Arben Duka/ Tiparet e heroit lirik ne librin poetik “Krihem në sytë e tu” te poetit Riza Çato

    653
    Sigal

    (Kritikë)

     Kujtesa ne krijueseve na çon gjithmonë larg dhe në të tjera kohë, herë si nostalgji, herë si ëndërrim e herë si reflektim. Sot ajo po më kthen mua këtu e dymbëdhjetë vite me parë, kur Rizai vinte e me takonte pas një dhimbje të madhe. Dhe a e dini si erdhi? Si një Kostandin i ri që po ri sillte motrën përmes poezisë. Sinqerisht e pata të vështirë, se nuk gjendet redaktor për dhimbjet. Pikërisht këtu dhe me librin “Lamtumirë, motër!” Rizai dhe jeta e tij morën një kthesë të fortë, për të ndjekur rrugën e poezisë. Nga ai vit dhe deri sot na ka dhuruar tetë prurje poetike. Mendimin tim nuk do ta bredh në të gjithë relievin poetik të poetit, por do të përqendrohem shkurtimisht brenda një kornize: “Tiparet e heroit lirik në librin poetik “Krihem në sytë e tu” të poetit Riza Çato”. Ndodh rëndom që lexuesit e pavëmendshëm të poezisë të venë një shenjë barazimi midis vetë poetit dhe heroit lirik, madje fantazia e këtij lloj lexuesi bëhet pjellore dhe kërkon të biografizojë poezinë me jetën e poetit. Përpos këtij mendimi e gjejë me vend të ri përsëris thënien e Rembosë: “Unë jam të tjerë”, thënie e ka analizuar në parathënien e këtij libri… Qartësisht ka një ndarje midis poetit dhe heroit lirik edhe pse detaje të një jete individuale pikë takohen. Ky pikëtakim vjen në sajë të misionit të vetë poetit. Në këtë semantike heroi lirik i poetit Riza Çato merr përsipër transmetimin e misionit poetik. Do të desha të ndalesha në katër vargjet që hapin faqet e këtij libri, shkëputur nga poezia, që kthehet në stilemë të vetë librit “Krihem ne sytë e tu”:”Dua të krihem në sytë e tu të bukur/Flokët t’i ndaj me vizë në mes./Mbi qepallë të qëndroj si flutur,/Të vij si breshër e te shkoj si vesë”. Ja, pra, ky është heroi lirik i këtij libri, pse jo dhe heroi lirik i gjithë poezisë së poetit. Nga një metaforë  e shtjelluar në ekstremet e mundësisë dhe pamundësisë ku përvijohet dëshirorja, poeti na hedh në tri krahasime: si flutur,si breshër dhe si vesë. Krahasimi i parë bart në vetvete metamorfozën, i dyti furinë dhe vrullin, i treti vetë sakrifikimin e bukur nën diell. Parë në këtë këndvështrim heroi lirik i këtij libri vjen si një lloj Fausti i ri, i cili, për dashurinë dhe vetëm për dashurinë, pranon të bëjë kompromise edhe me Mefistofelin. Vetë dashuria nuk mbetet brenda orbitës së erosit, ajo e tejkalon këtë lloj graviteti. Si i tillë ky hero lirik vjen në disa përmasa. Atë e takojmë me një shpirt të brishtë e delikat kur gjendet përballë të bukurës, që me së shumti kjo e fundit trajtësohet me femrën, me të dashurën, me gruan; e takojmë gjithashtu të kapur, por jo të mbytur prej nostalgjisë, e takojmë si trishtim në vetminë që kall vendlindja e harruar; e takojmë si një eksplozion në shpërthim e sipër përballë çdo dukurie negative që prodhon realiteti ynë; mbi të gjitha e takojmë këtë hero njeri përherë të përballur dhe që lufton t’ia ngushtojë rrethin së keqes. Pak me lart, heroin lirik të këtij vëllimi e përqasëm me një lloj të ri Fausti, që vë të gjitha energjitë e veta në shërbim të dashurisë, për të mbetur përjetësisht i dashuruar. Autori na e sjell heroin e vet në të gjitha përmasat, me thyerjet e përthyerjet brenda shpirtit të vet, me të gjitha dilemat, me një vullnet të hekurt për ta merituar deri në fund dashurinë. Përmasa reale e dashurisë për këtë hero e kërkon me çdo kusht sakrificën për ta mbrojtur atë nga cenet, për t’i qëndruar besnik deri në fund edhe kur mbetet në kërkim të sajë. Thënë në këtë mënyrë nuk duhet të na shkojë mendja se ky hero lirik ka diçka donzhuaneske brenda vetes, përkundrazi, ai kërkon të jetojë në harmoni me të bukurën shpirtërore dhe, kur ndodhet në situata delikate, ai bën të pamundurën për të dalë nga ky kurth. Një tjetër tipar dhe po kaq i rëndësishëm për këtë hero mbetet kërkimi. Ai dashurinë e kërkon dhe e përjeton në të gjitha kohët dhe për këtë na thotë se dashuria nuk njeh moshë. Ky hero kërkimtar e çon kudo shpirtin e tij të dashuruar: edhe në malet e vendlindjes e këtu na përvijon një realitet idilik, edhe në fushë, edhe në bjeshkë, edhe në zemrën e kryeqytetit, me pak fjale i krijon asaj një gjeografi shqiptare. Do të dëshiroja të mbyllja këto radhë me një përfundim: më vjen mirë që shpirti i poetit Riza Çato dhe heroit lirik të këtij vëllimi kanë shumë të përbashkëta me dashurinë. Dashuro, poet!