Anxhela Bushati*/ Papa Shqiptar që udhëhoqi 21 vjet Selinë e Shenjtë në Vatikan

    470
    Sigal

    Me rastin e 293 Vjetorit të vdekjes së Papës me origjine Shqiptare Klementit XI-Albani

    Në historinë e Shqipërisë, vetëm mbas rënies së diktaturës komuniste, filloi të xixëllonte një emër thuajse i panjohur nga shqiptarët, por i lidhur pazgjidhmërisht me emrin e tyre për shkak të origjinës së tij: Papa Klementi XI – Albani. Gjon Françesk Albani lindi me 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë dhe u nda nga jeta me 19 mars 1721 në Romë. Ishte Papa i 243 i Kishës Katolike. Shërbeu si Papë që nga zgjedhja e tij më 23 Nëntor 1700 dhe deri më 19 Mars 1721, dhe e udhëhoqi kishën katolike universale për 21 vjet rresht duke u rreshtuar i katërti për nga vitet ne krye të Kishës Katolike mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Piu IX me 31 vjet, Papa Gjon Pali II me 26 vjet. Kësaj figure madhështore te popullit shqiptar nuk i është kushtuar një kapitull i domosdoshëm në historinë e Shqipërisë, nuk i është ngritur asnjë bust apo monument për ta kujtuar, nuk i është vënë asnjë rruge apo asnjë sheshi emri i tij edhe pse me ardhjen e demokracisë në Shqipëri mjaft historianë e studiues shqiptarë filluan të hedhin në letër shkrimet e tyre rreth kësaj figure gjigante që na bën të ndjehemi krenarë veçanërisht në Europë apo edhe në botë, për këtë bir nëne me gjak shqiptar. Krenaria e origjinës Shqiptare e Papës Klementi XI -Albani u shfaq në çastin kur u zgjodh Papë. Mbas emrit të tij Papnor, ai vendosi dhe mbiemrin e vet Albani, për t’u dalluar përpara botës se është shqiptar duke qenë në historinë e Papëve i vetmi Papë që “prish” rregullin duke vendosur prejardhjen e tij mbas emrit papnor. E rrallë por e adhurueshme për ne shqiptarët. Papa Albani në latinisht shkruhet: “Clementes Undecimo Albani Urbinas”, që në shqip do të thotë “Shqiptari Klementi XI nga Urbino”. Kjo prehet dhe në amanetin e tij kur po ndërronte jetë: më varrosni në mënyrë shumë të thjeshtë, por të shkruhet që rrjedh nga gjaku shqiptar. Një patriot i shkëlqyer. Një patriotizëm që e gjen edhe sot mbas 600 vitesh në mes të arbëreshëve në Itali. Në fshatin Mërqi të komunës Kallmet, me 14 Janar 1703 u mbajt “Kuvendi i Arbërit” në Kishën e Shën Gjonit, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Papa Klementit XI– Albani. Ky Kuvend ishte më i rëndësishmi që zhvillohej në Shqipëri pas Kuvendit të Besëlidhjes së Skënderbeut në Lezhë dhe kishte si qëllim bashkimin e shqiptarëve dhe ndaljen e islamizimit të Shqipërisë nga pushtuesit osmanë. Ky Kuvend ka një rëndësi të madhe për historinë e gjuhës shqipe mbasi vendimet e këtij Kuvendi u botuan në gjuhën shqipe. Ky Kuvend me rendësi historike kujtohet me një pllakë të thjeshtë të vendosur me mjaft modesti. Çfarë mund të kujtojmë ne si popull e si komb kur nuk respektojmë vlerat tona të patjetërsueshme, që nuk i mbulon dot as pluhuri i trashë i kohës, dhe që nuk i fshinin dot as dhe plehrat që përpiqen të mbulojnë vlerat. Në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë u kujtuan t’i bëjnë një monument Ismail Qemalit, Mbretit Zog, Hasan Prishtines, i bene një monument Adem Jasharit, shumë mirë që u bënë, por për të ardhur tek pavarësia e Shqipërisë më 1912 a nuk u kalua nga Kuvendi i Arbërit më 1703 dhe nga një varg kontributesh të rëndësishme të Papës me origjinë Shqiptare? Sot jo rrallë herë shohim kronika në TV nga aktivitete të Selisë së Shenjtë, flasim për rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Vatikanin dhe harrojmë e nuk vlerësojmë se para 300 vitesh në krye të tij ishte Papa Shqiptar që trondiste botën me zgjuarsinë dhe diplomacinë e tij.

    *Drejtoreshë e Përgjithshme e Fondacionit Papa Klementi XI-Albani