Arben Kosturi: Me politikanët e sotëm, do të vdesim pa shtëpi, buzë lumenjëve

    626
    KORÇË- Më të trishtuar se atë ditë nuk e kisha parë kurrë më parë tim at. Hyri në shtëpi i lodhur dhe me kokën ulur. Kur hodhi vështrimin mbi ne, pamë se nga syri po i rrëshqiste një pikë loti. Nuk e dinim se çfarë i kishte ndodhur. Gjatë ditëve të fundit kishte qenë në Sarandë dhe Gjirokastër. Babai merrej me tregti, ndoshta puna nuk i kishte ecur mbarë, por askush nuk pati guximin ta pyeste. Prisnim që ai vetë të na tregonte çfarë i kishte ndodhur. Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij, Arben Kosturi, biri i Demir Kosturit nga Korça. Më vonë do t’i merrnim vesh të gjitha, vazhdon ai. Gjendja shpirtërore e babait ishte rënduar me të mbërritur në qytetin e Korçës. Vendi ku ishte vendosur monumenti i Enver Hoxhës kishte mbetur bosh. Ai ishte hequr nga protestuesit disa ditë më parë. Mos ekzistenca e monumentit e kishte tronditur. Pas kësaj, kishte nisur të kontrollonte gjithë rrugët dhe sheshet e qytetit të Korçës, por monumenti nuk gjendej asgjëkund. “Çfarë je duke kërkuar kështu, Demir? – e pyesnin njerëzit, por ai nuk kishte dëshirë t’u përgjigjej. Të gjitha këto do të na i tregonin njerëzit që e kishin parë babain tonë të ecte i vetëm, krejtësisht i hutuar, nëpër rrugët e Korçës, duke kërkuar “komandantin”, siç e quante ai Enver Hoxhën. Familja jonë kishte pasur miqësi të hershme me Enver Hoxhën. Gjyshi im, Shaziman Kosturi, ishte takuar me Hoxhën ,10 vjet pas çlirimit të vendit, kurse motra e babait, Xhuljana që ishte martuar në Fier, kishte pasur rastin të takohej me Hysni Kapon. Këto dy ngjarje, babi ynë, i kujtonte gjithnjë sa herë që në shtëpinë tonë vinin mysafirë. Veçse tashmë ai nuk po gjente dot prehje. Lëvizte nëpër dhomë dhe nuk dinte çfarë të bënte
    Mos ëndërroni më për pallate
    Ndoshta për këto arsye, ai hyri në shtëpi me kokën ulur dhe me një pikë loti te syri, vijon rrëfimin e tij, Arben Kosturi. Pas pak zuri vend në cepin e dhomës dhe vetëm pas një heshtjeje të gjatë tha: “Kam frikë se nga tani e tutje, ne romët nuk do të kemi më fatin të jetojmë nëpër pallate, sepse do të na duhet të jetojmë si dikur në baraka buzë lumenjve”. “Kush ta tha këtë”?- e pyetëm gati njëzëri. Ne ishin 9 fëmijë: tre djem edhe 6 vajza. Që të gjithë i ngulëm sytë mbi babanë tonë. Dikur kishim jetuar në lagjen e “Radanecit”, por më pas babai mundi të blinte shtëpinë e Mihal Gramenos në qendër të Korçës. “Do të na nxjerrin nga shtëpia?”- e pyetëm të frikësuar. “Jo, tha babai, askush nuk do të na nxjerrë nga shtëpia, por druaj se nuk kanë për të na dhënë më pallate. Ai fliste ngadalë, me një keqardhje të dukshme. Kishte një pamje krejtësisht të lodhur. Megjithatë ne ende asgjë nuk kishim kuptuar nga ato që kishte thënë deri në ato çaste babai ynë. “Pse?”- e pyetëm përsëri. Nuk u përgjigj menjëherë, por pas një çasti tha: “E paskan hequr monumentin e Enver Hoxhës, ndaj edhe pallate për romët nuk do të ketë më. Ishte ai që na nxori nga kasollet dhe na dha shtëpi, po tani kush do të kujdeset për ne romët? Edhe për pastrimin e banjave të qytetit nuk do të ketë më punë për ne”. Pas kësaj, ne nisëm t’i tregonim babait se për rrëzimin e bustit ishin mbledhur shumë njerëz. Që të gjithë thërrisnin poshtë diktatori. Për të thënë mendimin tonë nuk kishim guxim. Babai do të xhindosej fare me ato që mendonim ne për “komandantin”. E pamë të udhës të qëndronim të heshtur. Gjatë gjithë jetës së tij ai na kishte folur vetëm me adhurim për Enver Hoxhën. Si ndenji edhe një farë kohë i zhytur ne mendime, mori shihen e rakisë dhe u ul te ballkoni, pinte dhe vështronte vendin e mbetur bosh në qendër të qytetit. Herë pas herë fshinte lotët që i rridhnin. Po na vinte keq për babanë.
    Gjyshi ynë, Shaziman Kosturi
    Sigurisht adhurimi i babait tonë për Enver Hoxhën kishte qenë i hershëm. Ne e dinim këtë dobësi të tij dhe qëndronim të heshtur. U ulëm rreth e rrotull babait dhe vështronim andej nga vështronte ai. “Edhe gjyshi juaj kështu do të qante”, na tha babai. Babai i tij, (gjyshi ynë), Shaziman Kosturi, kishte pasur rastin të takohej me Enver Hoxhën. Kishte qenë viti 1954. Enver Hoxha kishte mbërritur në Korçë. Dëshironte të takohej edhe me romët. Brenda disa minutave u mblodhën gjithë romët e “Radanecit”. (Në atë kohë jetonim në “Radanec”). Që të gjithë ata do të kryesoheshin nga gjyshi ynë, Shazimani. Sazexhinjtë dolën bashkë me veglat e tyre. Gjithçka u shndërrua në një aheng të madh. A thua se po bëhej dasmë. Gjyshi kërkoi të vendosej rregulli dhe qetësia. Dy fjalë kishte thënë ai dhe heshtja kishte mbretëruar. Shaziman Kosturi njihej nga të gjithë, vlerësohej si njeri i ndershëm dhe trim. Gjatë jetës së tij kishte shëtitur në shumë vende të Evropës, kishte qenë edhe në Francë. Si gjithë romët e tjerë, ishte martuar në moshë të vogël. Pati dy gra. Hatixheja e Kolonjës ishte gruaja e parë e tij, ndërsa më pas do të rrëmbente edhe një vajzë tjetër, Gjylistanin nga Follorina. Nga martesa me dy gratë lindën 14 fëmijë. Tashmë ai do të kryesonte romët në takimin me Enver Hoxhën. Kur u kthyen që andej që të gjithë ishin të ngazëllyer. Enver Hoxha i kishte takuar të gjithë me radhë dhe i kishte pyetur një për një për hallet që kishin. Meraku i tij për ta, i kishte lënë romët të habitur. Së fundi, “komandanti” u kishte thënë: “Do t’u nxjerrim nga barakat ku jetoni dhe do t’u çojmë të banoni në pallate”. Shumëkush nuk e kishte besuar, por edhe shpresat i kishin të mëdha. Vite më vonë ata do të strehoheshin të gjithë nëpër pallate. Babai ynë që kishte nisur të na i tregonte kushedi për të satën herë këtë histori, na tha: “Ja kështu ka ndodhur, na nxori nga kasollet dhe na çoi në pallate”, kurse tashmë e tutje, druaj se nuk ka për të ndodhur më kështu”. Njëra prej motrave deshi t’i thoshte që Enveri ishte diktator, por përsëri nuk pati guxim ta thoshte. Në atë gjendje që ishte babai, do të ishte çmenduri t’i kundërviheshe.
    Halla jonë, Xhuljana Kosturi
    Po për hallën tuaj, Xhulianën, që është martuar në Fier, u kam treguar?- na pyeti babai, edhe pse e dinte mirë që këtë histori na i kishte treguar me dhjetëra herë. Halla jonë Xhuliana ishte martuar në Zhupan të Fierit. Megjithatë, edhe pse shkoi në shtëpinë e burrit, mbiemrin e saj nuk e ndryshoi kurrë. Parapëlqente ta thërrisnin Xhuliana Kosturi. Ajo ishte bija e Shaziman Kosturit që ishte takuar me Enver Hoxhën. Halla jonë solli në jetë 14 fëmijë. Emri i saj kishte shkuar deri te Enveri. Një ditë dikush shkoi në shtëpinë e tyre dhe u tha se së shpejti do të vinte Hysni Kapo që t’i vendoste dekoratën si nënë me shumë fëmijë. Parapërgatitjet kishin qenë të mëdha. Shtëpia e hallë Xhulianës u bë e re. I dhanë edhe një copë tokë dhe një lopë që të ushqente 14 fëmijët. Po hallë Xhuljana kishte pasur kurajën t’u kërkonte edhe diçka për fshatin. “Fshati ynë nuk ka ujë të pijshëm”,- u kishte thënë ajo. Kaq kishte mjaftuar. Në mes të Zhupanit u ndërtua edhe një çezmë. Që nga ajo ditë banorët do ta pagëzonin ujësjellësin me emrin e Xhuljana Kosturit. “Kështu e thërrisnin, na tha babai, “Çezma e Xhuljana Kosturit”. Edhe romët e ndjenin veten të barabartë si gjithë të tjerët, shtoi pas pak babai ynë, me sytë hedhur te vendi i mbetur bosh ne qendrën e qytetit. “Tashme do të jemi edhe me të lirë, pata kurajën t’i thosha babait, tregon Arben Kosturi, por ai m’u përgjigj: “Unë e di çdo të thotë “liri”, sepse e kam të qartë në kokën time, por nuk ua shpjegoj dot, sepse në atë kohë, kur linda unë, romët nuk shkonin në shkollë, kurse tani që të gjithë ndjekin mësimet. Kam frikë se tani e tutje edhe fëmijët e romëve do të kenë po atë fat që patën edhe etërit e tyre.
    Vendosja e bustit të Enver Hoxhës
    Dëshpërimi i babait ishte i madh. Përpiqeshim ta qetësonim por kjo gjë ishte e pamundur. Befas babait iu kujtua viti 1985, kur në Korçë sapo kishte mbërritur monumenti i Enver Hoxhës. Ishte verë dhe bënte nxehtë, nisi të na tregonte babai. Kur dola në qendër të qytetit, vura re një makinë që kishte qëndruar përpara Komitetit të Partisë. Mbi karrocerinë e makinës ishte vendosur diçka që ishte mbuluar me beze të bardhë. Disa policisë qëndronin përreth makinës. “Çfarë keni sjellë kështu?”- pyeta policët. Ata m’u përgjigjën me shumë krenari: “Kemi sjellë monumentin e komandantit”. Sapo e mora vesh këtë gjë, m’u prish gjaku. Si ishte e mundur që monumenti i tij të vinte i mbështjellë në një beze të bardhë dhe jo në një cohë të kuqe si gjaku prej mëndafshi, ashtu siç i kishte hije komandantit tonë. Nuk e mendova më gjatë. Shkova në Komitetin e Partisë dhe kërkova që të takohesha një minutë e më parë me Vangjel, Çëravën, (ai ishte sekretari i parë i Komitetit të Partisë. “Përse e kërkoni”?- më pyetën dhe unë ua tregova arsyet, si mund të vinte monumenti i Enver Hoxhës, pa një cohë të kuqe e të mëndafshtë që nga Tirana. Pas kësaj që të gjithnjë njerëzit e Komitetit të Partisë, të mëdhenj dhe të vegjël, nuk dinin nga të shkonin dhe ku të fshiheshin. Dëgjova që po binin telefonat. Pa dalë mirë nga komiteti i partisë, vura re se dikush e kishte sjellë një copë të mëndafshtë e të kuqë që vetëtinte nën rrezet e diellit. E pra, ai, “komandanti” më kishte mësuar të mos kisha frikë as nga më të mëdhenjtë e qytetit, madje mund të shkoja në zyrë e t’ua thosha të gjitha çfarë mendoja për punën dhe njerëzit. Do ta shihni, tha babai, nuk ka për të ndodhur më kështu. Shpërfillja ndaj njeriut të thjeshtë do të jetë e madhe. “Liria i jep kuptim jetës së njeriut”, i thashë babait, por ai as denjoi të më përgjigjej
    Babai 
    Sigurisht ne fëmijët e tij nuk ishim dakord me mendimin e babait, pasi edhe romët tashmë do të kishin shoqatat e tyre dhe do të viheshin në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe gjithçka do të shkonte mbarë. Edhe vetë babai ynë, Demir Kosturi, në vitin 1990 kishte marrë pjesë më Kongresin e Katërt Ndërkombëtar të Romëve në Varshavë të Polonisë. Babai ynë përfaqësoi Shqipërinë. Kur u kthye nga Polonia solli me vete edhe 200 abetare në gjuhën rome, që edhe romët të mësonin e të shkruanin gjuhen e tyre. Megjithatë që nga dita e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, në shpirtin e tij nuk pati qetësi. Kishte frikë se me kalimin e viteve romët do të strehoheshin si dikur nëpër baraka, buzë lumenjve. Babai ynë u lind më 5 gusht të vitit 1928 dhe u nda nga jeta më 25 shtator 1998, por gjithnjë me merakun nëse romët kishin filluar t’u ktheheshin përrenjve dhe ujërave të lumenjve e të braktisnin shkollat, apo shteti ende përpiqej t’i strehonte në pallate. Me këto fjalë e mbylli rrëfimin e tij, Arben Kosturi, biri i Demir Kosturit dhe nipi i Shaziman Kosturit
    Sigal