Aministia britanike, shqiptarët që përfitojnë

    394
    Në kohën kur të gjitha vendet europiane kanë nisur përzënien masive të emigrantëve, përfshi edhe shqiptarët nga Shqipëri, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe vise të tjera autoktone shqiptare në Ballkan, një propozim pozitiv vjen nga ligjvënësit britanikë. David Lammy është deputet laburist i Tottenhemit në Londër dhe një nga kandidatët kryesorë për postin e kryetarit të bashkisë se kryeqytetit anglez. Ai ka propozuar që të bëhet një amnisti për rreth 300 mijë emigrantë të huaj, që jetojnë dhe punojnë në Londër prej pesë vitesh dhe ka thanë se do të luftojë çdo ditë për këtë amnisti, nëse zgjidhet në këtë detyrë. Me këtë propozim përfitojnë edhe disa dhjetëra shqiptarë që qëndrojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe
    Përfitimi i emigrantëve shqiptarë
    Deputeti britanik e bazon këtë ide në përvojat dhe suksesin e amnistive për emigrantët ilegalë në vende të tjera europiane, si në Spanjë, kur në vitet ’80 u legalizuan 1.2 milionë emigrantë ilegalë. Por edhe në Britani ka pasur më përpara amnisti të këtij lloji, ku kanë përfituar me mijëra shqiptarë. Ka ardhur koha në Britani, – tha deputeti, – që t’i përfshijmë këta njerëz në rrjedhat e shoqërisë së kryeqytetit, me qëllim që ata të paguajnë taksa, nga të cilat ai llogarit se Londra do të përfitojë rreth 600 milionë stërlina çdo vit. Por zyra e kryeministrit e kundërshtoi idenë duke thënë se “kjo nuk është një ide që po e shqyrton qeveria”. Sipas deputetit David Lammy, nuk ka kuptim të ndiqen politika të pareformuara ndaj emigrantëve ilegalë. “Amnistimi i tyre nuk do të krijojë trysni mbi strehimin, sepse ata janë njerëz që aktualisht jetojnë në Londër. Nuk do të thotë se do ketë më pak vende pune, sepse shumica dërrmuese e tyre janë në marrëdhënie pune. Thjesht kjo do të thotë më shumë të ardhura nga taksat dhe më shumë transparencë për ata që jetojnë në këtë megaqytet”, argumenton deputeti që kërkon amnistinë e emigrantëve.
    Kundërshtimet e qeverisë britanike
    Edhe pse qeveria konservatore nuk e mbështet një ide të tillë, anëtarë të saj në të shkuarën e kanë mbështetur idenë e amnistisë, madje edhe kryetari aktual i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, në vitin 2013 kërkoi amnisti për ata që kishin 12 vjet që jetonin në Londër. Një amnisti e mundshme do të lehtësonte mjaft punën e zyrtarëve të emigracionit, të cilët më pas do të përqendroheshin më shumë në përpjekjet për të ndaluar ardhjen e emigrantëve të rinj. Londra dhe e gjithë Britania mbeten një magnet i fuqishëm për emigrantët, për shkak të mundësive të mëdha të punësimit, siç po e tregon edhe kriza fundit e mijëra emigrantëve, mes tyre edhe qindra shqiptarë, që ndodhen në Francë e që duan me çdo çmim të mbërrijnë në ishull.
    Sigal