Anarkia e pronës është krijuar nga pushtetarët, për të përvetësuar zonat turistike

    436
    Sigal

    Legjislacioni ekzistues e rregullon problemin e pronave në zonën e bregdetit shqiptar

    Raporti prej 26 faqesh i Nils Muižnieks, Komisioner i Komitetit të Ministrave të KE 2013, në analizën e kushteve që duhet të plotësojë Shteti Shqiptar, ndër të tjera, shpreh shqetësimin e thellë për mos ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ (pika 45) si dhe të vendimeve të gjykatave të brendshme dhe të vendimeve administrative. Raporti thekson se mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave të brendshme dhe i vendimeve administrative është një problem shumë më i gjerë, që nuk kufizohet vetëm tek çështjet e kompensimit të pronave të shtetëzuara (pika 55). Raporti evidenton dhe zvarritjet e proceseve civile mbi çështjen e pronave. Për mangësitë e thella në sistemin e drejtësisë gazeta “Telegraf”  ka sensibilizuar me kohë. Së fundi, me 07/01/2014, “Telegraf” në shkrimin “A e toleron Strasburgu mungesën e shtetit ligjor dhe korrupsionin në drejtësi?” përmes dokumenteve publikon se Shteti nuk ka ekzekutuar vendimin e GJEDNJ, aplikimi nr. 10508/02, vendim datë 23.10.2007, final me datë 31.03.2008, se Avokatja e Shtetit dhe kryetari i AKKP-së kanë raportuar me shkrim se vendimi GJEDNJ është ekzekutuar, kur në fakt thelbi konstatues (pika 11) dhe ai urdhërues pika nr. 101 i atij vendimi, nuk janë marrë në konsideratë dhe ky Vendim i GJEDNJ nuk është ekzekutuar. Mangësitë ose papërgjegjshmëria në këtë rast kapërcen kufijtë e asaj që mund të quhet gabim pasi ka arritur deri në mohim të shtetit ligjor. Janë edhe shumë vendime të GJEDNJ të pa ekzekutuara. Ndonëse për ato nuk është raportuar se janë ekzekutuar, ato të gjitha duhen ekzekutuar sa më parë, përfshi dhe vendimet e shumta të formës së prerë të gjykatave të vendit akoma të paekzekutuara.

     Çfarë thonë ligjet për pronat e zonave turistike të Qarkut Vlorë  

    Praktikisht legjislacioni ekzistues e rregullon problemin në zonën e Qarkut Vlorë, por moszbatimi ose zbatimi i keq i ligjeve në fuqi, në periudhën 1991-2013, grykësia dhe korrupsioni i pushtetarëve ka qenë më i lartë, duke krijuar amulli të rëndë dhe anarki institucionale. Pronat e ish NB-së, praktikisht, janë përvetësuar nga politikanët, ndonëse nuk ka asnjë ligj që të justifikojë kalimin e tokave të zonave turistike në pronësi të personave të tretë. Nëse verifikohen dokumentacionet në ZRPP të Qarkut Vlorë. zbulohen menjëherë makinacionet e këtij korrupsioni të organizuar nga politikanët dhe pushtetarët e lartë. Nëse do ishin zbatuar ligjet në fuqi, pronat turistike duhet t’u ishin kthyer totalisht subjektit të shpronësuar.

    -Konkretisht, për tokat e ish NB-së pika 5 e Nenit 2 të Ligjit 8053/1995 thotë: “Tokat bujqësore që: a. Janë pushtuar ose fituar në mënyrë të paligjshme. b. Kanë qenë në përdorim, por që nga përdoruesit janë bërë kalime pronësie të paligjshme ose çdo lloj veprimi tjetër të pabazuar në ligj. Veprimet për kalimin e pronësisë për rastet e përmendura në pikat “a” dhe “b”, si dhe regjistrimet e këtyre kalimeve janë të pavlefshme.”

    -Ligji nr. 57/2012 në Nenin 3 ka përcaktuar qartë se përfitues me kthim fizik nga Ligji nr 57/2012 dhe Neni 2 pika 5 e Ligjit 8053 janë vetëm kategoria e bashkëthemeluesve.

    -Ligji 9235/2004 i ndryshuar Neni 6, në pikë 1/b që praktikisht e kthen tek subjekti i shpronësuar token, thotë: “U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit nr.7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar”.

    Këto tre ligje janë shkelur dhe zbatimi i tyre nga ana e Shtetit, praktisht, zgjidh shpejt problemin dhe lehtëson gjykatat nga një mbingarkesë e provokuar nga moszbatimi i ligjeve në fuqi.

    Që prona të futet në rrugën e zgjidhjes duhen veprime te shpejta, sepse Qershori 2014 i përcaktuar në vendimin pilot, datë 31 Korrik 2012 prej Gjykatës së Strasburgut është afër.

     S’ka turizëm, pa kthim të pronës te i zoti!

    Gazeta prestigjioze “NevvYork Times” e renditi  Bregdetin e Shqipërisë së Jugut të katërtin nga 52 vendet më të mira për t’u vizituar nga turistët. Kjo është e vërtetë, por kjo është zona me problematike për faktin se pronat në këtë zonë turistike akoma nuk u janë kthyer pronarit të ligjshëm dhe trojet turistike janë përvetësuar nga klanet e politikanëve nëpërmjet personave të tretë. Kjo gjë pengon zhvillimin e industrisë turistike, prish qetësinë dhe stabilitetin social, kultivon korrupsionin dhe mohon shtetin ligjor. Qeveria po vepron për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe pavarësisht nga kundërshtimi në Facebook i ish -Kryeministrit Berisha që në një farë mënyre kërkon të justifikohet për gabimet e tij, kjo është gjë e mire, pasi rivendos zbatimin e ligjit, por duhet treguar kujdes që aksioni të mos degradojë në një veprim klientelist, ku subjekti që paguan nuk preket, edhe pse ka pushtuar tokën e tjetrit apo edhe atë që quhet publike apo e shtetit. Ndërtimet pa leje që me konsensus nuk duhet të prishen mendoj se janë vetëm ato, që pronari origjinal i truallit, i ka bërë në tokën e të parëve të tij. Këto ndërtime nuk duhet të legalizohen në mënyrë që në rast të një plani zhvillimi të mëvonshëm dhe shpronësimi apo për nevoja publike, konform ligjeve, shteti paguan vetëm truallin, por jo ndërtimin pa leje. Gazeta “Telegraf” ka trajtuar shume here problematikën e pronës në zonën e bregdetit të jugut Vlorë-Sarandë. Qeveria e re në pikën nr. 14 të Projekt -Programit të saj, e veçon zgjidhjen e problemit të pronave në bregdetin e jugut, zonë ku padrejtësitë dhe korrupsioni me pronat është shumë i dukshëm.

     Anarkia e pronës

    Si media e lirë, ne përsëri sensibilizojmë për faktin se, Strategjia për Zhvillim dhe Integrim 2012-2020 duhet rishikuar sa më parë, sepse s’ka për ta realizuar misionin, pasi e anashkalon anarkinë e pronës dhe detyrimin e shtetit për zbatimin e Kushtetutës. Si argument citojmë shoqatën “Bregdeti”, që i kanë drejtuar njërit prej drejtuesve të Agjencisë Pronave, disa pyetje publike në një nga mediat e shkruara. Bregdetasit thonë: “Prona tek i zoti përbën themelin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, zbatimin e Nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, që vazhdon të shkelet”. Në vazhdim ata argumentojnë: “Këtë fakt që e ka deklaruar në shtator 2010 në Kuvendin e Shqipërisë edhe vetë Kryeministri Sali Berisha duke thënë se: Beteja për pronën përcakton sistemin dhe lidhet me fatet e demokracisë dhe zbatimin e kushteve që BE kërkon të zbatohen prej Qeverisë Shqiptare. Edhe deputeti Fatmir Mediu, ka deklaruar në Parlament se prona është grabitur me ligj, por në këto 20 vjet, kush i ka votuar këto ligje?” Më tej bregdetasit deklarojnë: “Nga askush nuk mund të kundërshtohet deklarimi i zotit Rrapo Hajredin Danushi, se nuk ka demokraci pa pronën tek i zoti se pas vitit 1991 kemi pluripartitizëm dhe sistem kleptokracie, se nuk mund të jemi pjesë e NATO-s, e BE-së dhe demokracisë pa kthyer fizikisht pronën tek i zoti. Në kompleksin e tyre Kuvendi ka miratuar ligje anti-pronar, duke filluar nga Neni 8 i ligjit 7501, por edhe nene në ligje të tjera që bien ndesh me të drejtën tonë për pronën e trashëguar. Faji bie mbi politikanët tanë, por edhe mbi përfaqësitë e institucioneve ndërkombëtare që megjithse prej shumë vjetësh kanë monitoruar problemin e denacionalizimit të pronave, duke shpenzuar fondet të mëdha, praktikisht e konstatojnë shkeljen e të drejtës së pronës, por heshtin, duke u bërë kështu mbështetës të korrupsionit. Po ashtu nenet antipronar që shkruhen në aneksin e Ligjit të pronave nr 9235 të vitit 2004, u miratua nën kujdesin e OSBE-së. Ligjet e këqija të miratuara në Parlament dhe zbatimi i keq i tyre ka bërë të mundur banditizmin me pronat në zonat turistike dhe po imponon zgjidhjen e të drejtës së pronës nëpërmjet korrupsionit, ose nëpërmjet vetëgjyqësisë që nënkupton dhe gjakderdhjen. Veprimtaria e Agjencisë dhe e institucioneve të tjera përfshi Prokurorinë, Prefektin, Inspektoratin ose Policinë Ndërtimore konstatojnë shkeljen flagrante të ligjit me qëllim vjedhjen e pronës, por kryejnë veprime shumë të ngadalshme. Jo vetëm në Dukat, por në të gjithë zonën e mbrojtur turistike situata është tensionuar nga veprimtaria antipronar e Agjencisë së Kthimit të Pronave që në fakt vepron për të bllokuar pronarët dhe favorizon shkelësit e ligjeve. Drejtori i AKKP-së, që është një prej institucioneve që ta kthen pronën tënde ose të mban peng shumë vjet pa ta kthyer pronën tënde dhe krijon hapësirë kohe që pronën tënde ta legalizojnë ose ta pushtojnë persona të tjerë, del shpesh në TV dhe gjithmonë përdor termin ish- pronar për ne që jemi pronarët, flet për kompensimin duke anashkaluar faktin se nuk ka përfunduar kthimin fizik. Gazetat pasqyrojnë rregullisht veprimtarinë e Agjencisë dhe të ALUIZNI-t dhe çdo ditë njoftojnë për legalizimet dhe kompensimet”.

    Zgjidhja e pronës në zonat turistike, detyrim i shtetit ligjor

     Kjo është vetëm një nga ankesat e shumta të pronarëve që kanë rënë në veshin e shurdhër, çka është bazuar dhe në deklarimet në Kuvend të ish- Kryeministrit Sali Berisha, ku rezulton se anarkia e pronës është krijuar nga pushtetarët për të përvetësuar zonat turistike. Për sa më sipër, shoqata “Bregdeti” së bashku me shoqatën Dukati kanë përgatitur projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave në Qarkun e Vlorës, zbatimi, i të cilit e kthen pronën e konfiskuar tek i zoti, shkarkon Qeverinë nga faturat financiare dhe e zgjidh më së miri problemin e pronës. Ky draft e përcakton kthim-kompensimin e pronës, detyrim të shtetit dhe praktikisht korrekton aktet zyrtare të periudhës para 2014, për pjesët që nuk janë në përputhje ligjet në fuqi. Drafti përcakton që zgjidhja e problemit të pronës në zonat turistike, është detyrim i shtetit ligjor. Zgjidhja e shpejtë është plotësisht e mundur nëse opozita do të tregohet konstruktive pasi situata e anarkisë së pronës është kryesisht produkt i qëndrimit të saj të papërgjegjshëm. Gjithsesi, mbetet vetëm vullneti politik i Kryeministrit Edi Rama, faktori që përcakton zgjidhjen e shpejtë, duke plotësuar pikën 14 të programit aktual të Qeverisë për pronat.