Anila Ahmataj/ KEMP-et lenë në rrugë paraplegjikët

    380
    Sigal

    Shqiptari nga natyra është një shpirt gjenetikisht i ndjeshëm, por edhe një shpirt i madh. Një shprehje e vjetër thotë: Më mirë njerëz të varfër ekonomikisht, por të pasur në shpirt. Kjo shprehje është një e vërtetë absolute, por nuk mbetet aksiomë përcaktuese për integrimin europian të Shqipërisë. Bashkimit Europian nuk i mjafton të ketë pjesë të tij një vend vetëm të pasur shpirtërisht, por një vend në të cilin qeverisja kujdeset dhe e materializon pushtetin e saj në zgjedhjet dhe zgjidhjet që bën për kategoritë e ndryshme sociale, e veçanërisht për personat me aftësi të kufizuar. Që një vend të ketë prosperitet, atëherë ata që e drejtojnë apo e udhëheqin, duhet të përqendrohen te ajo që është më e rëndësishme. Shëndeti dhe lumturia janë dy objektivat e jetës, por këto bëhen më të lehta për ata persona të cilët gëzojnë nga natyra aftësi të plota, ndërsa për ata që nuk e patën fatin t’i gëzojnë kurrë, hasin vështirësi të shumta për të shkuar sado pak afër këtyre dy objektivave. Të shohësh me vëmendje kulturën shpirtërore dhe sociale të një shteti duhet të depërtosh në kujdesin ndaj kësaj shtrese.

    Me të drejtë lind pyetja: Po institucionet përgjegjëse, a janë të vëmendshme ndaj kësaj shtrese!? Si një vend i kritikuar haptazi nga institucionet si OKB dhe Komiteti i Gjenevës që merren me të drejtat, liritë dhe përkujdesjen ndaj personave me aftësi të kufizuar, mjafton të mbyllim veshët ndaj gënjeshtrave të politikanëve dhe të hedhim vështrimin drejt jetës së përditshme të këtyre personave për të kuptuar sesa pak, sesa keq dhe pamjaftueshmërisht trajtohen personat e me aftësi të kufizuar në Shqipërinë e vogël, që për nga pasuritë dhe resurset me të drejtë mund të cilësohet si “perla e Ballkanit”. Është fakt se PAK, të cilët nuk mbulohen nga skema e sigurimeve shoqërore dhe trajtohen me vetëm 9750 lekë në muaj, po kalojnë sot një krizë të tejskajshme ekonomike, sociale e psikologjike, me fjalë të tjera po provojnë vuajtje të mëdha. Vuajtja është një dukuri plotësisht shpirtërore, edhe pse nisma e saj është dhimbja fizike. Ashtu si çdokush që ka një të afërm apo një pjesëtar të familjes, i cili gëzon statusin i paaftë, do të fliste dhe shkruante me penën e shpirtit, për të kërkuar nga shteti dhe institucioni përkatës çdo të drejtë të mundshme dhe përkujdesjen serioze ndaj kësaj shtrese. E vërteta është së nga shteti ajo gëzon veç titullin “të paaftë”. Syri i udhëheqësit i dëshiron t’i shohë ata të vetëkënaqur, të lumtur me jetën e tyre dhe kushtet, ku ata jetojnë. Për këtë arsye dilema se personat e paaftë janë të gjendur në udhëkryqet e fatit apo të institucionit përkatës thellohet më tej!? Krijimi i një vuajtjeje bëhet nga përjetimet jetësore, njeriu nga vetë natyra është në një marrëdhënie të hershme me vuajtjen, qoftë kjo shpirtërore apo fizike, por mbetet e patolerueshme që ajo të thellohet, sepse nuk gjendet zgjidhja e vullneti i duhur nga qeverisësit, institucionet apo vendimmarrësit e tjerë, që janë votëbesuar për ta lehtësuar atë.

    KMCAP-të tragjikomike në Shqipëri

    Qeveria aktuale, një nga reformat urgjente që kishte planifikuar të bënte ishte rikomisionimi i dosjeve të personave të paaftë, kjo për t’i dhënë fund abuzimeve dhe fryrjes së listave. Dhe kjo është e mirë dhe në shërbim të më të drejtës. Por realiteti nuk e kursen shtrembërimin që po i bëhet ditë pas dite këtij qëllimi të mirë, pasi po shkohet nga ekstremi i fryrjes së listave me persona që nuk meritojnë të trajtohen me pagesë paaftësie në ekstremin tjetër, atë të heqjes së pagesës për persona të paaftë nga komisionet mjekoligjore në rrethe të ngritura pranë degëve të sigurimeve shoqërore, të cilët ua heqin këtë trajtesë personave të sëmurë që nuk kanë asnjë mundësi jetese.

    Për fat të keq këto raste që vijnë nga e gjithë Shqipëria si: nga Vlora, Tirana,

    Elbasani, Korça, Kavaja, Përmeti etj., janë shtuar së tepërmi kohët e fundit. Këto abuzime janë trajtuar me korrektësi nga vetë Shoqata Shqiptare e Personave të

    Paaftë e cila ka marrë në mbrojtje këtë kategori qytetarësh duke e ngritur zërin

    fuqishëm tek institucionet përkatëse, për të mos lejuar që vuajtjeve të tyre t’u shtohet edhe padrejtësia e paturpshme që bëhet nga anëtarët e KMCAP-it, të cilët në mjaft raste janë kthyer nga një komision i caktimit të aftësisë për punë, në një komision tragjikomedik të caktimit të personave që do të shkojnë në “gijotinën” e radhës të varfërisë, të dhimbjes e të vdekjes. Por ky fenomen po kontrollohet me kujdes nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që shpresojmë se do t’i neutralizojë këto probleme.

    Shoqata shqiptare  e personave të paaftë

    Qysh më 4 dhjetor 2012, personat e paaftë kanë patur mundësinë të përfaqësohen denjësisht, ashtu sikurse e meritojnë nga “Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë”, e cila ka shërbyer si ndërmjetësuese që problemet e tyre të bëhen të ditura për përfaqësuesit e institucioneve që marrin vendime për këtë kategori njerëzish. Disa herë përfaqësues të kësaj Shoqate kanë zhvilluar takime me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në të cilën janë ngritur probleme qenësore dhe imediate për zgjidhje. Problemet si: vonesat e pagesës së paaftësisë për disa muaj me radhë, që ka gjetur zgjidhje fale vullnetit dhe punës së mirë të kësaj ministrie, apo përcaktimi i minimumit jetik dhe problemi i punësimit për anëtarët e familjeve të personave të paaftë janë diskutuar me dëshirë për bashkëpunim reciprok. Falë këmbënguljes së Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë janë prezantuar me fakte dhe dokumente problemet si heqja apo përgjysmimi i pagesës mujore së paaftësisë nga ana e KMCAP-it nëpër rrethe. Këto probleme janë shtruar edhe për opinionin publik përmes shkrimeve të botuara në organet e medias së shkruar nga vetë kreu i kësaj shoqate, gazetari i hershëm, Maksim Rushi, i cili ka goditur me forcën e fjalës aty ku ka më shumë dhembje e vështirësi. Në shkrimet e tij me tituj si: “Qeveria, ligje të helmatisura ndaj personave me aftësi të kufizuara”; “E ardhmja e Shqipërisë për në BE nis nga kujdesi për personat e paaftë”; “Klasa politike pa asnjë vizion për personat e paaftë”; ai reflekton, përkufizon dhe servir realitetin ashtu si është, pa dorashka apo pa bërë kompromis me të vërtetën. Por dhimbja shumëfishohet kur neglizhenca ulet. Neglizhenca e këtij vendi ndaj kësaj shtrese më bëri të shkruaj diçka me shpresën se të gjitha këto sa thashë të shërbejnë si një format sensibilizimi për të gjithë ata ose ato institucione që u lind e drejta të bëjnë sadopak për këtë shtresë. Shprehem kështu, sepse e njoh mirë realitetin e personave të paaftë dhe kjo për dy arsye: Së pari, sepse jam një kujdestare prej katërmbëdhjetë vitesh e një pjesëtari të familjes që vuan nga paaftësia dhe së dyti, sepse kam kënaqësinë të shërbej si anëtare e presidencës së “Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë”, qarku Vlorë. Personat e paaftë vërtet që meritojnë shumë, sepse ata janë pjesë e rëndësishme e çdo shoqërie. Thuhet se “Testi moral i qeverisë është se si ajo i trajton ata që janë në agim të jetës, fëmijët, ata që janë në muzg të jetës, të moshuarit dhe ata që janë në hijen e jetës, të sëmurët, nevojtarët dhe personat me aftësi të kufizuara”. Shpresojmë se qeveria jonë do të kalojë me sukses testin moral të saj.