AP-Shoqëria Civile: Të pezullohet zhvendosja e romëve

    375
    Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka mbajtur sot një deklaratë të përbashkët me Shoqërinë Civile romët në Parkun e Liqenit. AP ka deklaruar se zhvendosja apo dëbimi i romëve është një ngjarje e përsëritur, e zhvilluar deri më sot në shkelje të të drejtave të komuniteteve përkatëse. Sipas tij, zhvendosja po kryhet në mungesë të një komunikimi dhe konsultimi midis Bashkisë së Tiranës dhe komunitetit të prekur. 
    Deklarata e plotë e AP me Shoqërinë Civile: 
    Prej disa ditësh po ndjekim me shqetësim situatën e krijuar lidhur me zhvendosjen e pritshme dhe të paralajmëruar nga Bashkia e Tiranës, të banorëve romë dhe egjiptianë të vendosur prej kohësh në zonën e Liqenit Artificial, në Tiranë. Zhvendosja apo dëbimi i këtyre familjeve është një ngjarje e përsëritur për komunitetet e përkatësisë rome të vendosura në zona periferike, në qytetet më të mëdha të vendit. Të gjitha këto ngjarje deri më sot janë zhvilluar në shkelje të të drejtave të komuniteteve përkatëse. Zhvendosja aktuale e komunitetit rom/egjiptian po kryhet në mungesë të një komunikimi dhe konsultimi midis Bashkisë Tiranë dhe komunitetit të prekur, lidhur me përcaktimin e zgjidhjeve. Ne besojmë se në këto kushte mungon informacioni i plotë mbi çfarë i pret këta qytetarë dhe kjo situatë rrezikon të rëndojnë më tej gjendjen e tyre të vështirë, duke krijuar një tjetër problem edhe më të mprehtë social. Nga informacioni që kemi deri më sot, Bashkia Tiranë nuk ka një plan të mirëmenduar, të mbështetur në një njohje të plotë të tipologjisë së komunitetit, gjendjes të secilës prej familjeve, qoftë në aspektin e aksesit për një strehë të sigurt, aksesit në skemat e mbrojtjes sociale, gjendjen e tyre ekonomike dhe të pasojave që do të vuajë secila prej tyre, në rast zhvendosje nga zona e Liqenit Artificial, të Tiranës. Ne gjykojmë se, zhvendosja e këtij komuniteti nuk po kryhet në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të dëbimeve të detyrueshme; ajo nuk respekton akte të rëndësishëm të OKB-së, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Theksojmë se në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për të drejtën për strehim pasi zhvendosja e pastudiuar dhe në mungesë të konsultimit me komunitetin në fjalë, mund të cenojë dhe të drejtën e tyre për jetë familjare, si dhe të drejtën e tyre për jetën. Gjithashtu dëshirojmë të tërheqim vëmendjen se kjo situatë po përcillet, si nga ana e Bashkisë Tiranë, ashtu edhe nga disa media, me një gjuhë e cila krijon premisë për nxitjen e urrejtjes dhe përforcon stereotipe krejtësisht të dëmshme për një shoqëri demokratike, ose të cilat ushqejnë qëndrime diskriminuese kundrejt këtij komuniteti. Si një çështje me përmasa delikate të aspektit juridik dhe social, zhvendosja e komunitetit Rom/Egjiptian të vendosur në zonën e Liqenit Artificial, të Tiranës, duhet të trajtohet duke respektuar të drejtat e këtij komuniteti dhe duke parashtruar zgjidhje konkrete, efektive, të qëndrueshme dhe afatgjata, me qëllim garantimin e një jetesë më të mirë dhe jo përkeqësimin e saj. Përmes kësaj deklarate ne ftojmë Bashkinë e Tiranës që të reflektojë sa më shpejt mbi këtë çështje, si dhe kërkojmë që ky institucion të pezullojë veprimet për zhvendosjen e komunitetit të sipërcituar, të ndërtojë një proces konsultues me familjet dhe të angazhohet për hartimin e një plani afatshkurtër dhe afatgjatë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në respekt të interesave të ligjshme të komunitetit dhe të drejtave të tyre.
    Sigal