Alma Begaj/ Poezi

    360
    Sigal

     SOT, RA SHI 

    Sot, ra shi,
    si për ta shuar të djeshmen,
    e përtej hundës time picirruke,
    vijat rrëke formonin figurina pa fund.

    Sot, ra shi,
    dhe unë lundrova
    gjashtëdhjetë e pesë kilometra,
    me rrema gome mbi autobus,
    drejtuar nga direku rrethor.

    Sot, ra shi,
    dhe valët e ëndrrave,
    më pëshpëritën dy orë e dhjetë minuta,
    pa zë, pa tinguj, mistershëm,
    prej Shkumbinit të turbullt deri në det.

    Sot, ra shi,
    dhe unë lundrova ëndrrash,
    dy orë e dhjetë minuta,
    në gjashtëdhjetë e pesë kilometra.

    LAKURIQ

    Mendja ime,
    lakuriq,
    nën goditjet
    e fjalëve të tua,
    ngushtohet,
    si buzët para një hidhërimi.

    Lakuriq,
    mendja ime,
    ende e paturpshme,
    infekton sytë e tu,
    me një dëshirë,
    për penetrim në shpirt.

    ..të zhvesh dhe ty deri në zemër,
    e ti shtyhesh të hysh në timen..

    ..ngrohje ndjejmë në lëkurë,
    ndërsa unë vishem me ty,
    e me mua vishesh ti..

    AJËR, MUZIKË, DET

    Dua të frymoj frymën tënde
    për të jetuar brenda teje.
    Dua të shoh sytë e tu
    të humbas veten në ty.

    Fryma jote, ajri im!
    Syri yt, deti im!
    Pulsi yt, melodi!

    Shtrëngomë, bëj të ndjej nxehtësinë tënde,
    dhe muzikën e butë të zemrës që të rreh,
    atë rrahje zemre ku unë dëgjoj dhe veten.
    Kjo simfoni, luhet edhe tek unë njëkohësisht.

    Pulsi yt, melodi!
    Syri yt, deti im!
    Fryma jote, ajri im!

    Në thellësi të sekretit tim
    do të marr prej dore,
    do mbyll sytë e mendjes
    për të hapur vetëm sytë e zemrës.

    21 shkurt 2012