Ambasadori Italian, Gaiani, i shkruan drejtorit të gazetës “Telegraf”

    434
    Sigal

    Z. Engjëll Musai

    Drejtor i Gazetës “Telegraf”

    TIRANË

    Tiranë, 30 janar 2013 Prot. 337 ~

    I nderuar Drejtor, në lidhje me shkrimin “Ministri Haxhinasto, fushatë zgjedhore me ambasadorin italian”, botuar në gazetën tuaj në datën 29 janar, dëshiroj të nënvizoj disa aspekte që në tekstin e botuar më duket se, nuk janë trajtuar me vëmendjen e duhur e për të cilat mendoj se, lexuesit duhet të kenë një informacion më të drejtë e të saktë. Në mënyrë të veçantë, në tekst, qortohem se, kam kryer vizitën me një ministër jo kompetent në fushë dhe se kam ndërhyrë në fushatën zgjedhore në prag të zgjedhjeve të ardhshme politike të vitit 2013 në Shqipëri. Këto akuza nuk kanë kurrfarë baze dhe ju shpjegoj dhe arsyen. Vizita në Elbasan dhe Gramsh me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Haxhinasto, përbën një veprimtari normale monitorimi në kuadër të programit në mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) shqiptare, i financuar nga Kooperacioni italian me një vlerë të përgjithshme prej 27,5 milionë Euro, së cilës, në të ardhmen, do t’i shtohet një tjetër financim prej 15 milionë Euro. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE), kompetente për zhvillimin e NVM, është partneri institucional me të cilin Qeveria italiane ka nënshkruar Marrëveshjen Dypalëshe të Programit, në përfaqësim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Kjo Ministri është pra, përgjegjësja kryesore për realizimin e nismës nga pala shqiptare: rezultatet e përftuara deri tani nga nisma e financuar nga qeveria italiane dhe nga tatimpaguesit italianë në mbështetje të NVM shqiptare nuk do të kishte qenë e mundur të realizoheshin pa pjesëmarrjen e plotë dhe pa mbështetjen e vendosur të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë. Dëshiroj të përmend faktin se, monitorimi i veprimtarive të financuara nga kooperacioni italian është një ndër kompetencat e mia institucionale. Nën këtë këndvështrim, prej vitit të kaluar, pak kohë marrjes së detyrës si Ambasador i Italisë në Shqipëri, kam ndërmarrë një sërë vizitash pranë NVM të financuara nga programi i lart përmendur i kooperacionit italian: kujtoj se me Ministrin e atëhershëm Naço, në muajin mars të vitit të kaluar kam kryer vizita në dy ndërmarrje në Durrës, që veprojnë përkatësisht në sektorin e peshkimit dhe në atë të teknologjisë së komunikimit. Më tej, në muajin shtator 2012 së bashku me kreun e METE-s, ministrin Haxhinasto, kanë vijuar vizitat në Lushnjë dhe Patos pranë disa ndërmarrjeve që veprojnë në fushën e përpunimit të mermerit dhe të prodhimit të këpucëve. Së fundmi, dëshiroj të hedh poshtë çdo insinuatë rreth paanësisë së hamendësuar institucionale nga ana e Ambasadës së Italisë në Shqipëri. Dëshiroj të jem i qartë, Ambasadori i Italisë në Shqipëri nuk bën e nuk do të bëjë fushatë zgjedhore. Nuk bën pjesë ndër detyrat tona dhe as ndër synimet tona. Të vetëdijshëm për rëndësinë që paraqet për demokracinë e një Vendi instrumenti i konsultimeve elektorale, e vetmja dëshirë e jona është dhe mbetet kryerja e një procesi zgjedhor të rregullt e transparent. Mjetet e komunikimit kryejnë një rol thelbësor informimi dhe dokumentimi në dobi të shtetasve dhe është e qenësishme që një detyrë e tillë të kryhet me përgjegjshmërinë, përpikmërinë dhe qartësinë e duhur çka e meritojnë të gjithë shtetasit shqiptarë e të huaj që ndjekin këto mjete. Zyrat e Ambasadës së Italisë në Shqipëri mbeten në gatishmëri për të dhënë informacione rreth programeve dhe projekteve të shumta të realizuara në bashkëpunim me autoritetet shqiptare.

    Përzemërsisht, Massimo Gaiani

    Përgjigje  Ambasadorit  të  Italisë në Tiranë z. Massimo Gaiani

    Zoti Haxhinasto le të deklarojë publikisht se nuk do të kandidojë në Qarkun e Elbasanit

    I nderuar z.Ambasador!

    Pasi u njohëm dhe e lexuam me kujdes letërpërgjigjen tuaj në lidhje me shkrimin e botuar në gazetën “Telegraf” të datës 29 janar 2013 me titullin “Ministri Haxhinasto, fushatë zgjedhore me ambasadorin italian”.  Në radhë të parë, dëshiroj sinqerisht z.Ambasador t’ju uroj shumë mbarësi në misionin tuaj, Juve personalisht dhe stafit të Ambasadës Italiane. Ndiej keqardhje z.Ambasador, nëse padashur dhe pa më të voglin qëllim për Ju, mund t’ju kemi prekur apo lënduar, por ky është misioni ynë, për sa më shumë transparencë nga të gjithë faktorët publikë dhe politikë në Shqipëri. Të jeni i sigurt, z.Gaiani që, unë personalisht dhe i gjithë stafi i gazetës “Telegraf”, e vlerësojmë dhe Ju jemi shumë mirënjohës për gjithçka të jashtëzakonshme që Italia, vëllezërit dhe miqtë tanë italianë kanë bërë  gjatë këtyre 23 viteve për Shqipërinë dhe emigrantët shqiptarë. Në rastin e shkrimit për vizitën e përbashkët në Qarkun e Elbasanit të jeni i bindur që ndoshta ka koinçiduar edhe me periudhën e përgatitjeve të zgjedhjeve të 23 Qershorit dhe të caktimit të kandidaturave dhe qarqeve preferenciale të LSI-së, pjesëtar i së cilës është edhe z.Haxhinasto, ministër i METE-s. Sipas burimeve tepër konfidenciale të gazetës “Telegraf”, z.Haxhinasto është përcaktuar si kandidat  për deputet në këtë qark dhe i ka interesuar ta shfrytëzojë, mbase edhe pa dijeninë tuaj këtë situatë. Për ne, si gazetarë, por edhe për të gjithë shqiptarët, nuk është rastësi përdorimi i pushtetit dhe suportit të figurave me influencë në ceremonitë e ndryshme dhe sidomos inaugurimeve në prag të fushatave elektorale. E njëjta gjë ka ndodhur në  rastin e ministrit Haxhinasto. Ai kërkon të kandidojë në Qarkun e Elbasanit, qark, i cili përfshin edhe Gramshin, që Ju vizituat. Le të  dalë publikisht ministri i METE-s dhe të deklarojë se: “Unë nuk do të kandidoj në Qarkun e Elbasanit” dhe ne do t’i kërkojmë ndjesë për paragjykimin e kësaj vizite. Sigurisht që, kjo nuk ka lidhje me Ju dhe, me të drejtë e theksuat edhe në letrën tuaj që qëllimi kryesor është mbështetja ekonomike dhe ne i jemi mirënjohës Italisë. Gjithsesi, për sa sqarova më sipër, i nderuar z. Ambasador, të jeni i bindur se tek stafi dhe gazeta “Telegraf” do të keni dhe do të gjeni miqtë më të mirë tuajët dhe të gjithçkaje që lidhet me Italinë. Profesionalizmi dhe shkolla italiane e medias është një arsye më shumë në mbrojtjen e lirisë dhe të së drejtës, pavarësisht se, segmente të caktuara dhe pasardhës të diktaturës komuniste në Shqipëri nuk e duan një gjë të tillë dhe sot janë në nivele ministrash. Kjo besoj, z.Ambasador, duhet të jetë shqetësimi i vërtetë i Europës demokratike dhe shtetit italian. Shumë faleminderit për korrespondencën tuaj, e cila pasqyrohet e plotë në këtë numër të gazetës “Telegraf”.

    Me shumë përzemërsi dhe respekt,

    Engjëll Musai,

    Drejtor i Gazetës “Telegraf”.