Altin Lala: “Jeta ime pas futbollit”

759
Sigal

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare: “Tetë orë në zyrë janë një ferr i vërtetë”

Altin Lala e mbylli karrierën e tij si futbollist, më shpejt se ai vetë e kishte menduar, për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Gjithsesi, mesfushori shqiptar 37-vjeçar zyrtarisht është pjesë skuadrës rezervë të Bajernit të Mynihut, por ai jeton sërish në Hanover, ku së shpejti do të punësohet në klubin e njohur gjerman, Hanover 96. Ish-kapiteni i Hanoverit dhe i Kombëtares shqiptare dha një intervistë të gjatë për gazetën “Noje Prese”, ku foli edhe për projektet e tij në të ardhmen e afërt.

 – Altin Lala, ju luajtët vetëm tri ndeshje me ekipin e dytë të Bajernit. Përse kaq pak?

 – Qysh kur isha të Hanoveri kam pasur një problem në thembër, kjo mu përsërit edhe në fillim të sezonit. Ishte një dëmtim i keq. Nuk më mbetej gjë tjetër veçse të merrja disa tableta për moshën që kisha, gjë që te Hanoveri nuk e kisha bërë kurrë. Shkoi mirë në fillim. Më pas luajta tri ndeshje, dhe më ndodhi dëmtimi në kofshë, një çarje muskulore prej 11 milimetrash. Pra, një dëmtim aspak i vogël. Kur unë u ktheva pas gjashtë javësh, këputa ligamentet e gjurit gjatë stërvitjes. Kjo, mesa duket u dha fund të gjithave.

 – Çfarë mundët të mësonit ju te Bajerni?

 – Unë do të doja të isha edhe një herë tjetër atje. Ishte me të vërtetë bukur të shihje se, mbi çfarë strukturash punonte Bajerni, çfarë punë të mirë dhe të vështirë ishte bërë atje prej dhjetëra vitesh.

 – A do të donit të luanit për një ekip amator futbolli në Hanover?

  – Edhe pse unë nuk mund të luaj më një futboll profesionist, nuk do të doja që në moshën 37 vjeç t’i jepja fund. Gjithsesi, unë dëshiroj që të luaj diku.

 – Ju nuk jeni ende fizikisht plotësisht në gjendje të mirë…

 – Kjo është e vërtetë. Gjatë dëmtimeve të mia kam bërë nëntë operacione, që kanë pasur nevojën e narkozës: këputje muskujsh, menisk, dëmtimi i hundës, thyerja e dorës, por këto nuk janë të gjitha.

 – Çfarë planesh keni në jetë pas përfundimit të karrierës si futbollist?

 – Kam rënë dakord, që në fillim të vitit të takohem me presidentin e Hanover 96, Martin Kind. Unë kam marrëdhënie të mira me të dhe me klubin. Do të shohim se, çfarë kombinimesh do të ketë. Përveç kësaj unë kam një biznes me Dirk Rosmanin në Shqipëri. Por, unë dua të sjell më shumë. Ky është gjithashtu një opsion. Unë do të shoh në çdo rast se çfarë mund të bëj.

 – Edhe një pune zyre?

 – Tetë orë në një tavolinë zyre, kjo nuk mund të ishte një gjë e mirë, pasi unë nuk e njoh atë lloj pune. Për këtë unë kam nevojë për një farë kohe që të përshtatem.

 – A mund të ishte Akademia e Moshave të Hanover 96 një fillim pune për ju?

 – Kush mund ta dijë.

 – A mendoni se mund të filloni një punë në fushën e sportit?

 – Po. Unë di shumë nga futbolli. Mund të sjell shumë gjëra nga përvoja ime. Gjithsesi, e ardhmja ime në çdo rast lidhet me Hanoverin. Unë nuk mund të jem kundër djalit tim, pasi ai është një tifoz i madh i Hanover 96.

 – Si mund të ishte hapja e një shkolle futbolli së bashku edhe me Stivën Çerundolo?

 – Një ide e këndshme. Me Stivin unë mund të bëja gjithçka. Ai është një super tip dhe një mik i vërtetë.

 – Çfarë mund të thoni për ecurinë e Hanoverit?

 – Viti ishte i suksesshëm, edhe pse në fund nuk dukej dhe aq mirë. Nëse do të kishim edhe tri pikë më shumë do të ishte gjithçka në rregull. Në ndeshjen kundër Dortmundit pësuam tre gola të parregullt, të paktën kështu i pashë unë. Ndeshja në Dortmund më djeg më të vërtetë shumë. Me 26 pikë do të ishim në objektiv. Ecuria e Hanover 96, me ndonjë gjë të vogël, më kënaq me të vërtetë shumë.

 – Fundi i karrierësh dhe një lamtumirë e fantastike me Hanover 96. Për kë do të mendonit në fillim?

 – Për të dyja. Por, dita e ndarjes ishte me të vërtetë çmenduri. Kur i shoh sot fotot, më duket se nuk është e vërtetë. Nuk kisha asnjë ide, ishte me të vërtetë një surprizë e pabesueshme, që tifozët qëndruan aq gjatë pas ndeshjes në stadium. Ishte dhurata më e madhe për mua. Do të mbetet gjithë jetën në kujtesë.

 – Çfarë bëre me furgonin “Folksvagen”, që dhuroi Hanoveri?

 – Është ende në garazh. Ndoshta do ta marr një ditë furgonin dhe të shes akullore.

“Shvajni tallej me këpucët e mia”

 “A pata shumë kontakte me futbollistët e Bajernit? Më vëllezërit Shavajnshtajger unë piva dy herë kafe, pasi vëllai i Bastianit, Tobiasi, luante me mua. Ishte me të vërtetë shumë e këndshme. Bastiani u tall me mua në lidhje me këpucët e mia qesharake që vishja, pasi unë i isha i vetmi, që ende vishja këpucë të zeza, “Adidas Copa”. Vetëm unë dhe gjyqtari kishim veshur këpucë të tilla”, – tha Lala.

Lorik Cana rikthehet tek Sunderlendi?

 Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana po mendon të rikthehet në Premierligë. Sipas ‘Daily Mirror’, mesfushori i Lazios ka shumë mundësi të ribashkohet me skuadrën e Sunderlandit, ku edhe ishte kapiten. “Lorik Cana është duke menduar kthimit në Premier League dhe është i vendosur të ribashkohet me ekipin e Sunderlandit”, shkruan “Mirror”

Napoli, në gjurmët e Samir Ujkanit

 Samir Ujkani mund ta ndjek rrugën e dy futbollistëve shqiptarë Valon Behrami e Blerim Xhemajli në Napoli. Sipas faqes italiane “calciomercato.com”, portieri i Kombëtares shqiptare, pjesëtar i Palermos, gjatë afatit kalimtar të janarit mund të shkëmbehet me portierin e dytë të Napolit, Antonio Rosati. Vështirë është e besueshme se Ujkani do të pranonte transferimin në Napoli ku do të luante rolin e portierit të dytë pas Morgan de Sanctis.

FOKUS KALENDARIK/ Në 365 ditët e vitit 2012, vibracionet sportive testuan realitetin

 Një vit në pit-stop, sportet “vegjetuan” të kaluarën

 Nga Agron KAJA

 Kemi mbyllur 365 fletët e vitit 2012, e ndërkohë që po jetojmë ditët e para të 2013-ës, si në një kasetë me filma të animuar na dalin para sportet tona, skuadra, sportistë e sportiste që gjatë atij viti u munduan të japin atë çka kishin për të dhënë, por që në fund, për të gjithë duket se mblidhet një “gogël” prej së cilës është e vështirë të dalësh pa u prekur. E thënë më qartë, jo vetëm futbolli, por në pjesën më të madhe të sporteve, Shqipëria nuk njohu ndonjë të veçantë gjatë vitit të kaluar. Madje, gjatë 2012-ës, bashkë me rezultatet e dështimet, “vegjetuan” edhe elementët e tjerë negativë të sportit, si trukimet e ndeshjeve të futbollit, apo dopingu në sportin e peshëngritjes. Për të bërë një analizë të sipërfaqshme jo të detajuar, dhe jo për ta “nxirë” vitin 2012 në hapësirën e tij sportive në Shqipëri, duhet thënë se sporti me vibrimet që kaloi në ditët e tij, tregoi se nuk është më i brishtë për të kapur kohën, por se ai nuk i ka ende njerëzit e duhur për ta nxjerrë nga brishtësia e tranzicioni që po e mban peng shumë gjatë. Duke ju referuar kalendarit, viti 2012 nisi me lajmin për vendosjen e trajnerit të ri të Kombëtares së futbollit, ku Xhani De Biazi më 3 janar pranoi të jetë tekniku kuqezi. Në 9 ndeshjet që ai drejtoi Shqipërinë e futbollit gjatë vitit të kaluar, arriti 4 fitore, 2 barazime e 3 humbje, ndërsa skuadra zhgënjeu disi në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2014. Gjithsesi, duhet thënë se, veç disa elementëve të rinj që afroi në Kombëtare, edhe ky italian nuk arriti që ta nxjerrë “anijen kuqezi” më lart se paraardhësit e tij. Dhe më tej, duke ju referuar vetëm futbollit, viti 2012 aty e pati “thembrën e Akilit”. Kampionatet vazhduan të luhen, ku në Superligë ishte Skënderbeu që dominoi duke u shpallur Kampion Kombëtar, ndërsa prapa kuintave luheshin ndeshje në tavolina. Qartësisht, futbolli shqiptar gjatë vitit 2012 u shpall “kampion Bote për trukimet”, ku 97 ndeshje të tilla të deklaruara nga FIFA dhe UEFA (2009-2012), mbetën në “dosjen e zezë” të Sport Radar-it, i cili na bëri “helaq” në sy të Botës se topkëmba shqiptare luhet më shumë si futboll tavolinash. Risia e vetme në këtë futboll superior ishte skuadra e Kukësit, e cila për herë të parë në historinë e saj tregoi se di të luajë ndershëm dhe me seriozitet. Dhe nëse do të vazhdojmë me paraqitjen e skuadrave tona në Europë përgjatë vitit të kaluar, dalim më se të turpëruar. Kështu, veç Skënderbeut që bëri diçka të mirë në ndeshjen me Debrecenin në Korçë, Flamurtari dhe Teuta u eliminuan në dy ndeshjet e para, ndërsa Tirana pasi kaloi me vështirësi një skuadër luksemburgeze, bëri shou në turin tjetër duke u mundur 5-0 nga Alesundi, një ndeshje kjo që ka hyrë në listën e trukimeve. Por, futbolli gjatë vitit 2012, pati edhe shumë gjykime skandaloze, shumë “koka të prera” trajnerësh javë pas jave, pati presidentë që me pak kacidhe në financat e tyre kërkonin copën e madhe, e që të gjithë së bashku, u rrëkëllyen për ta lënë përsëri një vit në “pit stop”. Edhe në futbollin e femrave, me gjithë brishtësinë reale të tij, gjatë vitit 2012 nuk munguam të turpërohemi me Evropën, teksa skuadra e Adës së Velipojës në Ligën e Kampioneve u mund 21-0 nga një skuadër qipriote. Por, futbolli ynë e mbylli vitin e kaluar me një lajm të hidhur, teksa u nda nga jeta gjyqtari i ri Rigers Pjetrushi. Pas futbollit, si sport prioritar në vendin tonë vjen peshëngritja, por edhe aty vibracionet mbetën prezentë. Veç rezultateve të Romela Begës që është shembull i një sportisti të kalibrit evropian e botëror, të tjerët i hynë rrugës së dopingut. Më parë Erkand Qerimaj, i cili pasi u shpall Kampion Evrope në Evropianin e Turqisë, u testua dhe rezultoi se kishte përdorur substancën e ndaluar “Metyl haxanamine”. Dhe pas Qerimajt, peshëngritësi Hysen Pulaku nuk mundi të shkonte të Lojrat Olimpike Botërore “Londër 2012”, sepse rezultoi pozitiv në përdorimin e dopingut, ndërkohë që Ilir Suli e kishte nisur këtë rrugë më parë. Ndërsa  sportet e tjera që zhvillohen në vendin tonë, gjatë vitit 2012 u munduan të shtynin sado pak “qerren” e rezultateve, të ngarkuar nga viti në vit me medalje e skandale, aq sa, disa federata sportive mbetën si “shqiponja me dy koka” drejtuese, e disa të tjera, nisur nga “ngarkesa e madhe e punëve”, nuk arritën dot të bënin një asamble për së mbari. Shumësportet shqiptare u mbyllën në fundin e muajit dhjetor me skandalin e Federatës së Çiklizmit, ku ish-çiklisti Besnik Musai, në shenjë proteste ndaj zhvillimit të Asamblesë e bëri copë-copë dokumentacionin e saj. E me gjithë atë zallamahi, Asambleja u zhvillua! E kështu, duke kaluar nga sporti në sport, hap pas hapi me kalendarin sportiv të vitit 2012, mund të përshkruash rrugë të gjatë, mes së cilës del edhe në një përfundim: Kaluam një vit sportiv të zakonshëm, një pit-stop ku sporti vegjetoi me të kaluarën!

 Flamuri shqiptar në Everest!

 Një nga kulmet e vitit 2012 ishte edhe ngjitja për herë të parë e gjashtë alpinistëve shqiptarë në në majën më të lartë të globit, në Everest. Gjergji Bojazhi, Gerti Pishtari, Xhimi Begeja, Fatjon Plaku, Erlin Rudho dhe Mateo Begeja u ngjitën, më 25 maj 2012, duke vendosur flamurin shqiptar në malin më të lartë të planetit, mbi 8 mijë metra ku shtypja atmosferike dhe i ftohti arrijnë shifra rekord.

 Berisha: “Të krijohet Liga Mbarëkombëtare e Futbollit!”

 Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë riktheu në skenë idenë e krijimit të një Lige Mbarëkombëtare të Futbollit. Diçka e propozuar dhe hedhur për diskutim më herët edhe nga klube apo faktorë të ndryshëm të këtij sporti, por që mori në fakt përgjigje negative nga FIFA. Megjithatë, kreu i ekzekutivit shqiptar i kërkoi Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci, që të ulet e të punojë me homologun e tij kosovar për shkrirjen në një të ligës së futbollit për të dyja vendet. “Zoti Ministër i Kulturës, këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë Liga Mbarëkombëtare e Futbollit. Këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë Liga e Futbollit mbarëkombëtar. Duhet të uleni sëbashku me ministrin e Sporteve të Kosovës, të bëni projektin dhe të zhvillohet Liga mbarëkombëtare. Ne kemi një hall se kombëtare është gjysmë kombëtare, ndaj ta quajmë mbarëkombëtare. Tani edhe infrastruktura e lejon këtë. Kështu, tifozi i skuadrës së Mitrovicës mund të vijë fare lehtë ta ndjekë ndeshjen Flamurtari me Mitrovicën në Vlorë, apo Prishtina me Tiranën. Natyrisht, në Ligë do të përfshihen të gjitha ekipet shqiptare. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka, sepse kjo është rruga për të shpalosur të gjitha potencialet dhe talentet në futboll, – edhe në sporte të tjera, por le ta nisim me futbollin – për të fuqizuar tregun e futbollit e për të nxjerrë një numër sa më të madh yjesh shqiptare të futbollit”, – tha kryeministri. Dëshira është e madhe për të pasur një Ligë Mbarëkombëtare në Futboll, por kësaj ideje ia ka prerë hovin FIFA. Qeveria e futbollit botëror i ka dhënë fund projekt-idesë së bashkimit të Superligës shqiptare me atë të Kosovës, apo edhe kalimit të disa skuadrave kosovare ne ligën shqiptare.