Andi TOPI*/ Apel për një program emergjence kombëtare për rehabilitimin e pyjeve në Shqipëri!

    395
    Sigal

    Programi i emergjencës kombëtare për rehabilitimin e pyjeve dhe kullotave, ka si qëllim sigurimin e menaxhimit ne terren dhe hartimit të një strategjie te shpejte kombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm e shumë funksional të burimeve pyjore dhe kullosore pa humbur kohë. Nga keqmenaxhimi i pyjeve dhe ekosistemit ne tërësi gjatë periudhës së tranzicionit dhe në vazhdim, bëj apel që të ngrihet një njësi e specializuar pranë qeverisë, ku të hartojnë sa më shpejt një program emergjence kombëtare rreth rehabilitimit të pyjeve dhe ekosistemit. Pikat nga ku duhet nisur Programi: Nga pikëpamja menaxhimit të ekosistemit dhe shërbimit pyjor, duhet të merren masa të menjëhershme për një menaxhim të sigurt dhe të qëndrueshëm të pyjeve. Duke filluar nga ligjet, VKM-të apo udhëzimet për pyjet dhe shërbimin pyjor. Duke filluar nga riorganizimi i shërbimit pyjor, programet e zhvillimit apo mbarështimet e fondit pyjor & kullosor. Nuk është bërë asnjë plan mbarështimi për pyjet dhe kullotat pas vitit 1985, e kjo është katastrofike. I’ u dhanë NJQV-së, sipërfaqe të tëra pyjore/kullosore, pa krijuar atë që është më e rëndësishme infrastrukturën e duhur. Çdo komunë apo bashki nuk ka kapacitetin e duhur dhe një ide të qartë, për një ruajtje dhe administrim të qëndrueshëm të kësaj pasurie të madhe kombëtare. Gjithashtu, duhet të respektohet statusi i nëpunësit civil për specialistët e pyjeve. Të përcaktohet qartë në ligj dhe të futet në Kodin Penal që personat që djegin pyjet dhe kullotat të dënohen me burg. Stafit të specialistëve që punon në këtë sektor të rëndësishëm duhet që t’ u rritet rroga. Duhet medoemos të ngrihet struktura e inspektorit të pyllit, i pajisur me uniformë dhe armë, me mjete logjistike e teknike si dhe për të shmangur dëmtimet nga zjarret, duhet që gjatë muajve të verës të punësohen vrojtues sezonal. Ministria duhet të japë alarmin rreth sosjes së materialit drusor, rrezikojmë që në vitet e ardhshme të ngelemi pa dru dhe pa ngrohje. Çdo drejtori të ketë të paktën 5 – 6 makina, pajisje kundra zjarrit, uniforma serioze, blerja e një helikopteri, etj. Të përgatitet e miratohet një Vendim për riorganizimin e kadastrës pyjore mbi baza bashkëkohore.

    Ish-inspektor Pyjor në rezervatin natyror “Liqeni i Zi” – Bulqizë