Ambasadori Delawie: Askush s’do një republikë serbe në Kosovë

522
Kosova duhet t’i përdorë institucionet e saj për ta zgjidhur ngërçin e tanishëm politik, ka dhënë referencën e tij i deleguari i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. Diplomati amerikan, në një intervistë për ‘Rubikon’ në KTV, ka thirrur udhëheqësit politikë që t’i lënë anash interesat e tyre personale dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje për hir të qytetarëve të Kosovës, e të cilët sipas tij, janë punëdhënësit e politikanëve.

Ambasadori amerikan ka tërhequr vërejtjen se Kosova mund të krijojë precedent nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve, pasi sipas tij, kjo kërkesë po vjen nga një pakicë njerëzish që përpiqen ta përdorin dhunën politike, kaosin politik për të arritur diçka që nuk kanë mundur ta arrijnë gjatë zgjedhjeve para dy vjetëve.
Sa i përket Asociacionit, diplomati amerikan thotë se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë udhëzimet për të siguruar se ky Asociacion do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sepse askush e as amerikanët nuk e dëshirojnë një Republikë Serbe në Kosovë. Por, Delawie e quan të sajuar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe sipas tij, kjo po bëhet për poenë politikë nga ata që po e bllokojnë punën e Kuvendit.
Ambasadori Delawie ka vënë shpresat se funksionalizimi i Gjykatës Speciale do të zgjidhë pretendimet e lëna pezull prej periudhës së luftës, duke theksuar se kjo gjykatë do t’i gjykojë “kapadainjtë”, të cilët nuk mund t’i gjykojnë kosovarët. ‘Mendoj se Gjykata Speciale do të merret me rastet me të cilat do të ishte shumë vështirë të trajtoheshin nga Prokurorët apo gjykatësit kosovarë”, ka thënë Delawie.
Diplomati amerikan shpreson shumë se Serbia do ta njohë Kosovën, duke theksuar se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është që Kosova, si çdo vend tjetër në Evropë, të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Sigal