Ali Podrimja: Portreti i mikut Bekim Fehmiu

    522
    Shpesh kam menduar si të shkruaj për Bekim Fehmiun. Dy janë arsyet kryesore: 1) Ai u shfaq, kur rreth nesh ekzistonte një perde e hekurt dhe 2) Talenti i tij prej artisti e njeriu afirmoi qenien tonë kombëtare, pa marrë parasysh se në filmin shqiptar mungoi prania e tij. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe me Aleksandër Moisiun, por asnjëri nuk kishte hequr dorë nga identiteti e origjina e tij

    Bekimin e kam edhe mik. Pakëz më herët e njihja se kur një mik i penës kishte shkruar në “Zërin…” e orëve të hershme: Mbajeni mend këtë emër!… Aktori ynë bënte hapat e parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Gjatë viteve ’80, atë e kisha më shumë se mik. Në momentin më dramatik më ishte gjetur kur bëja çmos të shpëtoja Lumin. Katër vjet kishim vrapuar nga spitali në spital, rrugëve të ftohta të Beogradit. Dikur kthenim në shtëpinë e tij aty në Tashmajdan.
    Te Bekimi nuk kisha parë vetëm një artist të formatit të madh, një talent që kishte bërë inferior tërë një popull megaloman e idhnak, i cili në mënyrën e vet ushtronte dhunën ndaj të tjerëve që dëshmonin me vlera e guxim qytetari, por edhe njeriun dinjitoz që nuk gjunjëzohej para të papriturave. Bekimi besonte në të ardhmen, se në vete kultivonte një filozofi: patjetër duhet ngadhënjyer. Etikë kjo e njerëzve që kanë besim në rrugën e vet edhe pse në atë udhë mund të jenë vetmitarë.

    GJUHA E PENELOPËS DHE ULIKSIT: Kur biseda na zvetënohej, ndërronte temën, se kishte plotë ide. Shpaloste një jetë të begatshme filmi: rrëfente për udhëtimet e njerëzit që kishte takuar. Vëreja, se ajo që e thoshte kishte një logjikë të fortë, një krenari kombëtare. Xhirimi i filmave, ku e kishin shpënë atë, i kishin mundësuar të mos e shikojë jetën vetëm nga çatia shqiptare.
    Kisha harruar brengën time për një çast, kur më kishte folur për origjinën e Irena Leleku (Lejleku)-Papasi, aktore në zë e viteve ’70. Ajo kishte luajtur rolin e Penelopës në filmin-serialin “Uliksi” (1968) të Dino de Laurentisit dhe RAI I, ndërkaq Bekimi rolin e heroit më të shquar të antikitetit Uliksin. Ky projekt filmor ndër më grandiozët të kohës ishte shfaqur e reprizuar disa herë gati në të gjitha TV-të botërore. Se Irena ishte vërtet arvanitase, më kishte bindur për këtë.
    Gjatë pauzave të xhirimit të dy aktorët ishin tërhequr anash, kishin pëshpëritur diç në një gjuhë që ekipin e serialit e bënte më kureshtar: ç’gjuhë flitnin Penelopa dhe Uliksi Më vonë mjetet e informimit kishin zbuluar se rolet kryesore në “Uliksin” i interpretonin dy aktorë me origjinë shqiptare. Ndoshta ata interpretonin një episod nga lashtësia e tyre.
    Kjo ishte befasi e dorës së parë. Producenti Dino de Laurentis në shtypin italian e kishte paralajmëruar si aktor me origjinë greke. Bekimi ndaj shtrembërimit të pahijshëm të origjinës, kishte kërkuar të demantohet përndryshe braktiste xhirimin. Kishte ndodhur kjo edhe në shtypin spanjoll, ku aktori ynë ishte prezantuar si jugosllav i amerikanizuar, pastaj ishte korrigjuar se Bekimi na është një shqiptar nga Kosova (Jugosllavia). Kishte pasur edhe kërcënime nga koproducenti i njohur amerikan Louis Gilbert, se nëse nuk pranon të ndërrojë emrin dhe origjinën “Paramaunti” mund të ndërrojë aktorin.

    Mirëpo, para këtyre kërcënimeve që shpeshtoheshin Bekimi nuk u përul asnjëherë. Profetizmi i producentëve botërorë se ky, si shqiptar, nuk do të ketë sukses, mbetën vetëm lajthitje të të “mëdhenjve” që kërkonin me çdo kusht të mposhtnin kurajën qytetare e kombëtare të atyre që vinin nga vendet e vogla e të panjohura, siç ishte Kosova. Po Bekimi mbeti ai që ishte, mbajti emrin që ia kishte dhënë babai, Ibrahimi, bashkëluftëtar i Bajram Currit dhe luftëtar për të drejtat nacionale, sociale e arsimore nga Gjakova, i dëbuar nga regjimi i atëhershëm serb dhe i internuar në Sarajevë.
    Në memoaret e veta, nëse do t’i përfundojë ndonjëherë, me siguri mbi këto ndodhi e të tjera me shumë detaje të panjohura ende, ai do të ndriçojë shumëçka tjetër mbi jetën tepër të bujshme të një artisti. Në intelektin e fuqinë e rrëfimit të tij, duhet të besohet si në miqësinë e tij pa fije djallëzie. Ka diçka të veçantë, që figurën e tij e bën madhështore.
    PUPLAT E FAMËS: Në vitet ’60-të, kur nuk dihej asgjë për Kosovën (ndoshta pak gjë për Shqipërinë, më tepër si toponim gjeografik – ylli i Kadaresë nuk ishte shfaqur ende), në qiellin e filmit botëror kishte filluar të pipëtinte një yll që ngrihej nga Ballkani i errët. Ai quhej Bekim Fehmiu, i cili nuk u shua as pas filmit “Mbledhësit e puplave” (1966) e profetizimeve nga më të ndryshmet, që kishin bërë rreth karrierës së tij. Para tij hapeshin portat e producentëve botërorë.
    Nga filmi “Aventurieret”
    Rreth filmit “Aventurierët” – xhiruar në Evropë, Amerikë dhe në Amerikën e Jugut, tregohen shumë bëma. Në çdo hap mjetet e informimit kishin përcjell aktorin tonë – nga flirtimi i tij me aktoret e njohura amerikane deri te gjërat më të rëndomta të përditshmërisë së një ylli. Filmi kishte pasur dy premiera dhe të dyja në aeroplan. Të parën në xhamboxhetin 77 – nga Nju Jorku në Los Angjelos; të dytën tek kalonte oqeanin për në Evropë, ku çdo gjë ishte paralajmëruar me bujë. Në një lartësi të madhe qiellore, kur kishte filluar të shfaqej filmi, ishte alarmuar personeli përcjellës se në aeroplan ishte montuar një bombë. Bekimi vetëm kishte buzëqeshur, siç buzëqesh sa herë takohemi në Alenë e Shpëtimtarëve të Kombit: Nuk ka gjë, ne shqiptarët nuk na frikëson vdekja… kishte pëshpëritur. Fat të tillë përjetuan pas shumë vjetësh ca poetë nga Kosova në Mbrëmjen e poezisë shqipe në Shtëpinë “Ivan Cankar” në Lubjanë. Skenues i asaj dhe alarmues i bombës ishte Miodrag Bullatoviq, një mediokër, që i kishte bezdis hap pas hapi Agollin dhe Kadarenë në Takimet letrare në Bor të Serbisë (1986). Për këtë më kishte treguar miku i mi ndjerë Xhamail Mustafa, këshilltarë i ish-presidentit të ndjerë dr. Ibrahim Rugova. Projektimi i filmit kishte vazhduar, siç kishte vazhduar edhe mbrëmja e poezisë shqipe në Lubjanë. Pastaj ishte zbrazur edhe shishja e fundit e shampanjës diku në Evropë.

    Në koktejin e mbajtur në hotelin “Pjer” në Nju-Jork për nder të aktorit tonë, ku ishte ftuar elita amerikane para të pranishmëve, kishte shkaktuar habi veshja e Bekim Fehmiut alla konicqe; stilizimi i veshjes shqiptare, që të nesërmen gazeta e njohur “New York Post” kishte bërë pyetje: Çfarë qëllimi kishte paraqitja e Bekim Fehmiut në veshje nacionale Në filmin “E diela e zezë”
    Në vitin 1992, kur Kosova humbte në hijen e shkurres, Bekimi kreu së xhiruari filmin më të ri “Xhingis Kan”, regjinë e të cilit e bëri i famshmi Ken Eniken, i njohur edhe për filmin “Dita më e gjatë”, ku bëhet fjalë për zbarkimin e forcave perëndimore në Normandinë e pushtuar nga nazifashistët (1944). Reporter i lirë atë kohë kishte qenë Hemingueji, i cili kishte kaluar edhe pranë shtëpisë së Hajnrih Belit në Langenbroch i njohur nga ca krijues shqiptarë që kishin kaluar aty si mysafirë. Në bazë të të dhënave të vendasve, në vitin 1994 kisha kërkuar gjurmët e autorit të romanit të njohur “Plaku dhe deti”. Më kot. Enikeni kishte lënë gjurmët e një filmi grandioz, siç ishte “Dita…” për të kërkuar pastaj me vite ekipin për filmin “Xhingis Kan”.

    Tek largohesha, nga zhurma e Alesë së Shpëtimtarëve të Kombit, takoj mikun tim të vjetër. 
    Ne të viteve ’36, jemi goxha burra, më thotë. Gazin e Bekimit e kisha kapur pa u fikur. Më një qershor mbushte gjashtëdhjetë vjet, gjegjësisht katërdhjetë vjet të interpretimit në disa gjuhë. Ç’t’i uroja!?Më kishte zënë pa tekst. Për afirmimin tonë pakkush bëri siç bëri ai, njëri ndër aktorët më të shquar pas Aleksandër Moisiut. Institucionet e Kosovës dhe mjetet e informimit vazhdonin të merreshin me do cikërrime neveritëse, me gjëra pa peshë. Ndërkaq të tjerët mendonin pak më ndryshe; gjermanët kishin shfaqur një cikël filmash nga opusi i tij e ca radio të huaja kishin bërë fjalë në emisionet e tyre për gjashtëdhjetë vjetorin e aktorit shqiptar. Mezi kisha shkoqur shikimin nga buzëqeshja e tij e ngrirë. Në “Galery” hymë dhe në mënyrën tonë kremtuam një përvjetor që nuk bën të harrohet.
    Në filmin “Libera, amore mio”
    SHKOLLË PËR BREZAT: Fatkeqësisht, kjo që ndodh në hapësirën tonë, lë përshtypjen se pak bëhet për figurat që çmohen e nderohen edhe nga metropolet. Ne, ndoshta, nuk do të ishim shqiptarë të mos na ndiqte fati tragjik që nga antikiteti ynë. Kod i moralit të tij, mund të jetë dhe shkollë për brezat e ardhshëm: si mbrohet identiteti në mes të leukonisë. Bekimi nuk lejoi mbi identitetin e origjinën e tij të shembet ndonjë hije e keqe. Për të jetuar, thotë një i rebeluar
    Sigal