Andon Z. Çajupi/ Poezi

    1139
    Sigal

    Fyell’ i Bariut

    Bariu, shokë, bariu,

    Kur gjëmon e fryn veriu,
    Është përjashta fatziu,
    E rreh breshëri dhe shiu!
    Barinë, shokë, barinë,
    Mos e harroni fatzinë,
    Se lë gruan e shtëpinë
    T’u kullosë bagëtinë.
    Kullotni, moj bagëti,
    Ti, ti, ti. . .
    Kullotni, biro, kullotni,
    Kur të vdes te me kujtoni,
    Ndjesë pastë! — të më thoni.

    Shikoni barin’ e gjorë:
    Në diell a në dëborë,
    Bariu me shkop në dorë
    Ruan deshtë me këmborë.
    Vështronje barinë mirë,
    Me të ngrën’ e me të pirë,
    T’u marrë dhëntë pa gdhirë,
    T’i kullosë me dëshirë,
    Të rrijë bashkë me to,
    To, to, to.
    Hani, moj bagëti, hani,
    Kur të vdes do të më qani,
    Për mua zi do te mbani!

     

     

     

     

    Fshati im

     

     

    Maletë me gurë,
    Fushat me bar shumë,
    Aratë me grurë,
    Më tutje një lumë.

    Fshati për karshi
    Me kish’ e me varre,
    Rrotull ca shtëpi
    Të vogëla fare.

    Ujëtë të ftohtë,
    Era pun’ e madhe,
    Bilbili ia thotë,
    Gratë si sorkadhe.

    Burrat nën hije,
    Lozin, kuvendojnë,
    Pika që s’u bie,
    Se nga gratë rrojnë!

    Gratë venë nd’arë,
    Dhe në vreshta gratë,
    Gruaja korr barë,
    Punon dit’ e natë.

    Gratë në të shirë,
    Në të vjela gratë,
    Ikinë pa gdhirë,
    Kthenenë me natë.

    Gruaja për burrë
    Digjetë në diell,
    Punon e s’rri kurrë
    As ditën e diel.

    0 moj shqipëtarkë,
    Që vet’ e nget qetë,
    Edhe drek’ e darkë
    Kthehesh e bën vetë;

    Moj e mjera grua,
    Ç’e do burrë zinë
    Që ftohet në krua
    Dhe ti mban shtëpinë!

     

     

     

    Besa-Besë

     

    Gjithë vendetë gëzojnë,
    Ti, Shqipëri, pse pushon?
    Gjithë njerëzit këndojnë,
    Ti, shqiptar, pse rënkon?
    Gjithë duanë lirinë
    Dhe pa të njeriu s’rron;

    Ti, shqipëtar, Shqipërinë
    Në zgjedhë si e duron?

    Zgjohuni, o shqipëtarë,
    Erdhi dita për liri!
    Zini luftë me barbarë,
    Përpiqi për Shqipëri!

    Të krishter’ e myslimanë,
    Të tërë një sua kemi;
    Gegë, toskë, dibranë,
    Gjithë shqipëtarë jemi.

    Mblidhuni të bëjmë benë,
    Të gjithë dorë për dorë:
    Të duamë mëmëdhenë,
    Edhe malet me dëborë.

    Që ditën që u shkeli
    Robëria dhe gjer sot
    Nukë bën më bar Dhëmbeli
    Dhe Tomori qan me lot.

    Male me krye në qielli,
    Si duroni robërinë?
    Ju që shihni drit’ e diell,
    Pse s’ ndrini dhe Shqipërinë?

    Ku janë vaftet e parë,
    Që kini dhënë yrnek?
    Ku jini, o shqipëtarë,
    Pse s’dëgjohet një dyfek?

    Apo humbi trimëria,
    Apo s’doni mëmëdhenë?
    A u shua Shqipëria,
    Që ka pjellë Skënderbenë?

    Pse rrini lidhur me lak?
    Pse shpëtoni vënd’ tuaj?
    Apo s’u mbeti më gjak,
    Se e derdhtë për të huaj?

    Mirri pushkëtë në duar
    Edhe bëni besa-besë:
    Shqipëria do shpëtuar,
    Kokë turku të mos mbese!

     

     

    Naim Frashërit

     

    Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
    Moj e mjera Shqipëri!
    Mendjelarti, zemërtrimi,
    Vjershëtori si ai!

    Vdiq Naimi, po vajtoni
    Shqipëtarka, shqipëtare!
    Naimne kur ta kujtoni,
    Mos pushoni duke qarë!
    ……………….

    Vdiq Naimi, gjithë thonë,
    Qani turq, qani kaurë!
    Bilbil’ i gjuhësë tonë
    S’do të dëgjohet më kurrë!

    Vdiq Naimi, që këndoi
    Trimërinë, Skënderbenë,
    Vdiq Naimi, që lëvdoi
    Dhe nderoi mëmëdhenë!

    Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
    O moj Shqipëri e mjerë!
    Vdiq Naimi, po kush mbeti?
    Si Naimi s’ka të tjerë.

    Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkretë,
    Pse more të tille burrë?
    I ndritë shpirti për jetë,
    Mos i vdektë nami kurrë!