Andrea Petromilo/ Shablonizmi, mefshtësi apo “kuzhinë’’ korrupsioni

    433
    Para pak kohësh, (më 7-8 prill) qysh ditën e parë të ardhjes së shefit të ri të policisë rrugore në qytetin e Vlorës, nisi një “aksion” rrufe ndaj motoçikletave e në veçanti ndaj atyre taksi, që shërbenin nëpër lokalet fast-food, (etj!), sikur ai të ishte shqetësimi për qytetin dhe që kërkonte marrjen e masave urgjente e zgjidhje imediate. Madje ky aksion vazhdoi dy – tre ditët e para (e më pas sigurisht!) të emërimit të tij. Në krye të tij ishte dhe vetë shefi. (Bukur! Udhëheqim me shembullin personal!) Ky aksion patjetër që s’do mbetej pa dhënë rezultate të suksesshme, (që ndoshta nevojiten për t’u shënuar në evidencat vjetore), pasi dihet e njihet se pjesa dërrmuese e këtyre mjeteve që posedohen, ose drejtohen nga masa e të rinjve, është problematike. Me bindje themi se me aksionin që kreu shefi i ri i policisë rrugore në Vlorë, nuk ka mundur ta ketë zgjidhur merakun, (paçka numrit të konsiderueshëm të mjeteve që ndaloi e sekuestroi brenda një apo dy ditëve!), që si të ishte në një ëndërr e u zgjua, rendi për të disiplinuar këto mjete me fuqi të ulët motorike, të cilat në masën më të madhe kryejnë shërbime të shpejta e të nevojshme, sidomos për sipërmarrjet. Deri këtu nuk ka asnjë tendencë për të kritikuar punën që u bë perms aksionit e bëhet prej policisë rrugore apo dhe shefit të ri të saj të sapo emëruar për të disiplinuar lëvizjen dhe përdorimin me kriter të këtyre mjeteve shërbimi, përkundrazi, në zbatim të rregullores së qarkullimit rrugor dhe ligjishmërisë përkatëse duhet përgëzuar. Por po të hysh më në brendi të problematikës, diçka stonon. Me pak fjalë, dalin disa “garnitura”, që dashje pa dashje, që të çojnë në “pjatën” që përgatit “kuzhina” e korrupsionit. Dhe për dreq, siç na përmendin sapo nisim bisedën rreth kësaj çështjeje, vetë policët rrugorë, para pak kohësh, dy shokët e tyre në atë komisariat, u burgosën, pasi prapë, siç pohojnë ata, u akuzuan për korrupsion, domethënë, kishin marrë (përvetësuar!) lekë padrejtësisht … “Sëmundjet” që mbartin këto mjete janë disa: Drejtohen pa leje drejtimi, nuk janë të pajisura me dokumentacionin e duhur, u mungojnë targat, në pamjen e jashtme të japin përshtypjen se janë mbi fuqinë motorike që ato të mund të përdoren pa leje qarkullimi, por që në fakt fuqia e tyre motorike është në kufirin tolerant, por që askush nuk e merr parasysh këtë, kështu që e paguan drejtuesi imjetit(!), etj…
    Shqetësimet me mjetet motorike
    Këtu nis e nxjerr kokën problem i parë. Pyesim: A e njeh policia rrugore, si detyrë kryesore e të saj, cila është njëra prej mundësive të pajisjes së njerëzve (nevojtarëve!), e më tepër të të rinjve me këto mjete? (Kemi parasysh vazhdimisht e flasim për të gjitha motoçikletat me fuqi motorike nga 49-125 kubikë, të cilat qarkullojnë më tepër për nevoja biznesi – kryerje shërbimesh!). Sigurisht s’ka si të mos e dijë. Shumë prej pikave të servisit të këtyre mjeteve (për të mos thënë të gjitha!) shesin motoçikleta, të cilat i kanë siguruar me rrugë të ndryshme, e njëra prej tyre është ajo e montimit e (ngritjes – në gjuhën e tyre!) modifikimit me pjesë të mbledhura andej e këndej (siç thonë mjeshtrat e servisit!). Atëhere këto mjete si mund të kenë dukumenta të rregullta, përveç një deklarate dore që e lëshon “i zoti”, që e shet, për të vërtetuar se nuk është mjet i vjedhur (evidentohet plotësisht identiteti i të zotit!) dhe nevojtari e blen, sigurisht me çmim të arsyeshëm, aq sa, siç thotë populli, nuk thyhet në kërbishte, për të zgjidhur hallin! Gabim? Dhe po dhe jo. Themi po, pasi duket hapur që shkelet ligji. Por ai e blen pasi egziston një përvojë: Shumë mjete të tilla prej vitesh, për të mos thënë në thellësi të viteve, kanë qarkulluar e qarkullojnë duke mbartur këto gjynahe!
    Gabim i nevojratëve apo policisë?
    Veç a mund të themi se është tërësisht gabimi i nevojtarëve? Aspak. Gabimi kryesor, mendojmë, është i policisë, e cila së pari ka lejuar e lejon këto pika servisi të shesin mjete të tilla (e po s’qe detyra e saj le ta sugjerojë në instancat përkatëse si problem shqetësues në punës së saj!) dhe së dyti, që nëpër vite i ka lejuar qoftë edhe një rast të vetëm, të qarkullojnë këto mjete. Dhe ka një logjikë: korrupsioni, ndoshta i vogël, por i përditshëm dhe i imponuar: Më jep diçka dhe ik! (Kur pikon përditë është më i ëmbël se sa kur rrjedh, se derdhet, thotë populli). Dhe kjo “diagnozë” mban disa kohë vlagën, derisa bien në duart e ndonjë tjetri që nuk e njeh “viktimën”! Por kjo ka dhe pasoja të tjera nëqoftëse bie në dorë të ndonjë kokëshkreti, që nga ajo “Na- karemi” nuk ka mbetur i kënaqur dhe atëhere digjesh, mjeti konfiskohet me mënyrën specifike (çudi, në disa vende të Europës, ku kam qënë, s’e kam dëgjuar që të konfiskohet mjeti, por mund të gjobitet drejtuesi), pra, mjeti, që është blerë me djersën e ballit, kalon në komisariat dhe atëhere “qaje, humbet si në gojën e lubisë” (nuk afrohesh dot se të përpinë), madje sa për të të hequr qafe pa i bezdisur shumë, (se ka të tjera masa pastaj!) kur këmbëngul, të thonë paguaj kaq e aq sa ty të vjen të shkulësh leshtë e kokës, detyrohesh të kthesh krahët dhe i thua djersës tënde: Në djall vaftë!! E njëjta lojë zhvillohet dhe me motoçikletata me fuqi motorike 49 kubikshe, por që ndonjë tregues formal të fut në ligjin tjetër “makabër” (siç thonë ). Më konkretisht, që këto mjete të qarkullojnë pa leje drejtimi duhet të gëzojnë tre parametra: shala duhet të jetë teke, (sugjerojmë që ka firma prodhuese që i nxjerrin me fuqinë motorike të sipërpërmendur me dy shala), të kenë shënuar në kroskot kilometrazhin 50 km (gjë që s’ka një tregues të tillë!) dhe në dokumentat shoqëruse të shënohet fuqia motorike 49 kubikë. Pra, mendojmë se ai tregues që duhet të merret parasysh, duhet të jetë fuqia motorike dhe jo ana formale e saj. Shpesh kur mungon dokumentacioni, fuqia motorike shprehet tek cilindri i motorit, gjë që policia rrugore duhet ta dijë (!) në rast të kundërt ka ekspertë, që rrezikshmëriae këtij mjeti vjen nga fuqia motorike e jo nga shala, apo treguesi i kilometrazhit… 
    Mefshtësia e uniformave blu
    Atëhere, në këtë rast, kemi të bëjmë me mefshtësi të organeve përkatëse apo me “kuzhinën” korruptive? Po të dalësh në terren e me kujdes të ndjekësh e vëzhgosh se ç’ndodh, do kuptosh se korrupsioni është “i servirur në pjatë”, është karem që nuk “konsumohet” lehtë por vlen vazhdimisht(!). Në rast të kundërt? Personit drejtues, heqje lirie (me tiparin e kriminelit!), mjeti sekuestrim(!!) etj… etj…Dhe nëse ndodh me të drejtë të kundërshtosh duke dashur t’i bindësh se eksperti mund ta vërtetoj fuqinë motorike të mjetit, atëhere uniforma blu, që është krijuar për të mbrojtur qytetarin, nuk pranon asnjë “mësim”. Madje nxitja dhe tensionimi, fal uniformës, arrin deri atje saqë viktima e pëson më rëndë (ashtu siç edhe ka ndodhur me F.!!) Mendojmë se shablonizmi këtu shfaqet kategorik. Alternativa të tjera, kur është dëshira dhe detyra për të edukuar njeriun, mund të ketë dhe ka brenda këtij ligji “makabër” për nga problematika që të drejton në “rrezikshmërinë” qytetare. Policia, nëse egziston ky ligj, a nuk ka patur mundësinë të sugjerojë në insntancat përgjegjëse për një rishikim të tij (shiko vendet e Europës në rastet indentike!) dhe vepro dhe ti… 
    Në vend të gjobës, heqje lirie
    Por paradoksi shqiptar ka zbritur në rrugë dhe shëtit “krenarisht”, kur qytetarëve të vet ua heq lirinë duke luajtur me jetën, nervat dhe psikologjinë e tyre. Zotëri, edhe pse ti më ke lejuar, më ke treguar udhën e “shejtanit”, mos ma hiq lirinë, por më gjobit, që unë të mbledh mendjen…Mos më përvetëso mjetin (zhvatje e hapur!), pasi ajo është prona ime, në asnjë vend të botës së përparuar, që ti kërkon ta imitosh e të shkosh drejt saj nuk preket, ndërsa ti, pas proçedurash vë gjoba të tilla saqë mjetin e zhvat…Përvoja ka treguar se jo gjithmonë kërbaçi është mjet edukimi. Kultura është ajo që të çon drejt përsosjes së portretit qytetar. Tregojnë për një mësues pedantë e të rreptë, që nxënësit i bënin zhurmë, madje dhe i nxirrnin gjuhën kur i kthente shpinën klasës. Tek nxënësit ai kurrë nuk e fitoi emrin e edukatorit, kurse një tjetër që ishte i kulturuar, dinte të komunikonte me nxënësit, madje jashtë orës së mësimit ishte shok me ta, ai gëzonte respekt, dhe sot kur kanë kaluar vite e vite, ish nxënësit e tij, nuk mund ta thërrasin në emër, por mësues! E, pra, polici rrugor, që shpesh (gjithmonë) i shikon të fshehur nëpër rrëza, dhe veç si “gogoli” në përrallat e fëmijve, dalin e të trembin, duhet të mësojnë se kanë dhe një rol tjetër: atë të edukatorit. Dhe jam i bindur se respekti do ta disiplinojë dhe atë më rrebelin. 
    Vrasja e dinjitetit
    Ligjet nuk duhet të jenë e të zbatohen shtampë, por duhet t’i japi mendimit, logjikës, horizontin ku mund të hapi krahët analiza. Shablonizmi është mefshtësi, slloganet pa një analizë janë produkt i papagalizmit. Kultura s’e pranon këtë. Për një gabim, që nuk hyn në akte kriminale, njeriut nuk i vritet dinjiteti, nuk i baltoset portreti; jetës së tij nuk i hiqet liria, pasi uniforma të ka pajisur me një detyrë që duhet të jetë fisnike se sa të mbart “kanibalizmin”, por fal analizës i hap shteg tolerancës, jo liberalizmit. Shefi i ri duhet të kuptojë se zbatimi i ligjeve ka dhe klauzola, që i shërbejnë të njëjtit qëllim. Di që të them se jo gjithmonë, madje rrallë dhuna sjell ndryshimin, kultura po. Paftësia çon në dhunë, kultura gjithmonë është e sukseshme, më efikase…Ndërgjegjësimi shpreh shkallën e lartë të profesionalizmit…Heqja e lirisë së individit, pa patur jo vetëm portretin e kriminelit, por as veprimin kriminal, s’ka pse të përdhunohet e mandej dhe mjeti, pronë e blerë me djersën e ballit të sekuestrohet… Aftësimi profesional di dhe të sugjerojë e të veprojë me elekuencë kur ia diktojnë faktorët… 
    Sigal