Andon Zako Çajupi/ Poezi

    1119
    Sigal

    Andon Zako Çajupi u lind në Sheper të Zagorisë. Jetoi dhe vdiq në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920-n themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu. Ndër veprat e tij të njohura janë: “Baba Tomorri” (Kajro, 1902), “Dhjata e vjetër e shfaqur” – satirë, “Burri i dheut”-tragjedi (1908), “Pas vdekjes”–komedi, “14 vjeç dhëndër”–komedi, etj…

     Fshati im

    Maletë me gurë,
    fushat me bar shumë,
    aratë me grurë,
    më tutje një lumë.

    Fshati për karshi
    me kish’ e me varre,
    rrotull ca shtëpi
    të vogëla fare.

    Ujëtë të ftohtë,
    era pun’ e madhe,
    bilbili ia thotë,
    gratë si sorrkadhe.

    Burrat nën hie,
    lozin, kuvendojnë,
    pika që s’u bie,
    se nga gratë rrojnë!

    Gratë venë nd’arë,
    dhe në vreshta gratë,
    gruaja korr barë,
    punon dit’ e natë.

    Gratë në të shirë,
    në të vjela gratë,
    ikinë pa gdhirë,
    kthenenë me natë.

    Gruaja për burrë
    digjetë në diell,
    punon es’rri kurrë
    as ditën e diel.

    0 moj shqipëtarkë,
    që vet’ e nget qetë,
    edhe drek’ e darkë
    kthehesh e bën vetë;

    Moj e mjera grua,
    Ç’e do burrë zinë
    që ftohet në krua
    dhe ti mban shtëpinë!

    Mëmëdheu

    Mëmëdhe quhetë toka
    ku me ka rënurë koka,

    ku më ka dashur mëm’ e atë,
    ku më njeh dhe gur’ i thatë,

    ku kam pasurë shtëpinë,
    ku kam njohur perëndinë,

    stërgjyshet ku kanë qenë
    dhe varret që kanë vënë,

    ku jam rritur me thërrime,
    ku kam folur gjuhën time,

    ku kam fis e ku kam farë,
    ku kam qeshur ku kam qarë,

    ku rroj me gaz e me shpresë,
    ku kam deshirë të vdesë.