Arben Duka/ Heroi i dashurisë

    435
    Sigal

    Në zemër s’gjeta kurrë paqe

    Në asnjë varg të poezisë

    Për ty nuk shkrova dot një faqe,

    Hero i madh i dashurisë!

    Një laps të kuq në gishta luaj

    Po portat nuk ia hap mërzisë

    Kollaj s’e kam për ty të shkruaj

    Se je hero i dashurisë!…

    Heronjtë me mijëra numërohen,

    Në çdo minutë të historisë,

    Po as të thoi s’i afrohen

    Heroit tim të dashurisë!…

    Ai jetoi fare pa zhurmë

    Ishte hero, por i pa emër

    Iku e nuk na la një gjurmë

    Nuk ish njeri, po ishte ëndërr!

    Ndaj nuk u shfaq me shpatë në dorë

    Të sillte luftën apo paqen

    Se ëndërr ish, i bardhë dëborë

    Se ëndrrat ndodhin, po nuk shfaqen!…

    Vetëm një çast të ngriu jeta

    Kur një shigjetë të ra në sisë

    Po ti nuk pyet për shigjeta

    Se je hero i dashurisë!…

    Po sa shigjeta të kanë zënë

    Ty që nga koha e rinisë,

    Po shpirtin kurrë s’e ke dhënë

    Se je hero i dashurisë!…

    Sa plagë nga plumbat ti ke marrë

    Gjersa gjithë jeta t’u bitis,

    Po mendjen fare s’e ke vrarë

    Se je hero i dashurisë!…

    Po sa kështjella pushtuar

    Larg brohorimës dhe lavdisë

    Po në litar asnjë s’ke çuar

    Se je hero i dashurisë!..

    Sa t’u vërsulen, po s’u epe

    E natë e ditë i re borisë

    Kur thanë: “U fik!” si diell shkrepe

    Se je hero i dashurisë..

    Në sy, në buzë dhe në gjinj

    I gjete emrin bukurisë

    Shkele krenar mbi gjarpërinj

    Se je hero i dashurisë!…

    Po dashuria ka mundime

    S’janë gjë mundimet e qelisë

    Ti s’u tërhoqe asnjë qime

    Ndaj je hero i dashurisë!…

    Vetëm një gjë ty të brengosi

    Për pak mallkove Perëndinë

    E zeza jetë ditët i sosi

    E s’ke më kohë për dashurinë!…

    Do ishte fat me të vërtetë

    Të bëj për ty nekrologjinë

    Do hidhja veç dy fjalë në fletë

    “Jetoi dhe vdiq për dashurinë!…”

    S’do jetë më mes njerëzisë

    Heroi ynë i dashurisë,

    Po nuk e dimë, si mund ta dimë,

    Ishte hero apo viktimë?!…

    Finale

    S’besoj asnjërin të ketë bindur

    Ylberi im i fantazisë,

    Se Bota ende s’e ka lindur

    Heronë e madh të dashurisë!..

    19.02.2009