Ambasada ruse: Akuzat, trillime krejtësisht absurde

599
Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar nga revista amerikane “Mother Jones”, e të ripublikuar më pas edhe nga mediat shqiptare, ku hidhen dyshime mbi burimin e parave të përdorura nga Partia Demokratike për lobim në Uashington. Sipas artikullit të publikuar në “Mother Jones”, ka indicie të forta që këta para burojnë nga dy kompani ruse. Por, ambasada e Moskës në Tiranë e quajti këtë një trillim. “Një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme. Spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike, që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë. Qëllimi është i qartë: të imponohet një perceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës. Ambasada përmes deklaratës thotë se “konfirmon edhe një herë gatishmërinë për komunikim dhe bashkëpunim të hapur me të gjitha forcat politike të Shqipërisë në interes të përparimit të dialogut dypalësh”. “Shpresojmë gjithashtu që mendimi i autorëve amerikanë nuk përkon me qëndrimin e redaksive të mediave shqiptare, të cilat e kanë ribotuar artikullin e lartpërmendur”, mbyllet reagimi i Ambasadës Ruse në Tiranë.
Sigal