Angela Merkel rikonfirmon angazhimin për forcimin e lidhjeve transatlantike

497
Kancelarja gjermane Angela Merkel mbetet e angazhuar për marrëdhënie të forta transatlantike, njoftoi zëdhënësi i saj të hënën. Komenti vjen pas deklaratës së udhëheqëses gjermane se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm.

“Për shkak se marrëdhëniet transatlantike janë të rëndësishme për kancelaren Merkel, është e drejtë që ajo të flasë sinqerisht mbi dallimet, nisur nga këndvështrimi i saj“, tha të hënën gjatë një konference shtypi zëdhënësi Steffen Seibert.

Gjatë një tubimi në Bavari tzonja Merkel deklaroi se: “kohët kur ne mund t’i besojmë plotësisht të tjerëve, kanë përfundur disi, nikur nga eksperienca e ditëve të fundit”.

Angela Merkel, sikurse disa udhëheqës ndërkombëtarë, kritikoi ashpër vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump në takimin më të fundit të Grupit të Shtatshes që u mbajt në Sicili, për të mos mbështetur marrëveshjen e Parisit të 2015 lidhur me ndryshimet klimatike.

Në një komunikatë përfundimtare të përmbledhur, vendet e G-7-ës përveç Amerikës, u zotuan për të zbutur ndryshimet klimatike. Zonja Merkel tha se marrëveshja për klimën është shumë e rëndësishme dhe se nuk mund të ketë kompromise lidhur me të.

Duke pranuar se megjithatë Gjermania dhe Evropa do të përpiqen të mbajnë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, kur kjo e fundit po largohet nga Bashkimi Europian, zonja Merkel tha gjithashtu se “duhet të dimë që duhet të luftojmë për të ardhmen tonë si evropianë, për fatin tonë“.
Sigal