Apeli: Të funksionojë Gjykata Kushtetuese, Parlamenti Evropian me 459 vota pro voton Rezolutën për Shqipërinë, Opozita të kthehet në parlament, të miratohet Reforma Zgjedhore, luftë kundër korrupsionit

546
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita të kthehet në Parlament, të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese

Parlamenti Evropian përkrah hapjen e negociatave për Shqipërinë, por jep edhe shumë rekomandime

Parlamenti Evropian votoi dje me 459 vota pro, 112 kundër dhe 62 abstenim, rezolutën për Shqipërinë ku bën thirrje për dialog politik mes palëve dhe kthimin e opozitës në Parlament, si edhe  ka bërë shumë rekomandime dhe kërkesa ndaj shtetit shqiptar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Gjykata Kushtetuese

PE i bën thirrje  politikës shqiptare që sa më parë të përfundojnë krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe të kthejnë në gjendje funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.   “PE inkurajon të gjitha forcat politike që të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të krijuar një dialog të mirëfilltë politik dhe për të arritur bashkëpunim konstruktiv, duke mbështetur kështu procesin e reformave; rithekson besimin e tij të fortë se dialogu politik duhet të zhvillohet brenda institucioneve demokratike; është shumë i shqetësuar për bojkotin de facto të procesit parlamentar nga opozita pas pushimit veror të vitit 2018”, shprehet Parlamenti Evropian. Një vëmendje të veçantë rezoluta ia kushton reformës zgjedhore, duke inkurajuar punën e bërë deri më tani nga komisioni “ad hoc”:

Votoni Reformën Zgjedhore

“PE kërkon adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR; nënvizon se nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, me qëllim rritjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor; kujton nevojën për t’u kushtuar vëmendje të duhur pretendimeve për financim të paligjshëm dhe të padeklaruar të partive politike; mirëpret punën e Komitetit “ad-hoc” për Reformën Zgjedhore lidhur me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, blerjen e votave, përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe votimin jashtë vendit dhe i kërkon Parlamentit të Shqipërisë që të arrijë konsensus dhe të miratojë reformat e nevojshme në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019”. PE fton “autoritetet shqiptare që të marrin veprime vendimtare në shkatërrimin e rrjeteve kriminale të përfshira në trafikimin me njerëz, armë dhe droga, dhe të risin numrin e hetimeve dhe dënimeve përfundimtare sidomos kur çështja ka të bëjë me raste të nivelit të lartë të grupeve të organizuara”.

Trajtim të barabartë të qytetarëve

PE-ja ka bërë thirrje në përmirësimin e strukturave mbikëqyrëse të Kuvendit të Shqipërisë duke përshëndetur aprovimin e Kodit të Sjelljes së këtij institucioni. Bëhet gjithashtu thirrje për një reformë përfshirëse të ligjit zgjedhor me qëllim të rritjes së besimit në këtë sistem. PE-ja bën thirrje që Shqipëria të jetë vend ku edhe qytetarët edhe zyrtarët e lartë të kenë të drejta të njëjta. PE fton “për përpjekje shtesë në uljen e korrupsionit që ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve, nënvizon që zyrtarët e lartë nuk duhet të përfitojnë nga një trajtim preferencial krahasuar me qytetarët e zakonshëm nëse ata akuzohen; bën thirrje  që Shqipëria të rrisë hetimet financiare dhe të dëshmojë konfiskimin e aseteve të përfituara në mënyrë kriminale dhe të tregojë rezultate të prekshme në luftë kundër trafikimit të drogave dhe larjes së parave”.  Në këtë fushë Parlamenti në veçanti mirëpret arrestimet e bandës Bajri.

Migrimi nga Shqipëria më i madhi në rajon

Si specifikë të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor PE-ja shpreh shqetësimin, se vendi mbetet shteti me më së shumti hyrje dhe qëndrime ilegale si dhe kërkesa të rreme për azil në Bashkimin Evropian. PE-ja kërkon që të merren masa në parandalimin e këtyre kërkesave për azil, sidomos sa u përket të miturve të pashoqëruar. Kërkohet që të bëhet më shumë lidhur me luftimin e shkaqeve të migrimit, që janë varfëria dhe niveli i ulët i punësimt të të rinjve. Sa u përket të drejtave të fëmijëve PE kërkon që Shqipëria të risë përpjekjet për parandalimin e trafikimit të njerëzve, duke kushtuar kujdes të veçantë për fëmijët e pa shoqëruar dhe fëmijët viktimë të trafikimit sidomos sa i përket fëmijëve në rrugë.

Kritika për BERZH-in dhe disa projekteve ekonomike në hidro energji

PE-ja shprehu shqetësim të thellë ndaj disa projekteve ekonomike që kanë shkaktuar dëm të madh mjedisor në zona të mbrojtura. Bëhet fjalë për projekte të mëdha për resorte turistike si dhe hidrocentralet në lumin Vjosa dhe Valbona; PE rekomandon Shqipërinë që të zvogëlojë varësinë në hidro energji dhe të eksplorojë mënyra të tjera të gjenerimit. Duke pasur parasysh se disa nga këto projekte janë të financuara nga bankat evropiane, parlamenti në një paragraf fton Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Evropiane për Investime që të rishikojnë përkrahjen për hidrocentrale nëse ato nuk kanë vlerësime (ex ante) për ndikimin afatgjatë të tyre ndaj mjedisit.