Ambulanca bie në kanal, vdes pensionisti dhe tjetri në gjende të rëndë

    428
    E ndërsa dje në Parlamentin e Shqipërisë, “kacafyteshin” dhe akuzonin njëri-tjetrin për “krime, korrupsion, vila dhe pasuri përrallore”, vetëm 45 minuta larg Tiranës, dy firma ndërtuese, kliente të ministrit të Transportit Haxhinasto dhe të drejtorit të rrugëve Dashamir Xhika, prej 8 muajsh tallen me mbi 45 mijë banorë të zonës. Është fjala për aksin rrugor më të degraduar, ndoshta në Shqipëri, Elbasan-Cërrik-Gramsh. Banorët e atyre zonave, të cilët prej 8-9 muajsh po jetojnë me pluhurin, baltën, vërshimin e ujërave të zeza, vërshimin e ujërave të lumenjve, mungesën e transportit normal, prishjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale, të makinave dhe harxhimin e miliona lekëve në servise, akuzojnë ministrin përkatës. 

    Duke nisur nga ura e Shkumbinit dhe duke vazhduar përgjatë rrugës deri në Cërrik, firmat ndërtuese, të cilat janë përzgjedhur nga dy ministrat, kanë kryer vetëm gërmime, çarje kanalesh, prishje muresh rrethuese, duke shkatërruar plotësisht aksin e dikurshëm. Banorët e lagjes Shën -Koll, e fshatrave Mjekës, Kuqan, Shirgjan, Jagodinë, Kryezjarr, Muriqan, banorët e qytetit të Cërrikut, Gostimës, Shtermenit dhe Banjës, kanë ankesa të shumta ndaj firmave që kanë shkatërruar aksin rrugor, ndaj ministrit të Transporteve që sipas tyre “ka muaj që nuk duket fare të na japë llogari, se çfarë do të bëhet me rrugën që e katandisi sikur të kenë rënë bombat, të vijë dhe të na japë llogari se kur do të mbarojë rruga, se përse firma është larguar dhe ka lënë këtu një teknik nga Cërriku dhe nja 5-6 punëtorë që dredhin cigare gjithë ditën, duke na krijuar shqetësime, strese dhe duke arritur deri atje sa të marrë edhe jetë njerëzish, nga vonesat e paimagjinuara”. Sipas banorëve të fshatit Jagodinë “para 10 ditësh ambulanca, që kishte ardhur për të marrë dy pensionistë të sëmurë, pasi kishin nevojë urgjente të shtroheshin në spitalin e Elbasanit, është vonuar mbi 2 orë, sepse rruga ishte e prishur, pa drita dhe makina bashkë me të sëmurët dhe mjekët ra në kanal, dhe është dashur ardhja e 20 burrave, që deri në orën 22.00 kanë punuar si në mesjetë, me kazma dhe lopata derisa nxorën autoambulancën nga kanali i ujërave të zeza, ndërkohë para 3-4 ditësh njëri nga pensionistët ka vdekur, kurse tjetri është në fund”. 

    Të indinjuar banorët e atyre zonave lëshuan akuza të shumta lidhur me problemet e shumta që u ka krijuar për jetën e tyre rruga e shkatërruar. Ata u shprehën se “nuk ka bërë vaki të shkatërrohet me dashje një aks rrugor që mban me bukë dhe që mban gjallë mijëra banorë, por më e turpshme është tallja dhe heshtja që bëhet nga ata që sa herë vijnë vetëm mashtrojnë, qeshin dhe ironizojnë fytyrat tona të vrerosura, dhe ikin duke na thënë se do të rregullohet gjithçka”. Banorët e aksit rrugor Elbasan-Cërrik-Gramsh janë gati për protestën e tyre, e cila do të mbledhë mbi 2 mijë makina për të bllokuar rrugën në disa segmente dhe për të detyruar ministrin Haxhinasto të vijë dhe të thotë kur do të mbarojë rruga, pasi sipas tyre “zgjedhjet e 2017 janë larg dhe ne deri atëherë me këtë rrugë, do të kemi pësuar fatin e atyre dy pensionistëve”. Hallet e shumta ekonomike dhe problemet e shumta sociale kanë mbërthyer jetën e atyre banorëve, që edhe me lot në sy u shprehën se “kemi mbetur sikur të ishim refugjatë sirianë dhe jo banorë autoktonë që duam rrugën dhe jo rrogën e ministrit, duam kushte normale jetese dhe jo keqtrajtim sikur të ishim kafshë”.
    Alma Jonuzi
    Sigal