Apeli i Urdhrit të Infermierit: Qeveria të mbështesë bluzat e bardha

    419
    Sigal

    Përfitimi i të rinjve nga eksperienca e të vjetërve, rrit cilësinë e kujdesit shëndetësor

    Problemet etiko-profesionale të bluzave të bardha janë ngritur si shqetësim i urdhrave te tyre. Urdhri i Infermierit në një komunikim të fundit për median thotë se etika nuk është më në nivelin e mëparshëm të përkeqësuar. Urdhri thotë se infermierët kanë ndryshuar sjellje me pacientët dhe familjarët e tyre. “Urdhri i Infermierit si ent publik i pavarur dhe si institucion vetërregullues i gjashtë profesioneve që përfshihen brenda tij (infermierët, mamitë, fizioterapistët, teknikët e laboratorit, teknikët e imazherisë dhe logopedistët) ka zhvilluar vazhdimisht teste apo edhe testime anonime në target-grupe të ndryshme, në spitale të ndryshme, në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, por edhe spitalet rajonale, poliklinika apo qendra shëndetësore, duke kërkuar mendimin e pacientëve se çfarë kërkojnë realisht më shumë që t’u ofrohet nga ana e punonjësve shëndetësorë” njofton Urdhri i Infermierit. Nga testime të tilla, Urdhri i infermierit ka arritur në konkluzionin se kujdesi shëndetësor në Shqipëri, lë për të dëshiruar, prandaj duhet punuar ende për ta ndryshuar atë. Urdhri evidenton si një ndër problematikat kryesore sjelljet etiko-profesionale dhe komunikimi i këtyre profesionistëve me pacientët dhe familjarët e tyre. “E për këtë, Urdhri i Infermierit i ka mëshuar shqetësimit të punës në ekip, sepse sipas tij, duhet që të rinjtë të përfitojnë dhe të marrin eksperiencën e të vjetërve dhe se pikërisht, gërshetimi i këtyre dy grupeve do të çojë rritjen e cilësisë së kujdesit”. Urdhri i Infermierit shton se përsëri vazhdon të testojë, teksa gjendet sërish në vazhdën e informimeve, seminareve, konferencave apo aktiviteteve që ai ka kryer deri më tani me profesionistët e kujdesit. Por, edhe duke referuar faktin se realisht, ka ndryshuar sjellja e infermierëve me pacientët dhe familjarët e tyre e se këta të fundit shprehen të kënaqur. Sikundër, UISH konfirmon gjithashtu, se ka ndryshuar, edhe paraqitja e infermierëve nëpër institucionet shëndetësore, ka ndryshuar kultura e punës së tyre, duke pranuar kështu faktin se niveli i kujdesjes, realisht është rritur. UISH parashtron si detyrë edhe faktin tjetër që profesionistët e kujdesit shëndetësor të ecin me hapin e kohës, për të mos lejuar prishjen e imazhit të sistemit dhe të atyre vetë. Urdhri i Infermierit apelon në të njëjtën kohë edhe për t’i mbështetur infermierët apo edhe bluzat e bardha në tërësi, për të punuar me ta që të arrijnë nivelet e duhura, por edhe për t’i mbrojtur, për t’i motivuar e për t’u krijuar kushte më të mira pune dhe për të qenë avokati i tyre në përmirësimin e cilësisë së kujdesit të ofruar. Në mënyrë që ata të mos paragjykohen apo dhunohen pa të drejtë dhe të mos ulet as reputacioni i tyre dhe as i vetë institucioneve tona shëndetësore. “Sepse këta njerëz, në fund të fundit, do ta bëjnë shëndetësinë në Shqipëri. Sepse, nëse kjo kategori profesionistësh nuk do të mbështetet, ata do të mësojnë gjuhë të huaja dhe do të shkojnë të punojnë në vendet europiane të zhvilluara, të cilët sot janë në krizë për punonjës shëndetësorë dhe paguajnë shumë mirë. Pikërisht, nëse nuk do të bëjmë politika të tilla bashkëpunimi, vlerësimi dhe të dëgjimit të zërit të tyre apo t’i trajtojmë thjesht si ushtarë me komandë, nesër këtu do mbeten vetëm të paaftit, sepse më të aftit do të shkojnë në Evropë” përfundon deklarata e Urdhrit të Infermierit.