Malaj bën
thirrje për ndërgjegjësim lidhur me rrezikun për grabitje që vjen nga disa
kompani online, që mashtrojnë
qytetarët duke premtuar fitime nga investimet në bursë. Ish-ministri i
Financave paralajmëron për efekte zinxhir dhe të dëmshme, nëse nuk ndërhyhet
për ndërgjegjësimin e qytetarëve, pasi në të kundërt kompanitë grabitqare do të
vjedhin miliona. Sipas tij qindra apo mijëra individë dhe investitorë do të
humbasin kursimet e tyre, duke iu shtuar kështu numrit të njerëzve të varfër,
që rëndojnë barrën e buxhetit të shtetit.

Reagimi i plotë i Arben Malajt

“Në njoftimin e
disa mediave dhe autoriteteve mbikëqyrëse për riskun e kompanive online, që po vjedhin kursimet tuaja
duhet ta përcillni tek çdo koleg dhe i afërt. Këto kompani mashtruese po ju
vjedhin paratë, po ju bëjnë më të varfër. Kujdes, fitimet joshëse janë ‘grepi
për t’iu peshkuar’ dhe vjedhur çdo qindarkë. Sa më të mëdha këto fitime teorike
që ju joshin ju, aq më të madha, aq më vrastare dhe aq më të rënda do të jenë
humbjet juaja. Kujdes, paratë tuaja dhe të afërmve tuaj janë para nga shumë
sakrifica, mos u gënjeni nga këto premtime, mos iu merrni paratë e fëmijëve dhe
të ardhurave tuaja dhe t’i investoni ne këto skema grabitëse. Bankat duhet të
bllokojnë përdorimin e kartave të kreditit dhe debitit të klientëve apo
depozituesve të tyre për të investuar në këto skema. Duhet të krijohen listat e
zeza të kompanive grabitqare. Ndërgjegjësimi publik duhet të jetë aktiv edhe
nga autoritetet mbikëqyrëse në media e shkruar dhe televizion. Një material konciz
me shenjat paralajmëruese se mund të jeni viktimë duhet të përdoret për
ndërgjegjësimin e çdo individi. Dikush mund të rekomandojë “le t’i lëmë këta
individë të mësojnë duke e pësuar/falimentuar”, por në këtë rast kriza sociale
si individ, familje dhe shoqëri është shumë e rëndë dhe kur përmasat rritet ajo
dëmton rëndë kohezionin social të vendit tonë. Kompanitë grabitqare vjedhin
milionat, qindra apo mijëra individë/investitorë humbasin kursimet e tyre. Këta
të mashtruar i shtohen numrit të njerëzve të varfër, që rrit edhe barrën e
buxhetit të shtetit”.